Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të dielë Korçën ku si pasojë e zjarrit të rënë në banesë humbën jetën nënë e bir, Merjeme dhe Valter Azizllari. Fqinja e viktimave, Benereta Pashollari tregoi se zjarri u shkaktua nga soba e drurit.
Ajo tha se kjo familje jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe se të dy fëmijët janë autikë.
“Familje punëtorë, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike.
Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.
Unë për momentin nuk isha por aty, po ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerin dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën.Doli kjo zonja rastësisht se e mora në tel për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur“, tha ajo.