Larje hesapesh në drejtësi / Lavatriçja e vettingut dhe procesi kushtetues “Ma fute t’a futa”. Njollat e një sistemi që u ka mbetur në dorë. Hakmarrje, qoka dhe intriga

Investigim

Publikuar: 22/09/2025

Larje hesapesh në drejtësi / Lavatriçja e vettingut dhe procesi kushtetues “Ma fute t’a futa”. Njollat e një sistemi që u ka mbetur në dorë. Hakmarrje, qoka dhe intriga

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka 9 anëtarë, ripërtërihet çdo vit dhe mbledhjet i zhvillon në ambientet e Gjykatës së Lartë. Ky organ i krijuar me ligj shorton përfaqësues të sistemit të drejtësisë për të qenë pjesë e tij. Shorti për KED – 2025 u ra këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve:
1.     Sokol Sadushi – Gjykata e Lartë
2.     Marjana Semini – Gjykata Kushtetuese
3.     Ilir Toska – Gjykata Kushtetuese
4.     Alma Muça – Prokuroria e Përgjithshme
5.     Fuat Vjerdha – Gjykata e Apelit
6.     Enkela Vlora – Gjykata e Apelit
7.     Irma Balli – Prokurore pranë Gjykatës së Apelit
8.     Etien Kapo – Prokuror pranë Gjykatës së Apelit
9.     Nafije Hasko – Gjykata Administrative

KED drejtohet nga përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë, pra për vitin 2025, nga Sokol Sadushi. KED i publikon njoftimet për zhvillimin e mbledhjeve të saj dhe rezultatet e mbledhjeve në një seksion të posaҫëm, gjithnjë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë. Si një “Diella” korrekte njoftimet për mbledhje dhe zhvillimin e tyre përmbajnë njoftime të ftohta, thuajse robotike, pa një përmbajtje të zgjeruar. Publiku merr rezultatet si në rastin e fundit për renditjen e kandidatëve për Gjyqtar Kushtetues.

Parlamenti është “kujdesur” që në nenin 233 të Ligjit nr. 115/2016, të shkruajë që për “transparencë”, mbledhjet e KED-së të jenë të mbyllura. Aty lejohet të marrin pjesë vetëm ndonjë përfaqësues nga Avokati i Popullit, Presidenti, Kryetari i Kuvendit dhe 2 anëtarë të Komisionit të Ligjeve, njëri prej të cilëve, i opozitës. Pra, publiku dhe media nuk lejohen të shohin se si përzgjidhen nga KED gjyqtarët më të lartë të këtij vendi, ashtu si ndodh në SHBA, kur seancat e pyetjes së tyre jepen live në TV. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Nuk lejohet të shihet si janë ata që pretendojnë të na gjykojnë në nivele të larta, si ato kushtetuese.

Si janë ata? Çfarë meritash kanë? Si flasin kur janë në një “konkurrim” si gjithë të tjerët? Si i përmbushin kriteret e vështira nëse do pyeteshin me stilin “Përparim Kabo”? Si e flasin gjuhën e huaj, meqë ajo është vendosur si kriter?

“Transparenca” bëhet në errësirë të plotë publike, ku në përfundim jepet vetëm rezultati, për të cilin komentohet me aq sa publiku ka dëgjuar hera-herës përmes mediave, ashtu si herën e fundit këto ditë. Dolën tre të parët pasi pikëzimi renditi pas tyre tre të fundit.

Për zgjedhjen e Gjyqtarit Kushtetues të radhës, KED ka zhvilluar nja 14 mbledhje të tipit “Diella”. Për një vend vakant, më në fund po përfundon procesi përzgjedhës. Në datë 16.09.2025, “Diella” e KED-së njoftoi se zhvilloi intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kaluan me sukses procesin “skarcues” me letra, si edhe dëgjoi prezantimin e kandidatëve lidhur me platformat e tyre. Në mbledhje kandidatët iu përgjigjen edhe pyetjeve të anëtarëve të KED-së.

