Ish drejtoresha e Tatimeve gjatë mandatit të parë të Rilindjes, Brisida Shehaj, e njohur si Bleta e Tatimeve, spikat me zellin e saj në denoncimin e korrupsionit qeveritar në banakun e televizionit të Berishës. Pas një sezoni veror intensiv dhe konsultativ me Belind Këlliçin, i njohur si Belo Ezmeri, Brisi i Tatimeve hapi edhe sezonin politik në TV Zeni, në fillim të muajt shtator, ku duke u futur live në studio nga dhoma e hotelit me shumë yje, e sakatoi qeverinë, me prognoza dhe diagnoza për çdo çështje, aferë dhe lëvizje në kampin e pushtetit.




Po ku qëndron problemi që një ish zyrtare e pushtetit të mjaltë të Rilindjes, që kaloi tek LSI dhe mandej në kosheren e SHQUP-it, denoncon korrupsionin qeveritar?
Problemi qëndron që opinioni publik duhet t’a dijë të vërtetën e plotë. Dhe e vërteta është që Brisida Shehaj dhe familjarët e saj, vëllai, mamaja, babai, kunata etj., kanë mbajtur poste kyçe, kryesisht gjatë pushtetit socialist, duke u përfshirë në afera korruptive dhe koncensione grabiqare. Paratë produkt i aferave me pasurinë publike dyshohet se i kanë qarkulluar përmes një karteli kompanish, në pronësi të familjarë të Bletës, por edhe të bandillëve të saj, me faturime fiktive, duke i pastruar më pas në pasuri të paluajtshme.


Nga rrjeti i nipteve të identifikuara, dy prej tyre figurojnë në emrin e vëllait të Brisida Shehaj, Ervin Shehaj, ish drejtor i Drejtorisë së Energjive të Rinovueshme në Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), një agjenci që ka bërë kërdinë me pasurinë natyrore të Shqipërisë.

(Vëllai i Belind Këlliçit, Brisida Shehaj dhe vëllai i saj Ervin Shehaj)
Sa para ka qarkulluar vëllai i Brisida Shehajt, Ervin Shehaj, ish drejtor në AKBN, përmes këtyre dy kompanive?
Nga burojnë paratë? Me çfarë shërbimi janë justifikuar? Janë faturime fiktive apo reale? Cilët janë subjektet e faturuara? A janë favorizuar këto subjekte nga vëlla e motër gjatë ushtrimit të funksioneve publike?
Përmes kartelit të nipteve, në emër të familjarëve dhe bandillëve, Brisida Shehaj dyshohet se qarkullon edhe ‘nektarin e gjobave’ që ka mbledhur në bashkëpunim me Belind Këlliçin në kosheren e SHQUP-it.

(Belind Këlliçi dhe Brisida Shehaj gjatë verës)
Edi Rama i besoi disa poste të rëndësishme Brisida Shehajt, duke e lënë më pas të lirë bletën e tij, për të vazhduar karrierën opozitare. Bleta kaloi tek LSI-ja, një emblemë e ndryshkur korrupsioni. Në gusht të vitit 2022, Ilir Meta caktoi Brisida Shehajn kordinatore kombëtare e luftës kundër korrupsionit në LSI. Në dhjetor 2022, Monika Kryemadhi lëshoi një urdhër verbal që Bleta e Tatimeve të mos i afrohej godinës së LSI-së në perimetër sigurie prej 500 metrash.

