Raportimi i kryetarit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në Kuvend, ka qenë tema qendrore e emisionit “Trialog” në RTSH.
Analistët shfaqën qëndrime të kundërta mbi atmosferën e krijuar rreth raportimit të kreut të SPAK.
Preç Zogaj argumentoi se sulmet e elitave politike ndaj Dumanit janë në fakt një indikator se kreu i SPAK po kryen punën e tij në mënyrë të pavarur.
“Elitat politike të partive të mëdha janë kundër tij dhe kjo do të thotë se ai punon mirë. Ai s’po bën lojën e askujt, por po bën punën mbështetur mbi ligjin,” deklaroi Zogaj.
Ai e cilësoi seancën si të “shmëtuar,” duke theksuar se kryetarët që e sulmojnë janë “ose të hetuar ose në hetim, ose potencialisht të hetuar.” Ai vlerësoi se SPAK ka bërë histori duke shkelur me ligjin në “sferat e larta të pashkelura” dhe se njerëzit kanë kuptuar se “askush nuk është mbi ligjin.”
“Kjo seancë do të mbahet mend për këtë. Duket e shëmtuar kjo situatë. Kryetarët që e sulmojnë janë ose të hetuar ose në hetim, ose potencialisht të hetuar. Nuk them të gjithë. Elitat e dy partive shfaqen kundër Dumanit, por shumica popullore e mbështet atë.“, tha Zogaj.
Lidhur me çështjen McGonigal, Zogaj theksoi se kjo çështje, e cila është ende në hetim sipas Dumanit, lidhet edhe me drejtësinë amerikane, duke mos e parë si një çështje thjesht të prokurorisë vendase.
“Nuk kam asnjë arsye të mbrojë kryeministrin. Por jemi duke folur për drejtësi dhe jo shkrime në gazetë. Dumani tha se çështja McGonigal është në hetim. Ai tha se është dërguar letër në SHBA dhe pret përgjigje. Çështja e Ramës nuk është çështje thjeshtë e prokurorisë sonë, por edhe e drejtësisë amerikane.”, tha Zogaj.