Audio e gjyqit / Prokurorja Ajkuna Anxhaku arrestoi me porosi avokatin Barjami pasi kapi prokurorin Gjergji Ceka në falsifikim, prova që rrëzon pretendimet për kërcënim

Krim & Korrupsion

Publikuar: 19/10/2025

Audio e gjyqit / Prokurorja Ajkuna Anxhaku arrestoi me porosi avokatin Barjami pasi kapi prokurorin Gjergji Ceka në falsifikim, prova që rrëzon pretendimet për kërcënim

(Audio, e vërteta e ‘kërcënimit’ të prokurorit Gjergj Ceka nga avokati Uliam Barjami në gjykatën e Elbasanit).

Duke u fokusuar tek ‘ylli i sabahut’ të organizatave kriminale Pajtime Fetah dhe gjyqtarja që sfilonte në korridoret e gjykatës në tingujt e këngës ‘Mafia’, në Elbasan drejtësia është pasuruar larg vëmendjes së medias me elementë të rinj, të cilët si paraardhësit e tyre duket se po vijojnë të tundin çekiçin dhe manipulojnë dosje nën hyqmin e krimit.

Një prej prurjeve të drejtësisë së re është Ajkuna Anxhaku, e emëruar prokurore në Vlorë në korrik të vitit 2022, transferuar më pas në Elbasan. U desh skandali i arrestimit të avokatit Ulian Barjami vetëm se ‘kërcënoi’ prokurorin Gjergji Ceka se do t’a kallëzonte penalisht për manipulim provash, që në pah të dilte prokurorja Ajkuna Anxhaku.

Avokati Ulian Barjami, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta ndaj shkeljeve në sistemin e drejtësisë, u arrestua vetëm sepse deklaroi se do të bënte kallëzim penal ndaj oficerëve dhe prokurorëve që kishin prezantuar prova të fabrikuara para gjykatës.

Në audion që po publikojmë avokati Ulian Barjami, i cili mbron klientin Maks Lila (Maksim Suçi), i thotë prokurorit Gjergji Ceka se do merrej personalisht me të duke i bërë kallëzim për manipulim provash për ngjarjen e arrstimeve në Elbasan, ku në procesverbal thuhej se nga pamjet duken 12 vetë, por në të vërtetë në pamje janë 6 vetë.

(Audion e debatit në seancë)

Në vend që të hetoheshin ata që manipuluan provat, u arrestua avokati Ulian Barjami që kërkoi hetimin.

Në qendër të kësaj skeme që ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me një proces ligjor, qëndrojnë prokurori ‘lule mos e prek’ Gjergji Caka me pasuri të dyshimta dhe oficerja e policisë gjyqësore Zmeralda Mehilli, të cilët pasi u ndjenë “të kërcënuar” nga kallëzimi i avokatit, shkuan vetë në polici për të bërë një kallëzim kundër tij. Dhe si për magji, ndalimi u miratua menjëherë nga Ajkuna Anxhaku një prokurore që po i jep kuptim të ri fjalës “bashkëpunim institucional”.

Burime nga sistemi gjyqësor tregojnë se ndalimi është bërë pa asnjë bazë ligjore, vetëm për të frenuar avokatin që kishte guximin të fliste. Por në vend që Ajkuna të kërkonte verifikimin e provave, ajo zgjodhi rrugën më të lehtë: të këndojë në kor me kolegët që po e përdorin drejtësinë si instrument hakmarrjeje.

Në vend që të përfaqësojë drejtësinë, ajo po e shndërron në farsë. Këtë e tregon audioja e ‘kërcënimit. Dhe në Elbasan, ku korrupsioni i sistemit po shkon në nivele alarmante, prokurorja e re është kthyer në “artisten” më të dëgjuar të manipulimit ligjor.

Një pyetje mbetet pa përgjigje, në këtë “koncert” të drejtësisë së shitur, kush është dirigjenti i vërtetë? Krimi, politika, korrupsioni apo të gjitha bashkë?