Skandal në Policinë e Shtetit, polici trafikant Briken Tereziu rikthehet në detyrë një vit pas arrestimit të bujshëm në Rinas

Krim & Korrupsion

Publikuar: 18/09/2025

Skandal në Policinë e Shtetit, polici trafikant Briken Tereziu rikthehet në detyrë një vit pas arrestimit të bujshëm në Rinas

Një skandal i përmasave të frikshme ka ndodhur në radhët e Policisë së Shtetit, ku një punonjës policie është rikthyer në detyrë një vit pas arrestimit të bujshëm. Briken Tereziu u akuzua se ishte pjesë e një grupi kriminal, ku pjesëtarë ishin punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kalonin ilegalisht për në vendet e Bashkimit Europian shtetas që kishin probleme.

Tereziu u arrestua së bashku me disa persona të tjerë në muajin qershor të vitit 2024. Por, pas 14 muajsh i rikthy sërish në “skenën e krimit” dhe vijoi të njëjtin avaz, pasi ka prova që Tereziu përdor detyrën për llogari të disa grupeve me naryrë kriminale.

Burime nga Komisariati i Policisë së Rinasit i thanë se Tereziu ka marrë të njëjtën detyrë që kishte edhe para se të arrestohej dhe të hetohej për disa akuza.

Kthimi në atë detyrë ka ngjallur hije të mëdha dyshimi se Tereziu, apo bashkëpunëtorët e tij, nuk kanë vepruar vetëm. Madje, dijeni për aktivitetin e tyre kriminal mund të ketë pasur edhe kupola e Policisë së Shtetit. Drejtuesit kanë pasur informacion të saktë për ndodhitë në pikën e kalimit kufitar në Rinas, për punonjës apo shefa të tjerë.

Por, si mund të kthesh në të njëjtën detyrë një polic të arrestuar, të përgjuar, me biseda të drejtpërdrejta për trafik në të njëjtën detyrë?!

Nga bisedat e përgjuara, dyshohet se Tereziu ka qenë organizatori i të gjithë trafikut. Personi që bëntw ndërlidhjen. Dhe duket se kjo “aftësi” e tij ka bindur sërish krerët e Policisë së Shtetit t’a rikthejnë atje ku ishte.

Një guxim i tepruar, pasi me këtë veprim duket se krerët e “grupit” nuk janë ndaluar apo arrestuar ndonjëherë. Ndoshta dosja duhet të kalojë te Prokuroria e Posaçme, për të hetuar lidhjet e Tereziut, apo të kolegëve të tij të tjerë, me drejtues madhorë të policisë.

Burimet nga Policia e Rinasit thanë se Tereziu nuk ka sjellë ndonjë informacion se çfarë ka ndodhur me dosjen e tij. Madje, as vendimet e gjykatës apo prokurorisë, pavarësisht se dosja e tij hetimore është me disa fashikuj, me përgjime, vëzhgime apo edhe me dëshmi.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës nxorën në dritë të gjithë skemën se si funksiononte ky grup, me uniformë, duke kryer disa vepra penale. Hetuesit zbardhën bisedat në telefonin e një tjetër punonjësi, Eneo Sulejmani, i cili kontaktonte me Briken Tereziun, me detyrë ndihmës specialist dhe kontrollor në Rinas.

Në biseda duket mjaft qartë abuzimi i pastër që kanë kryer këta punonjës, ku Tereziu ka lejuar edhe kalimin e një të mituri pa prokurën e njërit prind. Bisedat janë kryer në prill të vitit 2023, ku Eneo i shkruan Brikenit se “atë gocën sot e bëjmë dot”. Më pas ata bisedojnë në telefon, ku Eneo i dërgon pasaportat dhe lejon kalimin.

Nga këqyrja në sistemin TIMS rezulton se shtetasi B.XH është përpunuar në dalje të territorit të RSH më datë 23.04.2023 ora 09:30 nga punonjësi i policisë me username në TIMS TereziuB, i cili ka lejuar kalimin e të miturit pa prokure nga prindi tjetër”, thuhet në dosje.

Në fashikujt hetimor janë zbardhur edhe biseda të tjera, ku të dy flasin për kalimin e personave problematikë, pavarësisht se nuk lejoheshin të futeshin në BE. Dhe, të gjitha kundrejt ryshfetit.

Punonjësit e policisë flasin lirshëm në telefon, duke përmendur raste, emra apo edhe shuma parash. “Nesër të bëj një 500 vëlla” i shkruan Eneo, ndërsa ata i orientojnë pasagjerët që të shkojnë te sporteli i policisë ku qëndron vetë Briken Tereziu.

Të gjitha faktet janë në dosje, ndërsa Policia e Shtetit ende nuk ka dhënë një informacion të saktë se përse e riktheu në të njëjtën detyrë këtë punonjës.

Nëse ka marrë pafajësi, dosja e tij është pushuar, etj, etj, përse policia nuk e emëroi në ndonjë post ekuivalent?

A mos ndoshta Briken Tereziu, apo të tjerë nga grupi, të kenë shantazhuar ndonjë epror se do të tregonin skemën e trafikut?!

Padyshim që kthimi lë pas shumë pikëpyetje dhe dyshime të mëdha, duke thelluar mosbesimin tek Policia e Shtetit. Skandali vjen në një kohë kur besueshmëria tek policia është goditur rëndë, ku nga zbërthimi i komunikimeve në Sky Ecc rezultontoi se zyrtarë të caktuar të policisë ishin rekrutuar nga grupet kriminale, punon për llogari të tyre dhe raportonin sistematikisht para figurave të krimit.