Përgjimet / “I rregullova të katërt”, mesazhi në Sky i Aurel Hoxhës pas vrasjes së Klevis Lleshit, 5 eliminime për vëllain që i vrau Arben Lleshi, festoi hakmarrjen në Dubai

Krim & Korrupsion

Publikuar: 28/09/2025

Përgjimet / “I rregullova të katërt”, mesazhi në Sky i Aurel Hoxhës pas vrasjes së Klevis Lleshit, 5 eliminime për vëllain që i vrau Arben Lleshi, festoi hakmarrjen në Dubai

Sabah Nuzi është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme, pasi dyshohet si ekzekutor i Klevis Lleshit në vitin 2020, kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.

Gjatë seancës gjyqësore me dyer të mbyllura, Nuzi ka mohuar përfshirjen në vrasje. Avokati i tij, Elton Hysenaj, ka kërkuar pavlefshmërinë e komunikimeve të përgjuara përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, mbi të cilat është ngritur një pjesë e madhe e provave të SPAK.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Klevis Lleshit është kryer për llogari të Aurel Hoxhës, i njohur edhe me nofkën “Kolaveri”, në kuadër të një hakmarrjeje të përgjakshme pas vrasjes së vëllait të tij, Agim Hoxha, nga Arben Lleshi në Britaninë e Madhe.

Nga komunikimet në Sky ECC, Aurel Hoxha shprehet në një moment se “i rregullova të 4-ërt”, ç’ka sipas prokurorisë i referohet katër viktimave nga familja Lleshi: Xhavit Lleshi, Hajredin Lleshi, Artan Lleshi (i zhdukur) dhe së fundmi, Klevis Lleshi.

Ndërkohë, Samet Loka, i identifikuar si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Hoxha, është lënë në arrest shtëpie, pasi dyshohet për pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Aurel Hoxha vijon të jetë në arrati, ndërsa Sajmir Kolaveri, i dyshuar si ndërmjetësi mes tij dhe autorit të vrasjes, është arrestuar në Itali dhe pritet ekstradimi drejt Shqipërisë.

SPAK po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të katër vrasjeve të tjera të lidhura me familjen Lleshi, përfshirë edhe atë të Arben Lleshit, i vrarë brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin, ku vuante dënimin për vrasjen e Agim Hoxhës në Britani. Aurel Hoxha dyshohet gjithashtu për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash në disa shtete.

Vrasjet, bilanci

Nipi (djali i vëllait) i Xhavit dhe Hajredin Lleshit, Arben Lleshi, në vitin 2012 rrëmbeu, vrau dhe dogji Agim Hoxhën në Angli. Arben Lleshi ishte nga fshati Rukaj i Burrelit, ndërsa Agim Hoxha nga fshati Shqefën po i Burrelit, por me banim në Mamurras.

(Arben Lleshi dhe Agim Hoxha)

Nuk dihet me saktësi se pse Arben Lleshi e kreu krimin e rëndë. Arben Lleshi u dënua me burgim të përjetshëm dhe u ekstradua në Shqipëri. Aurel Hoxha, vëllai i Agim Hoxhës, u betua për hakmmarrje.

(Aurel Hoxha)

Të parin piketoi Xhavit Lleshin, xhaxhain e Arben Lleshit, për të cilin ka dyshuar se kishte pasur komunikim me Arben Lleshin. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013. Më herët, në të njëjtin vend, Pujkë, Xhavit Lleshit, i bënë atentat, ku u plagos rëndë. Xhavit Lleshi nuk mori masa, por nisi të shkonte sërish në fshati i tij Rukaj në Burrel. Disa muaj më pas atentati i dytë i mori jetën, në të njëjtin vend ku ishte plagosur.

(Xhavit Lleshi, i vrarë në 2013, babai i Klevis Lleshit, i vrarë në 2020)

Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi, xhaxhai i Arben Lleshit. Hajredini u ekzekutua në fshatin e lindjes në Rukaj të Burrelit, para derës së shtëpisë. Vrasësi i thirri në emër. Sapo Hajredini doli në derë, u qëllua me automatik.

