‘Shuplaka’ e SHBA për investimet / Si Elira Kokona po ndan pasuritë publike për shokët e burrit, u jep klientëve edhe shtëpinë e jetimëve ‘Zyber Hallulli’ për kullë, afera me Kalanë e Petrelës

Investigim

Publikuar: 07/10/2025

‘Shuplaka’ e SHBA për investimet / Si Elira Kokona po ndan pasuritë publike për shokët e burrit, u jep klientëve edhe shtëpinë e jetimëve ‘Zyber Hallulli’ për kullë, afera me Kalanë e Petrelës

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar ashpër ligjin kontrovers të Investimeve Strategjike. Në raportin për klimën e Investimeve 2025, DASH thotë se nga ligji kanë përfituar vetëm bizneset me lidhje të forta me qeverinë. “Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin midis investitorëve të huaj se ligji ka përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse,” thuhet në raport.

DASH: Ligji i Investimeve Strategjike u bë për klientët e

Qeveria e ka zgjatur disa herë afatin e ligjit për Investimet Strategjike, ku më i fundit ishte ai i zgjatjes deri në dhjetor të vitit 2026. Por investitorët e huaj nuk lejohen të përfitojnë nga ligji dhe barriera e parë është pikërisht Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ose AIDA siç njihet ndryshe.

Përtej kësaj, qeveria amerikane shikon edhe një tjetër problem tek ligji kontrovers.

Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private për zhvillimin e projekteve private që konsiderohen projekte të veçanta strategjike. Pavarësisht dispozitës që qeveria do të veprojë kur palët nuk arrijnë një marrëveshje, klauzola është një burim polemikash sepse i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private në interes të një pale tjetër private“, përfundon raporti.

Skema tjetër

Krahas ligjit klientelist për investimet strategjike, qeveria ka shpikur një tjetër nismë për të piketuar dhe kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur. Bëhet fjalë për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në krye të korporatës Edi Rama ka vendosur zonjën Elira Kokona, e gatshme për çdo operacion korruptiv me paratë dhe pasuritë publike.

Përpos projekt-propozimeve të kundraligjshme për zonat prioritare (pronat shtetërore) për ‘t’u zhvilluar’ dhe keqmenaxhimin financiar, Elira Kokona e ka kthyer Korporatën në një bankë shtetërore, duke dhënë hua, jashtë korrnizës ligjore. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar veprimtarinë e Korporatës Shqiptare të Investimeve për periudhën 2021-2023, ku përpos të tjerave, ka kostaruar se Korportata i ka dhënë 2 miliardë lekë hua Albcontol në nëntor të vitit 2023 për shkak të bllokimi të llogarive bankare të Albcontrol, për detyrimet që ka shteti shqiptar nga vendimet e Gjykatave të Arbitrazhit.

Prona publike për klientët dhe shokët e burrit

Një çetë hajdutësh arrogantë të pasurive publike, që mburren dhe hiqen si biznesmenë të mëdhenj, që i japin zemër njëri-tjetrit nëpër tavolina se nuk ka çfarë u bën SPAK-u, që rrëfejnë histori të sajuara apo mitizuara për të treguar se sa afër janë me Edi Ramën, po përlajnë si plaçkë lufte godinat dhe pronat e fundit publike, për të ndërtuar vila, hotele dhe kulla me para të dyshimta, dromca kredish, para që janë produkt i skemave mashtruese, abuzimit me TVSH, call centra, mikrokredi dhe marrëveshje me figura të trafikut të drogës.

Për zbatimin e këtij projekti grabiqar, pra për përvetësimin dhe kthimin në biznese private të pasurisë publike, është krijuar/sajuar Korporata Shqiptare e Investimeve. Pra, zbatim i planit për thithjen e ‘investimeve të huaja’ duke ndarë pasuritë e fundit si plaçkë lufte për shoqërinë, servilët, sekserët dhe klientelën. Biznesmenë që nuk prodhojnë asgjë, por vetëm pazare, ndërmjetësime dhe biznes me pasuritë publike.

Në krye të korporatës është vendosur Elira Kokona. Kjo e fundit është zgjedhur jo rastësisht. Është një zgjedhje ‘strategjike’.

