3 muaj pas fillimeve të punimeve, opozita me strategji sjelljeje në Kuvend/ Alizoti: Të mos nënshtrohemi; Këlliçi: Të ruajmë balancat

Politikë

Publikuar: 25/10/2025

3 muaj pas fillimeve të punimeve, opozita me strategji sjelljeje në Kuvend/ Alizoti: Të mos nënshtrohemi; Këlliçi: Të ruajmë balancat

Grupi Parlamentar i PD-së ka diskutuar mbi sjelljen që do të kenë në Kuvend në dy seancat e javës që vjen, të hënën dhe të enjten.

Sipas burimeve mediatike, deputetët janë shprehur njëzëri se do të reagojnë nëse nga ana e mazhorancës nuk i jepet e drejta për të folur.

“Më mirë të mos lenë të flasin sesa të nënshtrohemi. Ata po përpiqen që muajin e parë të na marrin hapësirën tonë. Kjo është e patolerueshme”, ka deklaruar Tomor Alizoti.

Nga ana tjetër edhe Belind Këlliçi shprehet kundër nënshtrimit, por thekson se duhet ruajtur një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur.

Tomorr Alizoti: Unë nuk jam radikal, besoj askush prej nesh në këtë grup. Por nuk besoj se rruga që duhet të ndjekim është të nënshtrohemi ndaj tyre. Ne kemi të drejtë të bëjmë pyetje, kemi të drejtë të flasim. Nëse na hiqen këto ne e kemi me detyrim reagimin, mos nënshtrimit, sepse po vritet thelbi i parlamentarizmit. Ata s’mund të na tregojnë ne sesi duhet të flasim, sesi duhet të vishemi. Sa sa respekt ka Edi Rama për Kuvendin e tregon me pjesëmarrjen në Kuvend. Ne jemi deputetë të opozitës, duke mbrojtur të drejtat tona mbrojmë parlamentarizmin. Unë nuk e mirëkuptoj dot askënd që thotë të mos reagojmë se pastaj ata na lenë të flasim. Fasadë në Kuvend ne nuk bëhemi dot. Duhet reagim, madje i fortë, që të gjithë të mësojnë që Shqipëria ska parlamentarizëm. Heshtja jonë është bashkëfajësi me ta në vrasjen e pluralizmit.

Belind Këlliçi: Unë mendoj se duhet të ruajmë një balancë mes reagimit dhe nevojës për të folur. Edhe unë nuk jam që të nënshtrohemi, por të gjejmë një zgjidhje sesi arrihet kjo pa humbur mundësinë për të folur.

Tomorr Alizoti: Më mirë të mos lenë të flasin sesa të nënshtrohemi. Ata po përpiqen që muajin e parë të na marrin hapësirën tonë. Kjo është e patolerueshme.