Doktori i Albpetrolit Eltar Deda aferë 4.2 milionë euro me Renido Petritajn e Rafin Comany, skema e vjedhjes së parave publike, qeveria i njoroi KLSH-në për shkarkimin e ‘ilaçit’ të naftës

Investigim

Publikuar: 29/09/2025

Doktori i Albpetrolit Eltar Deda aferë 4.2 milionë euro me Renido Petritajn e Rafin Comany, skema e vjedhjes së parave publike, qeveria i njoroi KLSH-në për shkarkimin e ‘ilaçit’ të naftës

Gjatë pesë viteve të fundit, rreth 24.5 milionë euro kanë dalë nga arka e shtetit, duke kaluar në llogaritë e dy kompanive në pronësi të biznesmenit Renido Petritajt, në zbatim të kontratave për punë publike, në shumë raste abuzive. 24 milionë euro kanë kaluar në llogaritë e kompanisë së ndërtimit Rafin Company dhe rreth 500 mijë në llogaritë e kompanisë tjetër General Trading.

Kompania e ndërtimit Rafin Company është themeluar 10 vite më parë nga 35-vjeçari nga Skrapari, Renido Petritaj, fillimisht me emrin 2F Construction, me kapital 100 lekë.

Pas themelimit, Petritaj e pezulloi kompaninë, duke e aktivizuar në vitin 2016. Nga viti 2016 deri më sot, kompania Rafin Company ka marrë në bashkëpunim tendera me vlerë rreth 55 milionë euro. Suksesi i kompanisë është reflektuar edhe me kurbanë dhe bankete.

Rafin Company rezulton një kompani reale, derivat i kompanisë Shtator 90 shpk, me punonjës dhe asete, por tenderat i ka marrë kryesisht me pazar në tavolinë, me fond limit gati sa ofertat fituese, në shumë raste me dokumente false, duke korruptuar një rreth funksionarësh publikë.

Aferë korruptive me Eltar Dedën e Albpetrol

Në shtator 2024, drejtori i Albpetrolit, Eltar Deda, i njohur edhe se ‘doktori i naftës’, ka firmosur një tender të dyshimtë me vlerë 4.2 milionë euro për Renido Petritajn të Rafin Company. Tenderi dyshohet se është një sajesë për vjedhjen dhe ndarjen e parave publike sipas roleve.

Së pari, objekti i tenderit nuk ka lidhje me fushën e veprimtarisë së kompanive fituese. Kompanitë fituese nuk kanë eksperiencë në punë të ngjashme.

Së dyti, kompanitë fituese janë paracaktuar. Në procedurë ka marrë pjesë vetëm bashkimi i dy kompanive fituese.

Së treti, fondi limit është sa oferta fituese, pasojë kjo e diktimit të fituesit me pazar në tavolinë.

Së katërti, kompania e Renido Petritajt dhe kompania tjetër Pifarbi e aktivistit të PD-së Kristo Xhimo sipas një sinjalizimi kanë mashtruar me zbatimin e kontratës.

Së pesti, sipas sinjalizimit mashtrimi me zbatimin e kontratës po realizohet me qëllim vjedhjen e parave publike në bashkëpunim Natasha Myrtajn e kompanisë ARENA MK, e kontraktuar nga ‘doktori’ i Albpetrol për të mbikqyrur punimet.

Së gjashti, paratë po kalojnë për shërbime fiktive në llogaritë e të ashtuquajturve biznesmenë Kristo Xhimo dhe Renido Petritajt, duke devijuar më pas në xhepat e korrupsionit.

Së shtati, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar shkarkimin e Eltar Dedës nga detyra si drejtor i Albpetrol, për abuzime dhe shpërdorime me vlerë qindra milionë euro, për afera me tendera, deri tek mbulimi i shpenzimeve për energjinë elektrike të kompanive të shfrytëzimit të naftës.

Rekomandimi i KLSH për shkarkimin e Eltar Dedës dhe për të ndalur batërdinë financiare në Albpetrol u injorua nga qeveria. Në vend të qeverisë, rekomandimet e KLSH-së po i ‘zbaton’ SPAK-u, i cili po merr të pandehur një nga një drejtorët dhe kryebashkiakët e denoncuar për afera me tendera.

Një tender me flamur të kuq korrupsioni, me vlerë 2.1 milionë euro, për Renido Petritajn, e ka firmosur edhe administratori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Arlind Broci, djali i ish gjyqtarit biznesmen, Artan Broci. Tenderi është paracaktuar për Rafin Company për ndërhyrjen e një sekseri me njohje me Brocin, në këmbim të 30 % të fondit limit.

Një tender me vlerë rreth 5 milionë euro, Renido Petritaj e ka marrë nga Bashkia Tiranë, për pedonalen e Farkës, duke mashtruar me cilësinë e punimeve dhe vjedhur paratë publike. Me Bashkinë e Tiranës, e goditur sa nga SPAK sa nga Edi Rama, Petritaj ka linjën kryesore të korrupsionit, ku si sekser është një zyrtar i bashkisë.

Bashkëpunëtorët

Ortakët në tenderat e përbashkët të Renido Petritajt janë Raship Çelo, Zani Zoga, Odhise dhe Pëllumb Beta, Xhetan Ndregjoni, Bashkim dhe Shkëlqim Dulla, Dashnor Sinanaj, Eral Myftaraj, Dashnor, Shpëtim dhe Ardit Liçaj, Jemin Toto, Arben Çela, Kristo Xhimo etj.

Linja tjetër

Në vitin 2022, Renido Petritaj themelon dhe kalon në emrin e tij edhe kompaninë General Trading, me objekt tregtimin e artikujve të ndryshëm.

Kompania ka fituar rreth 2 milionë euro tendera publikë në bashkëpunim, por në llogaritë e saj kanë kaluar rreth 500 mijë euro. Kompania operon me të njëjtat linja klienteliste si Rafin Company.

Terreni për dy kompanitë besohet se është krijuar nga kompania Shtator 90 shpk, themeluar nga Nefir Petritaj, babai i biznesmenit Renido Petritaj.

Edhe pse me kapital modest, Shtator 90 shpk është një kompani reale dhe me historik në fushën e ndërtimit. Në vitin 2021, ka marrë një leje nga Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e një pallati me 7 kate.