Së pari, SPAK ndjek një politikë të butë penale ndaj grave, me përjashtim të rasteve të implikimit në grupet kriminale siç ishte ish gjyqtarja Pajtime Fetah.

Së dyti, Elira Kokona ka qenë sekretare e përgjithshme e disa ministrive, ka një historik abuzimi me pushtetin, madje në kohën kur ushtronte detyra publike, ka mbrojtur në arbitrazh interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë.

Së treti, Elira Kokona vjen nga një përvojë si mëkëmbëse e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, i cilësuar si ‘Tano Karidi’ i qeverisë shqiptare, për të cilin thuhet se janë grisur disa urdhër-arreste.

Së katërti, ka dyshime të forta se Elira Kokona është aksionere e kamufluar në disa kompani klienteliste, të shënjuara për të përfituar pasuritë publike, mbi të cilat do të ngrihen kullat. Elira Kokona besohet se është aksionere e fshehtë në kompanitë e shokëve të burrit, Denis Gjika, të cilët do të shpallen fitues të tenderave të zonjës Kokona për pasuritë publike.

Pasuritë publike që do shndërrohen në kulla dhe hotele

Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”

Kalaja e Petrelës

Pallati i Kongreseve

Agjencia e Kthimit të Kompesimit të Pronave

Kalaja e Ali Pashës në Butrint

ATSH-ja mbi Gjykatën e Apelit

Stadiumi “Selman Stërmasi” 

Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’

Vilat qeveritare në Vlorë

Vilat qeveritare në Velipojë

Shkolla e Marinës në Vlorë

Shtëpia e Fëmijës në Vlorë

Muzeu Historik Kombëtar (i piketuar)

Bibloteka Kombëtare (e piketuar)

Kalaja e Prezës (piketuar)

Ishulli i Sazanit

Pylli i Sodës etj.

Elira Kokona do t’i japë Besnik Leskajt Kalanë e Petrelës për hotele

Koorporata e Investimeve Shqiptare, e krijuar për tjetërsimin e pasurive publike, hapi disa muaj më parë garën për projektin e “Parkut të Besimit”, në zonën e Petrelës në Tiranë. Në një sipërfaqe të stërmadhe prej 210 mijë metrash katrore, do të ndërtohen hotele dhe restorante, me “kamuflimin” e harmonisë fetare.

Një projekt gjigant që prek edhe Kalanë e Petrelës dhe kodrën përreth këtij monumenti të kulturës. Grupet e Korporatës kanë bërë matje dhe anë vendosur që në të gjithë zonën të bëhen ndërtime, kryesisht hotele, bare dhe restorante. Madje, do të bëhen edhe miniprojekte të besimeve të ndryshme në të gjithë zonën.

Prej disa javësh, rreth 30 studio ndërkombëtare dërguan projektet te Korporata, ku vetëm 12 janë kualifikuar për më tej, në fazën e ardhshme.

Vëllezërit Leskaj kundër vëllezërve Efthimi për

Faksimile: Njoftimi i renditjes së firmave për projektin e Parkut të Besimit në Petrelë

Sipas dokumenteve, Korporata shkruan se më datë 11 korrik 2025 komisioni i vlerësimit të ofertave përfundoi procesin e vlerësimit të kësaj faze dhe, në përfundim të saj, në listën e shkurtër janë kualifikuar 12 ekipe ndërkombëtare.

Deri më tani, garën e kryeson një bashkim firmash me shqiptaren “Abkons” si nënkontraktor. Firma Abkons është në pronësi z. Besnik Leskaj dhe Redjan Bashës. Vëllezërit Leskaj, Besniku dhe Arjani, janë pronarë të disa firmave që kanë fituar leje ndërtimi, madje janë shpallur edhe investitorë strategjikë gjatë viteve të fundit.

Po cilat firma janë “kundërshtarët” më të fortë të familjes Leskaj?!

Sipas dokumentit të Korporatës, firma e dytë në garë është sërish një bashkim operatorësh, me firma të huaja projektuese. Por, ajo që bie në sy është kompania shqiptare Atelier4, një firmë në pronësi të vëllezërve Alban, Andi dhe Olsi Efthimi.

