Në raportin përfundimtar mbi zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, OSBE-ODIHR ndalet edhe te gjuha e përdorur gjatë fushatës zgjedhore, duke vënë në dukje sulmet personale mes drejtuesve të partive kryesore.
Në raport përmenden edhe epitetet që u përdorën në fjalimet publike, nga “bufi i kënetës” i Ramës, te “përbindëshi” dhe “narkodiktatura” e Berishës.
“Z. Rama e quajti vazhdimisht kundërshtarin e tij, z. Berishën, një “buf kënete”, dhe udhëheqës të tjerë të opozitës si “krijesa kënete”. Z. Berisha, nga ana tjetër, e quajti z. Rama “Antikrisht”, një “përbindësh” dhe qeverinë si “narkodiktaturë”. Agron Shehaj, kreu i Partisë së Mundësive, akuzoi Adriatik Lapajn, kreun e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, se kishte përfituar nga marrëveshje të brendshme në cilësinë e tij si avokat. Në përgjigje të këtyre akuzave, sipas raportimeve të medias, z. Lapaj ngriti një padi për shpifje”, thuhet në raport.