Por, asnjë e dhënë nga mbledhja: p.sh. si e folën anglishten kushtetuese kandidatët Naureda Llagami, Florjan Ballhysa me Genta Bungon? Apo, si iu përgjigjen pyetjeve për aftësitë profesionale që u bëri kandidatëve anëtari gjyqtar, Fuat Vjerdha? Për habi këtë nuk e komenton as përfaqësuesi i opozitës në atë mbledhje, që nuk flet çfarë ndodhi brenda saj, por vetëm shpërndan si trakte rezultatet e votimit, të cilat duhet të ishin bërë prezente PUBLIKISHT.

Kriteret morale të një reforme të “pamoralshme”

Kur Autorët e reformës në drejtësi vendosën kriteret “qelibare” për ata që do kapërcenin nga sistemi i vjetër tek i riu, përllogaritën me saktësi që nuk do futeshin vetë në “lavatriçen e vettingut”. Kjo është arsyeja që Arben Rakipi tregon me krenari “xhaketën” e tij të pastër, apo Sokol Sadushi flet për një drejtësi diellore, të pakapur nga politika, sepse të dy nuk u futën në procesin “ku i gjeti lekët babai që të dha ty hua…”. Ata nuk u zhbiriluan nga KPK apo KPA. Nëse do ndodhte, sigurisht që të dy do lëshonin bojë, kur të dilnin si “xhaketa” të vjetra nga lavatriçja e vettingut.

Cilësitë morale, reputacionale, ndershmëria apo besueshmëria nuk mund t’i ketë askush në një vend ku perceptimi i korrupsionit në çdo nivel është 100% negativ dhe renditja e Shqipërisë pikërisht për të është në vendet fundore të botës.

Ata që kryen vettingun janë prova dhe dëshmia. Debati për pikëzimin e disa anëtarëve ish-Vettingistë filloi nga një pikëzim në KED, ku dy anëtarët e KPK-së, Genta Bungo, Alma Vokopola dhe ish-Komisioneri publik Florjan Ballhysa, u vlerësuan me zero pikë në komponentin cilësor-profesional nga gjyqtari Fuat Vjerdha.

Ç’pati Fuati?

Nga të gjitha anëtarët e KED-së, Kryetari i Gjykatës së Apelit Shkodër, Fuat Vjerdha, është më i vjetri në profesion. Pas 25 vitesh karriere gjyqtari, Fuat Vjerdha u shkarkua nga trupa e KPK-së në qershor të vitit 2019, në atë kohë e përbërë nga (sot deputeti i Elbasanit) Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko. Treshja e KPK-së i gjeti probleme Fuatit, si me deklarimin e pasurisë, ashtu dhe me aftësitë profesionale. Madje, si rrallëherë, trupa iu drejtua dy herë për verifikim figurës së tij nga DSIK, pavarësisht se raportet ndaj tij, nga ky institucion ishin pozitive. Fuati u “skanua” si rrallëkush nga tre KPK-istët, të cilët ngulmuan dhe e shkarkuan nga detyra me fjalinë damkë: “subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.

Fuati luftoi për të rikthyer detyrën dhe dinjitetin e tij, duke ankimuar vendimin në KPA, madje si asnjë tjetër, Fuat Vjerdha mblodhi 6244 firma me një peticion nga qytetarët për të vërtetuar reputacionin e tij të pastër dhe që tregonte se s’kishte “cenuar besimin e publikut te drejtësia”.

KPA e riktheu Fuatin në detyrë me një votim unanim 5 me 0 në favor të tij, pa i pranuar peticionin si provë “ndershmërie”, por duke rrëzuar me arsyetim çdo vlerësim që kishin bërë komisionerët e KPK-së, sidomos ato të kriterit profesional. Vendimi i KPA-së, bashkë me pretendimet e gjyqtarit Fuat Vjerdha në seancat përballë KPK-së si edhe ankimi ndaj tij, tregojnë qartë një rezultat profesional 6 me 3 në disfavor të KPK-së dhe Komisionerit publik. Fitoi Fuati.

Atëherë, përse anëtari i KED-së Fuat Vjerdha nuk duhet t’i vlerësonte me zero pikë ata që “mbetën” në klasë në një vendim të gjykuar nga 6 gjyqtarë karriere?

