Spak ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli dhe ka bërë kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim.
Kërkesa e SPAK lidhur me kalimin apo jo të dosjes në proces gjyqësor do shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.
Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli është paraqitur disa javë më parë, më 3 tetor pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Burime për mediat bëjnë me dije se prokurorët i komunikuan Shkrelit akuzat për korrupsion zgjedhor.
Kujtojmë se pas dyshimeve se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Shkreli bleu vota në favor të PSD-së së Tom Doshit, SPAK i sekuestroi atij telefonit.
Gjithashtu, në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Posaçme sekuestroi edhe aparatet celularë të disa eksponentëve të tjerë të PSD-së të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitblerjes së votës në qarkun e Shkodrës.