Axhenda/ Mbahet sot në Londër Samiti i Procesit të Berlinit, takimi do ‘bashkojë’ Ramën dhe Kurtin! Diskutohet për migrimin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik 

Politikë

Publikuar: 22/10/2025

Axhenda/ Mbahet sot në Londër Samiti i Procesit të Berlinit, takimi do ‘bashkojë’ Ramën dhe Kurtin! Diskutohet për migrimin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik 

Do të mbahet sot në Londër samiti i radhës i Procesit të Berlinit, i cili do të mbledhë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në kryeqytetin britanik që prej ditës së djeshme, ku ka marrë pjesë edhe në disa panele diskutimi.

Do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Liderët e dy vendeve shqiptare do të ndajnë të njëjtën tryezë pas polemikave të fundit në distancë për tubimin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Tiranë dhe qëndrimet për Gjykatën Speciale të Hagës.

Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.

Sipas axhendës, kryeministri Rama do të pritet nga homologu britanik Keir Starmer në orën 14:20. Në orën 14:45, parashikohet fotoja familjare ndërsa seanca plenare e samitit do të nisë në orën 15:00. Samiti do të jetë i organizuar në dy panele me temë  “Ambicia dhe Vizioni Strategjik” dhe ”Rritja, Migrimi dhe Siguria”, ku do të mbajë një fjalë edhe Rama.  

Procesi i Berlinit, i cili u iniciua nga qeveria gjermane në vitin 2014, është një platformë ndërkombëtare që bashkon qeveritë e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me partnerë të tjerë evropianë. Qëllimi i tij është të rrisë bashkëpunimin rajonal, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të përshpejtojë përpjekjet e tij për një afrim më të ngushtë evropian në Ballkanin Perëndimor.

Axhenda:

14:20 Mbërritja e delegacionit shqiptar dhe pritja nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer

14:30 Pritje nga Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar në Leaders Lounge

14:45 Foto Familjare

15:00 Seanca Plenare e Procesit të Berlinit

15:10 Paneli i liderëve të Ballkanit Perëndimor

Tema: “Ambicia dhe Vizioni Strategjik”

Një fjalë do të mbajë edhe Kryeministri Edi Rama

15:40 Paneli i liderëve të Ballkanit Perëndimor për temat që lidhen me: Rritjen, Migrimin dhe Sigurinë

Edhe në këtë panel një fjalë do të mbajë Kryeministri Edi Rama

16:00 Mbyllja e seancës plenare