Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, duke dënuar me forcë atë që e cilësoi si “akt terrorist” ndaj deputetit demokrat Xhelal Mziu dhe duke akuzuar qeverinë për përfshirje të heshtur në këtë ngjarje.
“Së pari dua të dënoj me forcën më të madhe aktin terrorist ndaj deputetit të PD-së Xhelal Mziu dhe heshtjen mortore të autoriteteve, që dëshmon se qëndrojnë prapa tij,” deklaroi Berisha, duke shtuar se “asgjë nuk do të mposhtë qëndrimin e deputetëve të opozitës në betejën kundër narkoshtetit”.
Sipas Berishës, beteja e opozitës ka hyrë në një fazë të re, pasi tashmë kartelet e drogës në botë po trajtohen si organizata terroriste. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar një narkoshtet dhe është në qendër të një rrjeti ndërkombëtar të narkoterrorizmit.
“Edi Rama drejton organizatën e parë narkoterroriste në Europë. Shqipëria është kthyer në parajsën e pastrimit të parave të krimit ndërkombëtar. Kulla ndërtohen nga miliardat e drogës,” tha Berisha, duke përmendur emra konkretë si Diego Benitez, të cilin e cilësoi “kumbarin që menaxhon 14 klane shqiptare të trafikut të kokainës”.