KQZ ka ndërprerë çdo përgatitje për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë, pasi Kushtetuesja pezulloi dekretin e Bajram Begajt pas ankimit të Erion Veliajt. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se nuk mund të kryejnë asnjë veprim, pasi është çështje e kompetencës së Kushtetueses për të vendosur mbi ankimin e Veliajt.
Celibashi tha se do të vijojnë përgatitjet për zgjedhjet në 5 bashki të tjera më datë 9 nëntor, konkretisht në Vlorë, Tepelenë, Berat, Mat dhe Cërrik.
“Është pezulluar që ditën e djeshme. Në datën 9 nëntor është e sigurt që do të zhvillohen zgjedhjet për 5 bashkitë te tjera përjashto bashkinë e Tiranë”, tha ai.
Celibashi tha se përsa kohë ka një dekret të Kushtetueses, do ishin në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës, në rast se do të vijonin me përgatitjet për zgjedhjet në Tiranë.
“Në momentin që GJK ka pezulluar efektet për atë pjesë të dekretit të presidentit është sikur ai dekret të mos ekzistojë në një lloj mënyre për atë pjesë për të cilën ka urdhëruar gjykata. Dhe do të ishim në shkelje të kushtetutës dhe kodit zgjedhor nëse KQZ do të vazhdonte me procesin përgatitur të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Ndaj e thashë se bazuar në urdhërimin e vendimit të GJK do të duhet ta respektoj vendimin. Kjo është e qartë në gjykimin tim. KQZ nuk mund të kryejë asnjë veprim që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor në bashkinë e Tiranës, është çështje e GJK për të vendosur mbi ankimin që është bërë në gjykatë nga zoti Veliaj në lidhje me vendin për shkarkimin e tij. KQZ nuk po zhvillon asnjë veprimtari që lidhet me përgatitjen e procesit zgjedhor për Tiranën për datën 9 nëntor për shkak të urdhërimit të GJK”, tha Celibashi.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Erion Veliajt dhe pezulloi dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë. Gjykata argumenton se zbatimi i dekretit do të sillte pasoja të pariparueshme për të drejtat e të zgjedhurit vendor për sa kohë çështja gjyqësore ndaj tij është ende në shqyrtim. Ky vendim unanim i Kushtetueses, nuk prek 5 bashkitë e tjera, të cilat do të mbajnë zgjedhje siç ishte planifikuar.