Deklaratat/ Parlamenti sërish debate mes opozitës dhe mazhorancës për rregulloren e re

Politikë

Publikuar: 29/09/2025

Deklaratat/ Parlamenti sërish debate mes opozitës dhe mazhorancës për rregulloren e re

Parlamenti ka nisur me debate që në nisje në lidhje me rregulloren e re të Kuvendit që është miratuar në seancat e kaluara.

Deputetë të opozitës kërkojnë debat dhe shprehen se nuk kanë në dispozicion rregulloren e re të Parlamentit.

Ndërkohë, kryeparlamentari Niko Peleshi u kundërpërgjigj duke thënë se rregullorja e re u është shpërndarë deputetëve si dhe gjendet në faqen online të Parlamentit.

Deputetja e PD-së Ina Zhupa ka ‘protestuar’ në hapje të seancës dhe ka kërkuar vijim e diskutimeve të bëra në seancën e kryetarëve. Ndër të tjera, ajo kërkoi që parlamenti të hidhte për diskutim raportin e DASH mbi klimën ekonomike në Shqipëri, por sipas saj, PS e refuzon pasi aty flitet për korrupsion dhe krim.

“Parlamentit i shkon te diskutojnë për problematikat e qytetarëve dhe jo të mblidhet dhe të bëjmë noterin e atyre qe vendosni ju atje. Sollët 19 projektligje në një ditë për t’i miratuar.

Prioriteti i këtij kuvendit nuk mund të jetë thjeshtë kartoni për të kaluar një procedurë për 5 minuta. Duhet të jetë demokracia transparenca dhe bërja e interesit publik. Këto kanë munguar dhe do të mungojnë. Del DASH dhe ky Kuvend nuk e diskuton se aty flitet për korrupsion dhe krim”, tha Ina Zhupa.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, në fjalën e tij në Parlament, i është ankuar kryeparlamentarit Niko Peleshi që t’i vendosë në dispozicion rregulloren e re të Kuvendit.

“Kam bërë një kërkesë seancën e kaluar për rregulloren. E keni detyrim të na e vendosni në dispozicion. Neni 78 pika 2 e Kushtetutës i bën të pavlefshme të gjithë mbledhjet pikërisht se ju nuk na i keni vënë në dispozicion… Kjo kërkesë e jona nuk është kërkesë për të shtyrë seancën. Ne vijmë në seancë, ndërkohë që ne nuk dimë çfarë kemi ndryshuar në rregullore. A mund të quhet një seancë e zhvilluar normalisht”?

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi është shprehur se rregullorja e re është shpërndarë, si dhe gjendet online në faqen e Parlamentit. Megjithatë, Peleshi u kërkoi shërbimeve të Kuvendit që të shpërndajnë rregulloren e re nëse ndonjë deputet nuk e ka marrë.

“Padyshim që është e drejta e çdo deputeti të ketë aktet, por rregullorja e re më konfirmojnë nga shërbimet e Kuvendit që ju është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe për tepër është dhe në faqen e kuvendit. Të gjithë e kanë marrë”, u shpreh kryeparlamentari Niko Peleshi.

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se po shkel rregulloren e Kuvendit.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku tha se komisioni parlamentar për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura, është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit.

“Grupi Parlament i PD ka kërkuar një mocion për kryetarin e Parlamentin dhe një mocion me debat për programin e qeverisë dhe një interpelancë për programin e qeverisë për integrimin në BE.

Mendoj që duhet të fokusohemi tek kërkesat që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve..

Ne e patëm një debat në Konferencën e Kryetarëve për përgjegjësinë e Komisioneve Parlamentare. Komisioni për Monitorimin e Institucioneve të Pavarura është antikushtetues dhe në shkelje të rregullores së Kuvendit. Ka vetëm një Komision përgjegjës, ashtu si e thotë rregullorja në nen 37 dhe 38, Komisioni Përgjegjës, mban përgjegjësi për raportimin e institucioneve. Nuk ka komisione parlamentare të rëndësi së parë dhe të dytë, të gjithë kanë të njëjtën rëndësi”, tha Tabaku.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ka tërhequr vëmendjen deputetëve të opozitës që të respektojnë rregulloren e kuvendit.

Balla tha fjala për procedurë merret pas miratimit të procesverbalit dhe pas prezantimit të rëndit të ditës. Ndërsa thumboi edhe Jorida Tabukun, për të cilën tha se nuk iu durua dot për çështjet që u diskutuan në Konferencën e Kryetarëve.

“Në seancën e kaluar kam kërkuar, kam marrë fjalën ku në bazuar që në procesverbal kam kërkuar respektimin e rregullores.  Kam cituar se seanca plenare fillon me votimin e procesverbalit të seancës së kaluar. Kemi mbi 20 minuta që dëgjojmë diskutantë që nuk kanë thënë asnjë fjalë për fjalën e tyre në seancën e shkuar. Dhe për herë të parë në kaq vite, ka precedentë që nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk ka pasur diskutime në pikë të rendit të ditës.

Fjala për procedurë merret pas miratimit të procesverbalit dhe pas prezantimit të rëndit të ditës një për një. Ne kemi pasur një diskutim frutdhënës në Konferencën e Kryetarëve, dhe dëgjova këtu një deputete që iu referua kësaj çështje, por nuk iu durua dot të kalonim tek kjo çështje dhe e mori fjalën për procesverbal. Tani pak durim, se për atë pikë janë të autorizuar krerët e grupeve parlamentare”, tha Balla në Kuvend.