Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktori dhe regjisorit Enver Petrovci në moshën 71-vjeçare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se arti dhe kultura e kombit shqiptar janë në zi për shkak të vdekjes së një artisti të madh si Enver Petrovci.
Berisha thekson se Enver Petrovci me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme dhe gjeniun e tij krijues do të mbetet i gjallë përgjithmonë në trashëgiminë, veprën dhe kujtesën e kombit.
“Dielli perëndoi përgjithmonë për të pavdekshmin Enver Petrovci.
Të dashur miq, arti dhe kultura e kombit shqiptar janë në zi. Enver Petrovci, një kolos i skenës, regjisë së teatrit dhe filmit kombëtar por edhe ndërkombëtar, mbylli sytë përgjithmonë.
Artist, regjisor dhe skenarist i shquar, ndër më të mëdhenjtë e kombit, Enver Petrovci me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme dhe gjeniun e tij krijues mbetet i gjallë përgjithmonë në trashëgiminë, veprën dhe kujtesën e kombit.
Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve, lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Enver Petrovci të gjejë paqen e merituar. Amin”, shkruan Berish në Facebook.
Kush ishte ikona e kinematografisë
Enver Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Është një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimishtë studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Univerisitetin e Prishtinës. Pra, në vitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.