Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Sabah Nuzi, i akuzuar si vrasësi i 22-vjeçarit Klevis Lleshi, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020.
Referuar hetimeve të SPAK, Sabah Nuzi u pagua 50 mijë euro nga porositësi Aurel Hoxha alias Aurelinjo Kalaveri. Ky i fundit dyshohet se urdhëroi vrasjen e 22-vjeçarit pjesë e sagës së hakmarrjes ndaj familjes Lleshi për vrasjes e të vëllait Agim Hoxha në Angli në vitin 2012 nga Arben Lleshi, kushëriri i Klevis Lleshit.
Burime për gazetaren e Report TV, Keti Banushi, bëjnë me dije se Sabah Nuzi nuk e ka pranuar akuzën në gjykatë.
Ndërkohë GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe për Samet Lokun, i arrestuar po ditën e djeshme. Loku nuk akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Klevis Lleshit, por si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, me aktivitet në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të pastrimit të parave.
Ky grup i strukturuar kriminal pastronte paratë që vinin nga trafiku i drogës nga vendet e Amerikës së Jugut në BE dhe Shqipëri. Këto para thotë SPAK, investoheshin në vendin tonë dhe jashtë saj.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, pikërisht me fuqinë e këtyre parave të ardhura nga bota e drogës, Aurel Hoxha ka paguar për vrasjen e të afërmit të hasmit të tij. SPAK thotë se ky grup kriminal i pastrimit të parave të drogës, ka në përbërje edhe persona të tjerë për të cilët po punohet të identifikohen.
Aurel Hoxha rezulton të jetë pronar i lokal “Monopol” dhe i agjencisë turistike “Elite Event”, të dyja me vendndodhje në zonën e “Myslym Shyrit”, ndërsa është shpallur në kërkim. Gjithashtu pas Sabah Nuzit dhe Samet Logës, dje u arrestua dhe Sajmir Kolaveri, i cili u kap në Itali.
Ky i fundit akuzohet nga SPAK si ndihmës dhe ndërmjetës mes porositësit Aurel Hoxha dhe vrasësit me pagesë Sabah Nuzit, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë. Vrasja e Klevis Lleshit u zbardh ditën e djeshme nga SPAK pas zbërthimit të bisedave të shkëmbyera në programin SKy Ecc.
Akuzat që rëndojnë ndaj tyre
Sabah Nuzi – Vrasje për gjakmarrje, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, Fshehja ose asgjesimi i kufomës, Grupi i strukturuar kriminal, Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.
Samet Loka – Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, Grupi i strukturuar kriminal, Grupi i strukturuar kriminal, Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale
( Shqiptarja.com)