Kompania në fjalë u njoh fillimisht si një nga përfitueset më të mëdhaja të tenderëve të projektimit dhe më pas atyre të ndërtimit. E njëjta kompani ka marrë me dhjetëra leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit për ndërtime shumëkatëshe.

Dy familje shumë të forta, me lidhje deri lart në kupolën shtetërore, që do konkurrojnë njëra-tjetrën për një llokmë të madhe.

Vëllezërit Leskaj kanë një përparësi në betejën me vëllezërit Efthimi për të gllabëruar një sipërfaqe prej 210 mijë metrash katrorë pronë publike, rreth Kalasë së Petrelës, për të ndërtuar hotele dhe restorante private, nën kamuflimin e harmonisë fetare. Madje mund të themi se vëllezërit Leskaj e kanë fituar betejën ende pa i rënë gongut Elira Kokona, drejtoresha e Koorporatës së Investimeve Shqiptare, një mekanizëm i sajuar për të tjetërsuar pasuritë e fondit publik, kala, godina shtetërore, zona të mbrojtura etj.

Biznesmeni Besnik Leskaj, i cili përmes kompanisë Abkons do rrethojë Kalanë e Petrelës me hotele, është lidhje shoqësore e gjinekologut Denis Gjika, drejtor i Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror. Denis Gjika është bashkëshorti i Elira Kokonës, me pasuri të dyshimta nga Tirana në Itali.

(Denis Gjika)

Ndërkaq, drejtoresha e Koorporatës së Investimeve Shqiptare Elira Kokona është lidhje shoqërore me zonjën Ledia Tota, e cila ka drejtuar Agjencinë e Zhvillimit të Territorit nga vitit 2015 deri në vitin 2023. Ledia Tota është bashkëshortja e biznesmenit Besnik Leskajt.

(Ledia Tota dhe Elira Kokona)

Ka prova që dy çiftet Elira Kokona / Denis Gjika dhe Ledia Tota / Besnik Leskaj kanë udhëtime të përbashkëta, kalojnë pushimet dhe dalin bashkërisht nëpër dreka dhe darka.

Pasuria e përbashkët e shqiptarëve është ndarë për t’u zhvatur nga një rreth i vogël familjar në ato drekat me verë të shtrenjtë. Ka dyshime të forta se Elira Kokona jo vetëm ka paracaktuar shoqninë e burrit për të gllabëruar pasurinë publike (Kalanë e Petrelës), por çifti Gjika-Kokona mund të jenë aksionerë të fshehtë në investimin që po planifikon Besnik Leskaj në pronën publike.

Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” kullë për oligarkët

Vox news shkruan se projekti i radhës i Korporatës së Investimeve Shqiptare prek edhe fëmijët jetimë, ku në truallin e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” do të ndërtohet një kullë e stërmadhe. Mjeshtrat e betonit duket se nuk kursejnë askënd, as jetimët, të cilët kanë një jetë të tërë që jetojnë atje. Për të mos thënë personeli, ku dihet se Shtëpia ka qenë gjithmonë në Rrugën e Elbasanit.

Këta mjeshtra duket se kanë një plan, për të asgjësuar çdo ndërtese të ulët shtetërore në afërsi të qendrës së Tiranës për t’a shndërruar në kulla të stërmëdha, nga ato që ndërtohen gjithmonë nga oligarkët, ku blejnë apartamente apo dyqane persona me të kaluar të dyshimtë.

Trualli ku janë jetimët është shumë i kërkuar nga oligarkët, të cilët prej kohësh e kanë kthyer në një masiv të madh betoni zonën pranë stadiumit kombëtar, tashmë të emërtuar “Air Albania”.

Mjeshtrat e betonit nuk kursejnë as jetimët, shtëpinë e

Faksimile: Njoftimi i Korporatës për hapjen e garës për truallin e Zyber Hallullit

Korporata shkruan se projekti do të realizohet nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, ku partneri privat do të financojë ndërtimin e dy objekteve publike, Korpusit të Inspektoriateve dhe Shtëpisë së re të fëmijëve “Zyber Hallulli”, ndërsa në këmbim do të ketë të drejtën të zhvillojë një pronë tjetër për përdorim multifunksional, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave.

