Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025
Partia Demokratike nuk heq dorë nga hetimi i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Një kërkesë e firmosur nga 38 deputetë të PD-së kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor të përbërë nga 11 anëtarë, ku demokratët do të kenë pakicën (5 anëtarë), ndërsa socialistët do të përfaqësohen me 6 anëtarë. Sipas propozimit të PD-së, kryetari i Komisionit do të jetë përfaqësues i opozitës, ndërsa zv.Kryetari nga mazhoranca.
Në kërkesë evidentohet se sic ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuar nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjërësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve në datën 12 maj 2025.

Sipas Grupit Parlamentar të PD në këto dokumente ndërkombëtare, del qartë se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, u kompromentuan rëndë për shkak të shkeljeve të rënda dhe problematikave serioze, veçanërisht në drejtim të: i) shitblerjes së votës; ii) intimidimit të zgjedhësve; iii) shtetit elektoral; iv) sistemit kriminal të patronazhimit; v) manipulimit të votës së Diasporës; dhe vi) finalizimit të farsës elektorale në ditën e votimit.
Në kërkesë evidentohet gjithashtu, se me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor, konkretisht në këto drejtime:

1) Keqpërdorimi i eventeve publike;
2) Kapja e institucioneve shtetërore;
3) Riaktivizimi i sistemit të patronazhimit;
4) Blerja e drejtpërdrejtë e votave;
5) Manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët;
6) Anullimi masiv i gjobave:
7) Miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin;
8) Prokurime të paligjshme;
9) Abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit;
10) Punësime të paligjshme;
11) Përfshirja e grupeve kriminale në fushatë;
12) Kontrolli i Medias;
13) Rrjeti i “Patronazhistëve” në Ditën e Zgjedhjeve;
14) Zyrat zgjedhore të paligjshme të Partisë Socialiste;
15) Blerja e Votave dhe Manipulimi Zgjedhor;
16) Konfiskimi i Kartave të Identitetit – Blerja e të Drejtës së Votës;
17) Keqpërdorimi i të Dhënave Personale;
18) Përdorimi i gjerë i badge të falsifikuara të stafit dhe vëzhguesve;
19) Shkelja e Fshehtësisë së Votës;
20) Manipulimi i Fshehtë i Fletëve të Votimit (“Treni Bullgar”);
21) Zhdukja e 350 Kutive të Votimit dhe Shfaqja e Fletëvotimeve të Dyshimta;
22) Manipulimi i Votës së Diasporës dhe Parregullsitë e Ditës së Zgjedhjeve;
23) Mosfunksionimi i Sistemeve të Identifikimit Biometrik (PEI);
24) Bashkëpunimi Institucional dhe Rrëzimi e Ankesave.

Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij: (i) Verifikimin e ligjshmërisë të veprimtarisë të organeve të pushtetit qëndror dhe pushtetit vendor, si dhe përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025; (ii) Vlerësimin e nevojës për marrjen e masave, përfshirë ndërhyrjet ligjore nëpërmjet miratimit, korrigjimit apo plotësimit të legjislacionit relevant për garantimin e parimeve të ligjshmërisë, integritetit, barazisë, lirisë dhe ndershmërisë në proceset zgjedhore të ardhshme.
Komisioni propozohet të përbëhet nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, nga të cilët kryetari dhe katër anëtarë i përkasin Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe gjashtë anëtarë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Në kërkesën e PD-së thuhet se sipas Kushtetutës, kur Komisioni Hetimor kërkohet të ngrihet nga të paktën 35 deputetë, Kuvendi është i detyruar të miratojë ngritjen e Komisionit.