Irma Balli, anëtarja tjetër e KED-së, prokurore e Apelit, është shkarkuar nga tre komisionerët e KPK-së: Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe Suela Zhegu. E rikthyer në detyrë nga një vendim në zgrip votimi (+1) i KPA-së ku 3 anëtarët Sokol Çomo, Ardian Hajdari dhe Ina Rama ishin pro rikthimit dhe Natasha Mulaj me Rezarta Schuetz kundër, Irma u tregua më “bujare” me kandidatët KPK-istë, duke i vlerësuar me goxha pikë.

Por pyetja është: nëse Natasha me Rezartën e KPA-së, apo ndoshta familjarë të tyre, do vinin në “tryezën” e saj të punës, a do ishte po kaq zemërmirë?

Ilir Toska, anëtar i KED dhe Gjykatës Kushtetuese, ka një histori spektakolare të kalimit të vettingut. Ndryshe nga Fuat Vjerdha që duhej “eliminuar”, për Ilir Toskën trupa me anëtare Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, kishin marrë vendimin “të kalohet me çdo kusht”. Vendimi i konfirmimit në detyrë të Ilir Toskës nga KPK, është një manual i njollosjes së drejtësisë me tre “kallamarë” boje të rrëzuar në një tryezë zonjash.

Elementet e figurës së këtij gjyqtari u përcollën nga DSIK në KPK me fjalinë e nënvizuar: “konstatojmë papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit, z. Ilir Dh. Toska.”

Arsyeja?
“Për subjektin e rivlerësimit, z. Ilir Toska, administrohen informacione nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Informacioni i ardhur nga institucioni i verifikimit bën me dije se në ngarkim të subjektit të rivlerësimit, Z. Ilir Toska, disponohen të dhëna të vitit 2004, nga të cilat ngrihen dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv. Subjekti i rivlerësimit, me detyrë kryetar i inspektimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dyshohet të jetë përfshirë në një rast korrupsioni pasiv, që lidhet me dhënien e mitës nga një gjyqtar për dy inspektorë të KLD-së, njëri prej të cilëve është subjekti i rivlerësimit, z. Ilir Toska. Mita u dha me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Rendit Publik. Në atë periudhë, inspektorët e KLD-së ishin të ngarkuar për kontrollin e një çështjeje civile të gjykuar nga gjyqtari mitëdhënës.” Kjo arsye shkruhet nё vendimin e KPK-sё ku pёrfshihet njё korrespondencё me DSIK-nё.

Por standardi i KPK-së për këtë rast, ndryshe nga gjyqtari Fuat Vjerdha ku e ripyeti DSIK-në dy herë, për gjyqtarin Toska zhvilloi një hetim të thelluar vetë, i quajtur “kryesisht”, me qëllimin e vetëm: për të shbërë informacionin që vinte nga DSIK. Informacioni dhe letra e DSIK-sё “u gris” nga pyetësori i Valbona Sanxhaktarit. Pyetjet në vendim janë qesharake si ato të bëra nga një gazetar i njohur, pas përfundimit të zgjedhjeve të vjedhura nga një prijës politik: “Z. Udhëheqës, a i keni vjedhur zgjedhjet? – Jo!”. Dhe kështu pas pyetje – përgjigjeve, Ilir Toska doli që s’kishte asnjë faj pavarësisht “akuzave” të DSIK-sё. Mbi 200 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi vetëm nga raportet e DSIK-së, pa iu dhënë mundësia që iu dha gjyqtarit Toska.

Vendimi manual ndaj tij, tregon se kur ka dashur KPK ka bërë çudira. Edhe për kriterin e pasurisë, gjyqtari Toska, sipas hetimit pikaset të ketë pasur një marrëdhënie të çuditshme me një avokat (L. A) i cili kishte hipotekuar një apartament si garanci për një kredi të marrë nga vetë gjyqtari, e për më tepër që në rolin e avokatit, ky “mik” i mire, kishte “qëlluar” avokat palësh, në 19 vendime të marra në Gjykatën e Apelit Tiranë tij, ku në trupë ishte vetë gjyqtari Ilir Toska.

