Më në fund, Prokuroria e Fierit ka referuar për kompetencë në SPAK dosjen e organizatës kriminale Bankers, organizatë e cila përfaqëson vjedhjen më të madhe në historinë e kombit shqiptar. Gjatë këqyrjes së celularëve të sekuestruar nga grupi hetimor, janë evidentuar elementë të grupit të strukturuar kriminal, akuzë kjo që hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Për rrjedhojë, Prokuroria e Fierit e ka dërguar dosjen dy ditë më parë në SPAK, për korrupsion, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Sipas burimeve, për të hetuar aferën Bankers, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani do të caktojë disa prokurorë, ku do të jetë edhe vetë pjesë e hetimit. Kjo lëvizje ka tronditur ‘peshqit e mëdhenj’ të naftës shqiptare, pjesë e vjedhjes, të cilët ishin lënë jashtë përgjegjësisë penale nga Prokuroria e Fierit, duke kapur vetëm zbatuesit e mashtrimit të madh.
Prapakena, duke e kthyer në kauzë, vjedhjen më të madhe në histori, ka identifikuar disa nga përfituesit e mëdhenj të skemës së mashtrimit, që janë politikanë dhe biznesmenë, të cilët ishin lënë jashtë hetimit nga Prokuroria Fier. Me kalimin e dosjes në duart e SPAK asnjëri prej tyre vështirë se do t’i shpëtojë përballjes me drejtësisë për vjedhjen e pasurisë publike dhe kthimin e plaçkës së vjedhur.
Në gropën 6 miliardë euro të vjedhjes së pasurisë publike nga Bankers kanë dalë zbuluar oligarkë nafte, biznesmenë, ish ministra, ish deputetë, ish drejtorë, avokatë, noterë, ekonomistë etj., ku secili ka futur në xhep shuma parash përmes sistemit bankar me vlerë nga qindra mijëra euro deri në dhjetëra milionë euro.