Vrasja e Klevis Lleshit, të riut nga Burreli që u zhduk në vitin 2020 dhe u gjet i groposur dy vite më vonë në një fshat të Kurbinit, është zbardhur pas pesë vitesh nga SPAK. Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 4 urdhër arreste, njëri prej të cilëve është ekzekutuar.
Tre të tjerët janë në kërkim. Dyshohet se porositësi i vrasjes ka qenë Aurel Hoxha, pronar i lokal “Monopol”, i cili ndodhet në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Vrasja është zbardhur nga transkriptimet e SkyEcc. Porositja nga Aurel Hoxha dyshohet hakmarrja për vrasjen e të vëllait Agim Hoxha në vitin 2012.
Policia dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle rreth orës 04:00 në subjektin e tij në Myslym Shyri, por edhe në disa qytete të tjera.
Pritet një reagim zyrtar nga ana e SPAK për të zbardhur rolin e personave, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër arresti.
Klevis Lleshi, i riu nga Burreli, u zhduk në gusht të vitit 2020, pa lënë asnjë gjurmë. Vetëm në shkurt të vitit 2023 hetuesit arritën të hedhin gjurmë mbi zhdukjen e tij.
Ishin banorët e fshatit Shpërdhet të Kurbinit që gjetën mbetjet kockore të të riut dhe pas ekzaminimeve të kryera nga Instituti i Policisë Shkencore, me anë të ADN-së u vërtetua që kemi të bëjmë me Klevis Lleshin.
Aurel Hoxha, saga e hakmarrjes
Aurel Hoxha ka marrë hak për vrasjen e të vëllait të tij në vitin 2012, por duke vrarë njerëz të pafajshëm. I vetmi faji i tyre ishte se ishin të afërm të Arben Lleshit.
Saga e hakmarrjes mes fisit Lleshi dhe Hoxha ka nisur në vitin 2012, kur Agim Hoxha, vëllai i Aurel Hoxhës, u ekzekutua nga Arben Lleshi.
Ishte 10 prilli i vitit 2012 kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën dhe trupin ia dogji në makinë. Për këtë vrasje, ai ishte dënuar me burg përjetë, dënim që e vuante në burgun e Peqinit.
Që nga kjo vrasje, fisi Hoxha nuk ka hequr dorë nga hasmëria dhe një sërë ngjarjesh kriminale janë pasuar, duke i marrë jetën 4 anëtarëve të fisit Lleshi, Arben Lleshit, Xhavit Lleshi, Hajredin Lleshi dhe Klevis Lleshi.
I pari që u ekzekutua për hasmëri ishte Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Ai u vra më 30 tetor të vitit 2013.
Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi. Xhaxhai i Klevis Lleshit u ekzekutua në fshatin e lindjes në Burrel.
Më pas, në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e vetë Klevis Lleshit.
Pas vrasjes, trupin e tij e zhdukën në fshatit Shpërdhet të Kurbinit, ndërsa eshtrat u gjetën vetëm rreth 2 vite e gjysmë më vonë nga banorë të zonës.
Saga e frikshme e hakmarrjes nuk përfundoi këtu. Kësaj radhe shënjestër e ekzekutimeve nga fisi Hoxha do të ishte vetë Arben Lleshi, i cili vrau Agim Hoxhën në 2012.
Pikërisht për këtë vrasje Arben Lleshi po vuante dëbimin me burgim të përjetshëm, kur në vitin 2023 dyshohet se u vra në vazhdë të kësaj hakmarrjes.
Ishte i dënuar me burg përjetë, Sokol Mjacaj i cili e ekzekutoi brenda në qeli, ndërsa mbeti i plagosur i dënuar tjetër përjetë Indrit Shaqja.