Pine, Sanxhaktari dhe Çiftja, shkruajtën një leksion model për anti-konfliktin e interesit që nuk ekzistonte në rastin konkret te gjyqtari Toska dhe miku i tij avokat. Kështu, gjyqtari Toska kaloi vettingun e KPK-së, pa u ankimuar as nga Komisioneri publik Florjan Ballhysa, i cili në kriterin cilësor profesional mori 21 pikë nga anëtari i KED-së Ilir Toska dhe 86 pikë gjithsej, ndryshe nga zero pikë që dha kolegu Fuat Vjerdha për “profesionalizmin” e kandidatit Ballhysa dhe 59 pikë, gjithsej.

Për dy gjyqtarët anëtarë të KED-së, i njëjti “Ballhysë” është “shumë i mirë” por dhe “shumë i keq”.

Etien Kapo, anëtari tjetër i KED-së nga radhët e prokurorëve, e “lan nderin me nder”. Në vettingun e tij, që kaloi pa probleme, trupa përbëhej nga kryesuese Genta Tafa (Bungo) dhe Valbona Sanxhaktari relatore. Ai dhuroi plot 91 pikë për “komisioneren” e tij bujare Bungo, e cila kërkon të bëhet gjyqtare kushtetuese, duke e lartësuar edhe ndaj “fituesit” të pritshëm të garës, Asim Vokshit, të cilit i dha 4 pike më pak, 86 gjithsej. Prokurori “komunist” Etien Kapo, i cili është bashkëshorti i një tjetër prokuroreje, Mirela Kapo (edhe kjo e vetuar pa probleme), nuk ka hasur asnjë vështirësi në karrierën e tij, ashtu si në vetting-un bashkëshortor, edhe pse ka lidhje familjare me persona të ish-Sigurimit famëkeq të shtetit. Prokurori Kapo është djali i Pëllumb Kapos dhe nipi i Hysni Kapos, ish-drejtues i Sigurimit të shtetit dhe ish-anëtar i Byrosë Politike të regjimit komunist.

Prokurorja Alma Muça, anëtare tjetër e KED-së, e cila vlerësoi gjithashtu se, kush do jetë gjyqtari i ardhshëm kushtetues, ka një vetting personal për t’u komentuar gjatë nga studiuesit e Reformës në Drejtësi. E pezulluar nga detyra prej ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, bashkë me ish-prokurorin Artur Selmani (sot avokat i Erion Veliajt), për ngjarjen bujshme të quajtur “Masakra e Çoles”, ajo u akuzua edhe mediatikisht për qëndrime me natyrë korruptive. Figura e saj e goditur nga ky rast u “pastrua” nga relatorja e trupës së KPK, Valbona Sanxhaktari, e cila hoqi çdo “gjemb” edhe nga problemet e pasurisë së prokurores. Justifikimi pasuror i Alma Muçës u mbështet në paratë që i kishte dhënë i jati i saj, Selim Muça, me punën si kreu i Komunitetit Musliman të Shqipërisë. Feja dhe drejtësia u takuan bashkë për të ndihmuar karrierën e Alma Muçës, e cila prej shumë vitesh merr rehat pagën e prokurores së lartë të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që hetimi për “Masakrën e Çoles” vazhdon.

“Gjykata” prej 9 anëtarësh e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e vettinguar nga kandidatët me plot cene e probleme, ashtu si ata vetë, përfundoi “vettingun” e tyre, për të zgjedhur në fund, vetëm njërin, si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Procesi hileqar me njoftime memece dhe shpallje rezultatesh në faqen e Gjykatës së Lartë po i fsheh të vërtetat medias dhe publikut se, mos ata prezantohen me të vërtetën. Se mos kandidatët që fshihen më pas – pas vendimeve kolegjiale, njihen nga të gjithë, për aftësinë e tyre, qoftë edhe përballë një interviste të parapregatitur. Do ishte me interes të dëgjohej anglishtja kushtetuese e sejcilit kandidat, apo aftësia e tyre vetprezantuese.Por kjo nuk lejohet me ligj, në Shqipëri.

Procesi kushtetues “Ma fute ta futa” përzier me mentalitetin popullor “nderi lahet me nder”, nuk është asgjë tjetër veçse një njollë e dukshme e një sistemi që u ka mbetur në dorë atyre që e krijuan dhe në kurriz shqiptarëve që e pësuan.