Sfida që të çon pranë kualifikimit në ‘Play off’, Shqipëria sot përballet sot me Serbinë! Sylvinho ndryshime në sulm, Daku pritet ta nisë nga fillimi

Sport

Publikuar: 11/10/2025

Sfida që të çon pranë kualifikimit në ‘Play off’, Shqipëria sot përballet sot me Serbinë! Sylvinho ndryshime në sulm, Daku pritet ta nisë nga fillimi

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luan sot ndoshta një nga sfidat më të rëndësishme të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ku përballë do të ketë Serbinë.

Ndeshja luhet në orën 20:45, në stadiumin e Leskovacit, shumë pranë kufirit me Kosovën. Kjo sfidë e cila shpesh herë kalon kufijtë e futbollit për shkak të kontekstit historik të dy vendeve, është e rëndësishme për të dyja ekipet dhe mund të vendos se cili ekip mund të shkojë në ‘Play Off-in’ për kualifikimin për në botëror, pasi Anglia kryesuese është shkëputur ndjeshëm në krye.

Shqipëria renditet e dyta me 8 pikë në grupin K, ndërsa Serbia e treta me 7 pikë, por rivalët ballkanas kanë një ndeshje më pak se kuqezinjtë.

Sfida pritet që të luhet në kushte të rrepta sigurie, teksa nuk ka pasur bileta në treg, nga frika e huliganëve serb që në ndeshjet e fundit kanë shkaktuar shumë probleme. Ndërsa vlen të theksohet se në këtë ndeshje do të mungojnë tifozët shqiptar.

Formacioni i kuqezinjve

Ndërkohë është zbuluar formacioni paraprak që trajneri i Kombëtares, Sylvinho mund të hedhë në fushë. Strakosha pritet ta nisë nga fillimi, teksa duket se tekniku kuqezi nuk do të bëjë ndryshime në mbrojtje dhe portë, ku Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj do ta nisin nga fillimi.

As në mesfushë nuk pritet që të ketë ndryshime, teksa Asllani, Shehu dhe Laçi e kanë ‘blinduar’ vendin e tyre.

Në sulm duket se do të kemi një ndryshim, teksa Daku pritet ta nisë nga minuta e parë. Broja është i sigurt nga krahu i djathtë. Ndërsa dilema e vetëm e Sylvinho-s është krahu i majtë, teksa ka një balotazh me Bajramit dhe Uzunit, teksa ky i fundit konsiderohet si më favorit.

Formacioni i Shqipërisë:

Strakosha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Shehu, Laçi, Broja, Uzuni, Daku.

Serbia me mungesa

Kombëtarja serbe vjn me mungesa të mëdha ndaj kuqezinjve. Padyshim që mungesa më e madhe është Segej Milinkoviç-Saviç, i cili sërish nuk është thirrur nga trajneri Dragan Stojkoviç. Ndërsa mungesa të mëdha pritet që të jenë mbrojtësi i Nottingham Forest Nikola Milenkovic (karton i kuq), dhe mesfushori i Fulham Sasa Lukiç.

Formacioni i Serbisë:

Petrovic; Erakovic, Veljkovic, Pavlovic; Maksimovic, Gudelj; Nedeljkovic, Zivkovic, Ilic, Kostic; Vlahovic

Historiku

Kjo do të jetë ndeshja e 4 mes dy vendeve ballkanike. Në tre sfidat e mëparshme, kuqezinjtë numërojnë një fitore (në tavolinë), një humbje dhe një barazim.

Serbi-Shqipëri është luajtur për herë të parë në 14 tetor 2014, ndeshje e cila u ndërpre, pasi huliganët serb u futën në fushën e lojës dhe goditën futbollistët e kombëtares shqiptare, pasi në stadium u shfaq një dron me flamurin e famshëm ‘Autochthouns’. Serbia e humbi ndeshjen 3-0 në tavolinë, teksa më pas Shqipëria siguroi një biletë për Europianin e 2016 në këtë grup.

Pikërisht, edhe në këtë ndeshje kombëtarja serbe është e paralajmëruar që të mos ketë probleme, pasi incidentet mund t’i kushtojnë përjashtimin nga kompeticionet europiane për dy vitet e ardhshme.