Teksa presidenti Bajram Begaj dekretori 9 nëntorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore, opozita nuk ka ende kandidatë, teksa mbetet e përçarë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, deputeti i PL, Tedi Blushi u shpreh se kjo forcë politike nuk ka emër të saj për kandidat për Tiranën. Blushi shtoi se PL do mbështesë kandidatin zyrtar të PD.
Ndërsa deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi theksoi se nuk do të ketë bashkëpunim me kreun e PD, Sali Berisha.
“Jo, nuk kemi propozuar asnjë emër. Ne do të mbështesim kandidatin që do të propozohet zyrtarisht nga PD. Ky është vendimi që ne kemi marrë. Nuk kemi asnjë emër, por i qëndrojmë kritereve të cilat ne i kemi bërë publike. Këta janë kundër dialogut në vetvete si parim. Ky ka hall pse takohet Agroni me Berishën. Realisht e kemi përjashtuar, është e qartë retorika.” – u shpreh Tedi Blushi.
Ndërkohë Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë, tha:
“Nuk ndonjë çudi të madhe fakti që shkuan dhe u ulën në një tryezë me PD. Agron Shehaj tek PD u fut si deputet, pastaj doli nga PD, me pretendimin e autokracisë. Tani shkon dhe thotë votoni kandidatin që do i shërbejë PD. Po njësoj edhe Adriatik Lapaj, para se të angazhohej me politikën, ishte te çadra e lirisë së Lulzim Bashës. Distancimi ynë nga subjektet e reja politike në zgjedhjet e 11 majit, rezultoi të ishte lëvizja e duhur. Me zotin Shehaj nuk kemi asnjë qasje politike. Me zotin Lapaj nuk e dimë çfarë qasje ka ai. Ata janë ulur me Sali Berishën, të paktën Lapaj dhe Shabani e ka cilësuar si përfaqësues i politikës së vjetër. Sigurisht që nuk na ka rënë dhe ne as nuk do e marrim. I përjashtuam ne ata. Partia e Lirisë është një parti që ka bërë zig zage për të kapur pushtetin. Ne e kemi refuzuar totalisht bashkëpunimin me PD, Sali Berishën.”