Në nëntor të vitit 2017 u rrëmbye dhe u zhuk Artan Lleshi, kushëriri tjetër i Arben Lleshit, rrjedhimisht edhe i Klevis Lleshit. Artan Lleshi u nxorr në pritë nga shoku i vet Mario Murati, i cili dyshohet se është paguar nga Aurel Hoxha.

(Artan Lleshi, i zhkukur)

Në vitin 2020, Aurel Hoxha, piketon për të eliminuar 24-vjeçarin Klevis Lleshi, djali i Xhavit Lleshit. Klevis Lleshi nxirret në pritë, rrëmbehet, ekzekutohet dhe groposet në një fshat të Kurbinit.

(Viktima Klevi Lleshi, 24 vjeç)

Pas zhdukjes, mamaja e Klevis Lleshit, Fatbardha Lleshi ka deklaruar në media; Djali im ka dalë në orën 1 nga shtëpia, është nisur e ka pirë një kafe tek lokali me shoqërinë e vet. Në orën 3, djali ka humbur çdo lidhje dhe çdo kontakt dhe telefoni është fikur, është zhdukur në rrethana misterioze. Unë dyshoj që djali im është marrë nga shoqëria e vet dhe është dorëzuar tek dora e hasmit. Ne kemi hasëm Ali Hoxhën nga Shtjefni dhe me banim në Mamurras. Ne jemi në hasmëri për arsye se djali i kunatit tim që unë nuk kam asnjë lloj lidhje me djalin e kunatit prej 12 vjetësh që ishte në Angli, dyshohet se ka vrarë djalin e Ali Hoxhës. A e ka vrarë a s’e ka vrarë ne nuk kemi asnjë lloj lidhje me të sepse prej 12 vitesh ne edhe në telefon nuk na ka marrë, njëherë vetëm më ka pyetur sesi je. Policia asnjëherë nuk më ka kërkuar, e kam kërkuar vetë policinë. Kam ndenjur edhe 2 orë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë së Burrelit dhe jam futur me zor brenda për të kërkuar djalin tim që më është djerr një fëmijë 20 vjeç në mes të ditës në mes të Burrelit. Kam pritur 8 ditë dhe nuk kam marr përgjigje nga policia dhe gjykata e Burrelit, kam ardhur në Tiranë dhe kam kërkuar takim me ministrin Lleshaj. Qysh në vitin 2013 është vrarë burri im, në 2017 është vrarë kunati, 6 muaj mbrapa është zhdukur djali i kunatit, 40 vjeç dhe më i fundit djali im 20 vjeç më 5 gusht. Për 6 vjet 2 persona janë të vrarë dhe 2 të zhdukur. Nga shteti shqiptar nuk kemi marr asnjë lloj përgjigje, asnjë i arrestuar dhe asnjë i dyshuar. Arsyeja është hasmëria. Ne deri në atë kohë as nuk na kanë vrarë, kemi jetuar dhe punuar, nuk kam pas asnjë të keqe. Kalvari i këtyre punëve fillon atë ditë që jemi bërë hasëm me Ali Hoxhën”.

(Fatbardha Lleshi)

Ndërkohë Aurel Hoxha kishte nisur lëvizjet për të vrarë në burg, Arben Lleshin, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e vëllait të Aurelit, Agim Hoxha. Atë që nuk kishin arritur kokat e grupeve më të fuqishme kriminale në Shqipëri, Aurel Hoxha e realizoi në 15 dhjetor të vitit 2023. Dyshohet se Aurel Hoxha, përmes personave të tjerë, kontraktoi Sokol Mjacaj, i dënuar me burg përjetë, i cili vrau Arben Lleshin brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

(Sokol Mjacaj dhe Arben Lleshi)

Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi i Arben Lleshit ka kushtuar qindra milionë euro. Ekzekutimi konfirmoi edhe rënien e sigurisë në burgje dhe inkriminimin e strukturave shtetërore.

Pas vrasjes së Arben Lleshit, Aurel Hoxha thuhet se ka organizuar një festë të madhe në Dubai, duke përmbyllur hakmarrjen më të pazakontë për vrasjen e vëllait. Nga ana tjetër, askush nuk u interesua për të tërhequr trupin e Arben Lleshit. Ai u kishte sjellë kaq shumë vuajte jo vetëm familjes Hoxha, por edhe familjes Lleshi. Arben Lleshi u varros nga bashkia pas 1 viti.