SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar sot një aksion në qytetin e Durrësit. Në fokus është një grup kriminal me veprimtari tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Janë lëshuar 9 masa sigurie. Deri më tani të arrestuar janë Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume si dhe vëllai i ‘Rrumit të Shijakut’ alias Aleksandër Laho, Vullnet Muça.

(Enea Kume)
Enea Kume është arrestuar mbrëmjen e djeshme, 1 tetor, në qytetin e Durrësit.
Masë sigurie ka edhe për “Rrumin e Shijakut”. Në shtëpinë e të cilit janë ushtruar kontrolle, por nuk është gjetur në banesë.

Masë sigurie ka edhe për për Astrit Avdylajn, kreu i bandës së Shijakut. Ai aktualisht ndodhet në burg, i arrestuar për operacionin “Revanshi”.

Pjesë e grupit është edhe Edlira Avdyli, ndaj të cilës është caktuar masa e ‘ndalimit për të dalë jashtë vendit’. Zonja është pjesë e grupit të Avdylajve.
Gjithashtu i arrestuar është dhe Vlashi Draçi i dyshuar si pjesë e skemës kriminale të tjetërsimit të pronave.
MASAT E SPAK
Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si Rrumi, akuza për tjetërsim pronash grup kriminal (ndodhet në kërkim)
I arrestuar:
Vullnet Muça, vëllai i Rrumit
Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume
Vlash Draçi
Të akuzuar për vrasje
Astrit Avdyli akuzë për vrasje e grup kriminal. (Ndodhet në burg për krime të tjera)
Aldo Avdyli, vrasje grup kriminal, i cili është në kërkim.
Edlira Avdyli, masë ndalim për të dalë jashtë vendit.
Kush është Aleksandër Laho?
Aleksandër Laho alias Pëllumbi Muharremi ose i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’ është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.
Ndërkohë, Aleksandër Laho është dënuar dhe më 23 korrik nga Apeli i GJKKO-së me 3 vite burg lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, fajtor për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
I vëllai në pranga me urdhër të SPAK, deputeti i PS: Secili mban përgjegjësi për jetën e vet
Deputeti i Partisë Socialiste Loer Kume ka qenë sot live në një intervistë televizive kur në media u bë publik lajmi për arrestimin e vëllait të tij, Enea Kume i akuzuar për tjetërsim pronash tek Gjiri i Lalzit.

Loer Kume ka bërë të ditur se i vëllai është arrestuar mbrëmjen e djeshme dhe se për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, ai do të konsiderohet i pafajshëm. Ndër të tjera, deputeti i PS-së tha se në fund secili mban vetë përgjegjësi për jetën e vet dhe vendimet që merr.
“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe”, u shpreh deputeti Loer Kume.