Zjarret gjatë verës, Rama premton dëmshpërblim “qindarkë për qindarkë”. Ligj i ri për sigurimin e banesave

Aktualitet

Publikuar: 04/10/2025

Zjarret gjatë verës, Rama premton dëmshpërblim “qindarkë për qindarkë”. Ligj i ri për sigurimin e banesave

“Ata që kanë humbur banesat apo krerë bagëtish, duhet të jenë të qetë sepse me kalimin e aktit normative do të shpërblehen qindarkë për qindarkë”, deklaroi kreu i qeverisë, Edi Rama, në aktivitetin me tre ministrat, Pirro Vengu, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, lidhur me transformimin e Forcave Zjarrfikëse.

“Do të ketë një ligj të ri që do t’i detyrojë bizneset dhe qytetarët të sigurojnë banesat për raste fatkeqësish”, paralajmëroi kryeministri.

Tha se ky shërbim mbetet prioritet i punës së Ministrisë së Brendshme, duke theksuar se ata do të kenë një rritje të vazhdueshme të pagës, njësoj si ata të Forcave të Armatosura.

Nënvizoi ashtu si ministrja e Brendshme faktin se nevojitet rritje e kapaciteteve njerëzore, për një performancë më të mirë në territor.

“Sot nuk kemi më borxhe për të larë të së shkuarës së mallkuar dhe ekonomia ka një rritje të ndjeshme”, u shpreh Rama, ndërsa shtoi se ky vit ka qenë më i vështiri për Shqipërinë me situatën e zjarreve.

Nuk la pa përmendur “shtrëngimin e ri” në Kodin Penal për zjarrvënësit.