Në fillim të vitit 2023, Brisida Shehaj iu bashkua shtabit të Belind Këlliçit, për të mundur Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës. Pas humbjes me 60 mijë vota, Belo dhe Brisi nisën një fushatë gjobëvënie nga një zyrë në SHQUP ndaj bizneseve dhe zyrtarëve publikë. Brisi mblidhte dhe shfrytëzonte informacionin për shkak të posteve që i kishte besuar Edi Rama, ndërsa Belo recitonte denoncimet shantazhuese në emër të opozitës.
Kështu, nën kamuflimin e denoncimit të korrupsionit, Brisi dhe Belo krijuan një ‘portofol’ të vetin dhe një linjë paralele gjobëvënie, duke rivalizuar linjën kryesore të Shkëlzenit. Grupi përbëhej nga Belo dhe Brisi në skenë, ndërsa në prapaskenë ka dyshime që dyshja asistohej vëllai i Brisit, Ervin Shehaj, i cili besohet se ka funksionuar edhe si ekonomist i gjobave, nëna Xhiko (mamaja e Brisit) me përvojë që nga qeveria Nano, vëllai i Belos, i njohur si këshilltari i ministrave të Ramës, një ish këshilltar i Ilir Metës etj.
Kosherja familjare në piramidën shtetërore
‘Mjalftin’ e pushtetit të Edi Ramës nuk e ka provuar vetëm Brisida Shehaj, e njohur si Belta e Tatimeve, por edhe familjarët e saj. Gjatë periudhës 2013-2019, Shehaj ka mbajtur katër poste të rëndësishme në qeverinë Rama, ndërsa mamaja, babai, vëllai, tezja dhe kushërinjtë kanë mbajtur gjithashtu pozicione kyçe. Ky rreth familjar është simbol nepotizimi dhe keqpërdorimi të pushtetit.
–Brisida Shehaj, drejtoreshë Tatimesh (2013-2016), zv/ministre Ekonomie (2017), drejtoreshë të Agjencisë Shtetërore të Investimeve (AIDA) 2017-2018, kryetare e Task-Forcës për Tokat e Bregdetit.
–Vëllai Ervin Shehaj, drejtor i Drejtorisë së Energjive të Rinovueshme në Agjencinë Kombëtare e Burimeve Natyrore (2013-2020).
–Mamaja, Xhiko Shehaj, ‘kompetente’ e Shërbimeve në Ministrinë e Energjetikës, drejtoreshë personeli dhe eskperte në kopsitjen e letrave të tjetërsimit të pasurive publike.
–Babai Ibrahim Shehaj, burokrat i vjetër i Bankës së Shqipërisë që i shpëtoi hetimit pas vjedhjes së thesarit në 2014.
–Kunata e Brisit, Shpresa Bello, ish drejtoreshë e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë.
–Besa Bello, kunata e vëllait, drejtoreshë në OSHEE.
–Tezja Zhaneta Canaj, drejtoreshë tek Posta.
–Kushëriri Gribos Liçaj, drejtor i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor.
500 mijë euro nga koncensioni i laboratorëve
Rreth 500 mijë euro ka përfituar kunata e Brisida Shehajt, Shpresa Bello, drejtoreshë në Ministrinë e Shëndetësisë, nga kompania Pegasus e koncensionit 130 milionë euro të laboratorëve, me përfitues në letra Jani Karathano. Paratë kanë shkuar fillimisht në llogarinë e Nazife Bellos, nëna e Shpresa Bellos.

Po pse Shpresa Bello përlau rreth 500 mijë euro vetëm përmes sistemit bankar nga Karathano i koncensionit të laboratorëve? A janë Brisi i Tatimeve dhe vëllai i saj aksionerë (të padeklaruar) të koncensionit? Pse Brisi, të cilën Ilir Meta dhe Berisha e caktuan pjesë e njësive të tyre anti-korrupsion, nuk flet kurrë për koncensionin e laboratorëve, certifikuar nga KLSH si korruptiv? A ka një prognozë Brisi për këtë koncension që po hetohet nga SPAK?
Pasuri qindra mijëra euro me burim të dyshimtë
Në emrin e Brisida Shehaj dhe familjarëve të saj rezultojnë pasuri me vlerë qindra mijëra nga Vlora deri në Tiranë. Edhe pse si të ardhura të ligjshme kanë deklaruar vetëm rrogat në institucionet publike, vlera e pasurisë së deklaruar dhe e kamufluar është dhjetëra herë më e lartë se sa të ardhurat e ligjshme.
A është kjo pasuri produkt i aferave korruptive në funksionet që kanë ushtruar? A janë pasuritë e paluajtshme produkt i favorizimit të bizeseve nga Tatimet, AKBN, i koncensionit të laboratorëve dhe koncensioneve të tjera të lidhura me Brisida Shehajn?

Ndonëse zyrtarisht e papunë prej vitesh, Brisida Shehaj posedon një Renge Rover luksoz me vlerë rreth 200 mijë euro. Shehaj është ndër të paktat ish zyrtare e papunë, e cila ka punësuar shofer. Nga buron gjithë ky luks i opozitares Shehaj? Përgjigja nuk i takon vetëm medias, por pikësëpari Krimit Ekonomik dhe SPAK-ut.