Jorida Tabaku i ka shpresat tek lufta e brendshme: Veliaj mund të kthehet në pentito

Politikë

Publikuar: 30/09/2025

Jorida Tabaku i ka shpresat tek lufta e brendshme: Veliaj mund të kthehet në pentito

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku foli për çështjen politike më të diskutuar të momentit, vakanca për bashkinë Tiranë.

“Procesi ndaj Erion Veliajt reflekton kapjen e pushtetit dhe arrogancën totale. Votimi unanim i këshilltarëve socialistë që deri dje e kishin mbrojtur, tregon që sot nuk kemi më mekanizma kontrolli dhe balanca”, tha fillimisht demokratja.

Ajo shprehu rezerva për rolin e presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në këtë çështje.

“Shpresoi që Presidenti të ngrihet në lartësinë e detyrës. Unë besoj tek institucionet dhe vendimet e tyre, por në këtë rast Presidenti është i kushtëzuar nga një njoftim që Gjykata Kushtetuese ka bërë. Presidenti s’mund të dekretojë një datë për Tiranën, për shkak të ankimimit i cili e pezullon shkarkimin”, sqaroi ajo.

Këtë rast e cilësoi unik, “ekzemplar” dhe madje sfidë për kreun e shtetit shqiptar.

Po a janë gati demokratët për të shkuar në këto zgjedhje?

“Është një vendim që do të merret kur të mblidhen strukturat. Një proces ka nisur për seleksionimin e kandidatëve, sigurisht do ketë vendime politike”, u përgjigj Tabaku.

“Se çfarë do bëjë Partia Demokratike, do e vendosin forumet!”, shtoi ajo.

E pyetur se çfarë ka ndodhur mes Ramës dhe Veliajt, Tabaku tha:

“Fakti që ka shkuar (Veliaj) në Kushtetuese, i hap rrugë dhe një procesi që shpresoj shumë që Veliaj të kthehet edhe në të penduar të drejtësisë”.

“Rrëzimin” e Veliajt e krahasoi me atë të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Më tej, Tabaku tha se opozita e ka potencialin për të fituar në këto zgjedhje të parakohshme për kryeqytetin.

“Për kandidatin që kanë, sistemin që është ngritur, por edhe se njerëzit kanë nevojë për shpresë. I njëjti sistem, e njëjta fytyrë”, shpjegoi Tabaku.

Thënë kjo, a mund të jetë ajo vetë pjesë e kësaj gare të ethshme?

“S’kam asnjë diskutim të tillë, forumet do të mblidhen. Unë kam qenë në bashkinë e Tiranës, një eksperiencë që i rri të shkuarës për mua”, u përgjigj deputetja.