Vetëm shtatë ditë pas hyrjes në zyrë, ministrja e re e Shëndetësisë, Evis Sala, firmosi emërimin e Arti Papajanit si drejtor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Ajo e prezantoi publikisht si “prurje të re profesionale nga sistemi tatimor”. Por në fakt, Papajani nuk vinte nga administrata fiskale, as nga ndonjë institucion i shëndetësisë publike. Ai vinte nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, nën varësinë direkte të kryeministrit Edi Rama, ku ishte caktuar pas shkarkimit për favorizim të evazionit fiskal në Drejtorinë e Tatimeve.
Ky emërim, që në pamje të parë duket teknik, është në të vërtetë një lëvizje politike dhe ekonomike që lidh tre emra kyç të industrisë së shëndetit privat dhe të korrupsionit publik: Evis Sala, Arti Papajani dhe Klodian Allajbeu.
Papajani ka një dosje të gjatë në sektorin farmaceutik. Në vitet 2004–2005, ai ishte zv.drejtor i Qendrës Kombëtare Shtetërore të Kontrollit të Barnave. U largua për abuzime me licencat e importit, lejet e qarkullimit dhe tregtimin e ilaçeve të skaduara e të falsifikuara, të futura kontrabandë në tregun spitalor e farmaceutik. Dosja u mbyll në heshtje, dhe në prill 2006 ai u transferua në Drejtorinë e Tatimeve me ndihmën e të njëjtëve biznesmenë që i kishin siguruar përfitime në sektorin e barnave.
Në Tatime, Papajani u bë njeriu që “rregullonte” bilancet e kompanive të mëdha, përfshirë ato të lidhura me Spitalin Amerikan dhe grupin e bizneseve të Klodian Allajbeut. Për gati nëntë vjet, ai firmoste raportime me “humbje” për Spitalin Amerikan, ndërkohë që bizneset e lidhura me të përfitonin lehtësime dhe shmangnin detyrimet tatimore.
Pas vitit 2016, Papajani punoi si konsulent dhe auditor në kompani greke, duke vazhduar të ruante lidhjet me rrjetin e Allajbeut në Tiranë. Në maj 2021, me ndërhyrjen direkte të këtij të fundit te kryeministri Rama, ai u rikthye në Tatime, fillimisht në Drejtorinë e Bizneseve të Mëdha, më pas në Tatimet e Tiranës. Pikërisht gjatë asaj periudhe, Spitalit Amerikan dhe tetë kompanive të tjera të Klodian Allajbeut iu pranuan bilance me humbje që shmangën miliona euro tatime.
Në qershor 2024, Papajani u shkarkua zyrtarisht për “favorizim të evazionit fiskal”. Por brenda një jave, përsëri me lobimin e Allajbeut, u sistemua në Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, që varet drejtpërdrejt nga Rama. Dhe më 22 shtator 2025, emërimi i tij si drejtor i FSDKSH përmbylli rikthimin e plotë të këtij rrjeti të vjetër në zemër të sistemit shëndetësor publik.
Koincidenca është e qartë: Evis Sala, përveçse ministre, është rektore e universitetit privat “Western Balkans”, që është në pronësi të Spitalit Amerikan. Papajani, i përfolur për korrupsion me ilaçet dhe për favorizim fiskal të Allajbeut, dhe sipas burimeve tona edhe është paguar si këshilltar tij vitin e fundit, tani administron fondin publik që mbulon pagesat për ilaçet, klinikat dhe spitalet private. Dhe Allajbeu, përmes këtij trekëndëshi të pushtetit dhe interesit, kontrollon si ofertën, ashtu edhe financimin publik të sektorit shëndetësor.
Kjo është fotografia e një sistemi që qeveria e quan “shëndetësi moderne”: një bashkim midis politikës, biznesit dhe fondeve publike, ku njerëzit e skandaleve të djeshme kthehen si menaxherë të sotëm të parave të qytetarëve. Në krye të këtij zinxhiri që ushqehet me miliarda nga buxheti i shtetit qëndron një emër i përhershëm: Klodian Allajbeu. /Pamfleti