Furgoni, brenda të cilit u gjetën 23 armët e zjarrit të llojeve të ndryshme, mijëra fishekët dhe pajisjet e gjurmimit dhe shpërthimit në distancë, ishte i kamufluar si “mirëmbajtje rrugore”.
Mjeti rezulton me logon e kompanisë “Gener 2” të biznesmenit Bashkim Ulaj, me targë AB 911 UB, i cili ishte ruajtur nga policia pasi qëndronte i parkuar prej më shumë se një muaji në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet, pranë banesës së të arrestuarit, Eugert Sino.

Në furgon vihet re edhe një tjetër detaj, numri 911 te targa përkon me numrin e emergjencës të Shtetet e Bashkuara dhe Kanadasë për policinë, zjarrfikësit dhe urgjencat mjekësore.
34-vjeçari Sino, pronar i furgonit, u vu në pranga, ndërsa në kërkim u shpallën dy të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. 34-vjeçari, me precedentë penalë, është marrë në pyetje mbrëmjen e së mërkurës, dhe ka mohuar çdo lidhje me armët.
Sino pretendon se nuk ka dijeni se kush i ka vendosur armët në furgon, i cili, sipas tij, ka qëndruar i parkuar pranë banesës së tij. Mjeti kishte disa javë që qëndronte i parkuar.
Në fillim ka ndërhyrë Policia Rrugore si pjesë e një manovre të agjentëve me argumentin se automjeti kishte bllokuar rrugën. Pas konstatimit të armëve ndërhyrja është vijuar nga agjentët e krimeve. Furgoni kishte mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, që dyshohet se ishte përdorur si kamuflim nga trafikantët.
Armët e kapura ishin të reja dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova. Ata dyshohet se do të përdoreshin në ngjarje kriminale dhe i përkisnin një grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Pranë vendit ku ishte furgoni me arsenalin, policia zbuloi edhe bazën kryesore të grupit kriminal, ku mbaheshin armët. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.