‘Miu i arave’ që hëngri hetimin e SPAK për bujqësinë

Aktualitet

Publikuar: 19/10/2025

‘Miu i arave’ që hëngri hetimin e SPAK për bujqësinë

Prokurorja e Tiranës Mirela Kapo ka hetuar dhe dërguar në gjykim 20 nëpunës të Ministrisë së Bujqësisë, të gjithë të akuzuar për ‘Shpërdorim detyre’ në bashkëpunim.

20 zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë janë kapur në “flagrancë” nga KLSH, ku një raport i detajuar tregon se si ata kanë abuzuar rëndë me procedurat për 7 tendera publike.

Shkeljet janë bërë me procedurat e prokurimit të zhvilluara kryesisht pa negocim dhe shpallje paraprake, me fond limit 525 milionë lekë.

Abuzuesit nga KLSH janë identifikuar me emra: Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero, Aldin Lika, Ermira Riznavolli, Ismet Biçi, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Niça dhe Admir Ago.

Prokuroria i jep me iniciale, jo vetëm ata por zhduk nga njoftimi edhe prokurorin që e ka kryer hetimin dhe dërguar çështjen në gjyq. Nëse për të ‘dyshuarit’ përdoren iniciale për çështje etike, emri i prokurorit nuk është e nevojshme të fshihet gjithnjë pas njoftimeve ku thuhet “PROKURORIA” dhe nxirret në foto godina.

Në të gjithë botën demokratike, prokurori del dhe shpjegon për publikun akuzën për aq sa e lejon ligji. Populli duhet ta njohë prokurorin që shërben për mbrojtjen e interesave të tij.

Çështja e Ministrisë së Bujqësisë, nuk është kaq e thjeshtë, sa disa zyrtarë “abuzuan” me disa tendera, dhe u çuan në gjyq me një nen që le shumë për të abuzuar- “Shpërdorim detyre”. Abuzimi me fondet dhe tenderat e bujqësisë tashmë është bërë çështje që e heton vetë BE, dhe do ndikojë në mbylljen e negociatave për kapitullin e “bujqësisë” nëse abuzuesit nuk marrin dënimin e merituar.

Hetimet e prokurores Mirela Kapo kanë nisur pas një kallëzimi të Ministrisë së Bujqësisë, bazuar në raportet e auditit që Kontrolli i Lartë i Shtetit kreu dhe dërgoi në këtë institucion.

 Të pandehurit, sipas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit. Procedurat për të cilat u konstatuan shkelje kishin të bënin me prokurimet për “Shpenzime mbrojtje bimësh dhe luftimi i parazitëve në bujqësi”, për “Blerje pajisje për shërbimin veterinar (motoçikleta, kaska, veshje, doreza, çanta)”, “Blerje kafshë të llojit gjedh për dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar nga dermatoza nodulare e gjedhit” si dhe për “Sistem i monitorimit me kamera për hidrovoret”.

Në një thjeshtim të gjuhës së hetimit që ka përdorur “Prokuroria”, këta zyrtarë që nuk kanë të ngopur me abuzime, kanë shkuar deri aty sa të vjedhin me “tender” edhe “helmet” kundër minjve të arave; kanë vjedhur dorashka e kokore që do i lejonin veterinerët për të dalë nëpër ara, kanë vjedhur e marrë në shtëpi sistemet e kamerave që duheshin për hidrovoret.

“Prokuroria” nuk thotë që hetimet kanë nisur nga SPAK që në 2017 e më pas janë transferuar në Prokurorinë e Tiranës. Hetimet kanë shkuar dorë më dorë deri sa u “fikёn” në duart e Mirela Kapos, e cila ka “hetuar” mbi një material hetimor të trashëguar, ku fillimet janë në SPAK, me Arben Krajën dhe Enkelejda Millonain.

Pra, hetimet për grupin që abuzoi me “Miun e arave” kanë filluar që në 2017.

Në 2025, përfunduan me një njoftim për akuzën “e ëmbël” për ‘Shpërdorim detyre’, akuzë që do mbrohet në gjyq nga prokurorja delikate Mirela Kapo.

Dhe kështu, bujqësia po merr shpagimin e saj duke “dënuar” fajtorët që abuzuan me të. Drejtësia punon, ndërsa “miu i arave” vazhdon punën e tij!