Video / Ministrja Sala çorodit Ramën: Shëndetësia është falas, por nuk është falas (duhet një komision filozofësh për t’a përkthyer)

Aktualitet

Publikuar: 12/10/2025

Video / Ministrja Sala çorodit Ramën: Shëndetësia është falas, por nuk është falas (duhet një komision filozofësh për t’a përkthyer)

Shëndetësia shqiptare është katastrofë. Onkologjiku, siç edhe e konfirmoi raporti i fundit i KLSH-së dhe një dosje e Prokurorisë, ngjan me një spital lufte, një dramë e papërshkrueshme njerëzore. QSUT-ja është piketuar për kulla dhe për t’u binjakëzuar me ‘ustain’ e koncensioneve korruptive në shëndetësi. Drejtoresha e re e QSUT, Anxhela Paparizo ka dhënë dorëheqjen disa ditë pas prezantimit, pasi i çuan mbi tavolinë për të firmosur aferat korruptive, të refuzuara nga paraardhësi Florenc Spaho.

Për të qeverisur shëndetësinë, Edi Rama ka caktuar si ministre part/time Evis Salën. Kjo e fundit, gjysmën e muajit bën ministren e Shëndetësisë, gjysmën tjetër shkon në Itali tek puna tjetër. Përpos ministre part/time, Evis Sala ka edhe një problem tjetër; Nuk është e qartë për vizionin e menaxhimit të shëndetësisë.

Gjatë një interviste në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, Sala ishte e mjegullt për idetë dhe objektivat lidhur me menaxhimin e fushës së shëndetësisë, një nga degët kryesore të qeverisjes. Në krye të fjalisë ministrja Sala thotë se shëndetësia është falas, ndërsa në fund të fjalisë pohon se shëndetësia nuk është falas.

Sala çoroditi kryeministrin edhe kur foli për aksesin e plotë të pacientëve të Onkologjikut tek barnat. Loja e fjalëve pa kuptim u pa qartë se hutoi dhe nervozoi kryeministrin Rama. Për të kuptuar dhe shkoqitur mesazhin e zonjës Sala ndoshta duhet angazhimi i një komisioni filozofësh dhe përkthyesish skrupulozë, pse jo përmes një procedure tenderuese!

Nëse idetë e Salës mjegullohen nga emocionet, ajo mund t’i shkruajë në një fletore. Por, duket se Sala nuk ka as vizion, por as respekt për opinionin publik dhe detyrën që i kanë ngarkuar.

Evis Sala është një profesioniste në fushën e saj. Ndoshta shumë e aftë për të drejtuar edhe një klinikë. Por si ministre e Shëndetësisë duket shumë larg edhe stadardit të Nard Ndokës. ‘Talentin e rrallë’ zonja Sala e shpalosi edhe kur u prezantua si ministre tre javë më parë.