Sot, në orën 12:00, do të mbahet gjyqi i radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe tre të tjerë. Seanca e kaluar u shty për shkak se të pandehurit kërkuan pavlefshmëri të të gjitha akteve të kryera nga SPAK, përfshirë edhe procesverbalet për sekuestrimin e sendeve nga studioja ligjore Pustina.
Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan” kërkoi pavlefshmëri të akteve, ndërsa pretendoi se nuk është bërë identifikimi i provave të Bektashit ndryshe nga Homeplane, dhe për rrjedhojë tha se nuk mund të çmohen si prova. Edhe avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari kërkoi pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve në zyrën e studios Pustina, duke shtuar se kontrolli është ushtruar pa vendim gjykate.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.