100 milionë euro i kishte siguruar që para 5 vitesh. Kërkonte shtëpi në Holandë për t’a mbushur me euro. Paratë planfikoheshin për të ardhur në Shqipëri me kamion. Kishte fabrikën e tij të përpunimit të kokainës. Kishte plane për të blerë charter për të lëvizur ‘mallin’ dhe paratë. Të tjerët, ata që janë etiketuar në media si bosë kokine, ishin thjeshtë klientë të tij. Ky është i riu nga Peqini, Ervis Çela. I padukshëm, i sofistikuar dhe me lidhje të fuqishme, Çela është një nga ‘peshqit’ më të mëdhenj që ra në rrjetën e Sky Ecc.
Fabrikë leshi për të pastruar 20 milionë euro
Në një bisedë të përgjuar, Ervis Çela i propozon vëllait të tij, Albin Çelës, të hapë një fabrikë leshi, për të pastruar 20 milionë euro.
“Çfarë pret? Të prish punë po të kesh dhe ndonjë firmë të vogël? U bënë 15 mln? Po kam një ide të hapësh një firmë leshi dhe të bësh fatura, të fusësh lekë në bankë… Kam gati 20 mln në Hollandë“.
Për transportin e parave të kokainës në Shqipëri merrej Vilson Pepa, i njohur si Soni Pepa, i arrestuar në Santo Domingo dhe më pas ekstraduar në Shqipëri. Bisedat e përgjuara tregojnë se Pepa, përmes metodave të sofistikuara transferimi, ka ndihmuar në kalimin e parave të paligjshme në Shqipëri, duke shmangur kontrollet doganore dhe duke përdorur shpesh shoferë autobusi për të transportuar paratë.
Në transferimin e parave janë implikuar një agjensi udhëtimi dhe disa pika valutore në Tiranë. Pikat valutore rezultojnë në emrin e disa zonjave, me qëllim kamuflimi. Pikat valotore veprojnë si derivate të kompanive kryesore në Shqipëri të këmbimit dhe tranferimit të parave.