Pronat e përfshira në projekt janë ajo me sipërfaqe prej 7,107 m² truall. Brenda kësaj pasurie ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 1,411 m², në të cilën ndodhet godina e Shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli”. “Kjo pronë është në pronësi të shtetit, dhe ndodhet në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe Shërbimit Social Shtetëror. Kjo pronë i ka kaluar Korporatës me Vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 31 korrik 2025”, thuhet në dokument.

Në projekt është përfshirë edhe prona me sipërfaqe prej 2,902.6 m2 truall, e cila është një njësi ndërtimore dhe truall në përdorim aktual të Inspektoratit Qendror.

Mjeshtrat e betonit nuk kursejnë as jetimët, shtëpinë e

Në foto: Harta ku do të zhvendosen Shtëpia e Fëmijës dhe Inspektoriatet

Ndërkohë, prona e tretë është ajo me sipërfaqe 5,219 m2, e transferuar në pronësi të AIC, do të jetë për zhvillim publik për ndërtimin e një shtëpie të re për fëmijët e qendrës Zyber Hallulli.

Duket se, godina e Inspektoriateve dhe Shtëpia e re e Fëmijëve do të zhvendoset në rrugën Gramoz Pashko. Trualli që ato lënë, me sipërfaqe të stërmadhe, pritet t’u jepet privatëve për të ndërtuar kulla. Një histori tepër e dyshimtë, ku një truall me vlerë shumë herë më të lartë i jepet privatit, në këmbim të dy godinave që do të ndërtojë pak në periferi.

Mjeshtrat e betonit nuk kursejnë as jetimët, shtëpinë e

Në foto: Harta ku do të zhvendosen Shtëpia e Fëmijës dhe Inspektoriatet

Në dokument shkruhet se zona e parë përbëhet nga një truall prej 5,220 m² në Rrugën Gramoz Pashko, në afërsi të Kampusit të Studentëve në Tiranë dhe Parkut të Liqenit. “Kjo zonë me karakter “qytet-kopsht” ofron një mjedis më të shëndetshëm dhe më të gjelbër sesa shtëpia aktuale e institucionit dhe siguron një kontekst ideal për një kampus që të ndihet si një fshat dhe jo si një strehë. Projekti është menduar të strehojë rreth 40 fëmijë të moshës 6–15 vjeç”, thuhet në dokument.

Ndërkohë, zona e dytë përbëhet nga një pronë prej 7,110 m² në Rrugën e Elbasanit, në afërsi të me Stadiumin “Air Albania”. “Si shtëpia aktuale e Fëmijëve ‘Zyber Hallulli’, ashtu edhe godina ekzistuese e Inspektorateve në këtë parcelë do të shemben, duke i hapur rrugë një zhvillimi të ri me përdorim të përzier dhe dukshmëri të lartë urbane. Ky projekt pritet të kombinojë funksione mikpritjeje, banimi, tregtie, zyra dhe shërbime, si dhe të sigurojë hapësira të mjaftueshme parkimi nëntokësor. Ndërsa shpërndarja e saktë e këtyre funksioneve u lihet në dorë kreativitetit të konkurruesve, ndërtesa duhet të synojë të bëhet një pikë referimi bashkëkohore që kontribuon pozitivisht në horizontin urban të Tiranës dhe në hapësirën e saj publike”, thuhet në dokument.

E shkruar mjaft qartë se në territorin ku aktualisht banojnë jetimët do të ngrihet kullë. Sipas mjeshtrave të betonit, arkitektët duhet të kenë në një vëmendje të veçantë marrëdhënies midis ndërtesës dhe rrethinës së saj, se si ajo gjallëron nivelin e rrugës, lidhet me lagjet përreth dhe integron hapësira publike që i shërbejnë si komunitetit, ashtu edhe përdoruesve të ardhshëm.

E vendosur në një truall me dukshmëri të lartë pranë Stadiumit ‘Air Albania’, ky projekt duhet të ndërthurë mikpritjen, punën dhe biznesin, shërbimet, tregtinë dhe argëtimin, banimin dhe parkimin në një tërësi dinamike”, pohon Korporata.