Viti 2025, i ka shoqëruar ngjarjet politike në çdo hap me ato të drejtësisë. Ato ndikojnë njëra-tjetrën deri në pikën e një varësie të plotë. Aq sa nuk mund të mendohet se, pushteti politik ecën përpara pa “patericën” e atij juridik.
Zgjedhja e kreut të SPAK apo BKH-së “përgjohet” gjithë kohën me të njëjtën vëmendje sikur zgjedhja e kryeministrit apo një ministri të qeverisë; zgjedhja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ka të njëjtën peshë me atë të kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Gjykata Kushtetuese (GJK) e Shqipërisë ka aktualisht 9 anëtarë. Njëri prej tyre, do zëvendësohet. Largohet Holta Zaçaj, kryetare e GJK, për shkak të mbarimit të një mandati të kufizuar që në zgjedhjen e saj. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me në krye kryetarin e Gjykatës së Lartë (GJL), Sokol Sadushaj, ka 5 muaj që kryen një proces të “koklavitur” verifikues për zëvendësimin e vendit vakant.
Kandidatët e renditur me pikë sipas procesit vlerësues të KED, shkojnë për votim në Gjykatën e Lartë, ku 18 anëtarët e saj, votojnë për emrin e kandidatit fitues që do zëvendësojë vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Është radha e GJL që të plotësojë këtë vakancë, sipas ligjit.
Pas kulisave verore, KED, më në fund, përgjatë natës së mbrëmshme, “pikëzoi” 6 kandidatë “fitues”, për t’u paraqitur në votim tre prej tyre te Këshilli i Emërtimit pranë Gjykatës së Lartë.
https://www.gjykataelarte.gov.al/sq/lajme/aktivitete/mbledhja-e-radhes-e-k.e.d.-date-17.09.2025
Ata janë sipas renditjes me pikë:
1. Asim Vokshi 89.5 pikë;
2) Naureda Llagami 89.3 pikë;
3) Florian Ballhysa 77.83 pikë;
4) Alma Faskaj 77.77 pikë;
5) Genta Tafa (Bungo) 75.44 pikë;
6) Alban Toro 74.22 pikë.
Asim Vokshi është në vendin e parë renditur dhe, synon të marrë votat e kolegëve të GJL, me të cilët ndan zyrat e punës dhe han “byrek” në kohën e pushimit.
Po dy pretendentët e tjerë cilët janë?
Naureda Llagami (1978), me një karrierë meteorike, nga Asistente ligjore 2013-2016 pranë Gjykatës së Lartë, Këshilltare e (UKT-Tiranë) 2016-2018, emërohet kryetare e KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) 2018-2024. Përtej karrierës së pompuar nga fije të padukshme pushteti, media ekspozoi lidhjen e saj pa “shapka” me Ajola Xoxen dhe Klotilda Bushkën, të dyja të akuzuara nga SPAK për çështjen “Veliaj”. Naureda Llagami është simboli i përkujdesit familjar, pasi ka sistemuar rrethin e saj ashtu si dhe ku duhet: Laurand Llagami (vëllai), drejtor në ILDKPI, Emirjana Dimo (kunata) gjyqtare e emëruar rishtazi, Gerand Ylli (bashkëshorti), doganier dhe, lista vazhdon e gjatë.
Florjan Ballhysa (1978), me një karrierë kënetore, ka lundruar sa në Kuvendin e Shqipërisë (2013-2015) si këshilltar ligjor, në Gjykatën e Lartë si ndihmës ligjor (2006-2013), plot 1-muaj këshilltar në Gjykatën Kushtetuese (qershor 2016), me dy “shpërthime”; njëri si këshilltar i Ministrit të Drejtësisë (2004-2005) Fatmir Xhafaj, ndërsa ishte vetëm 25 vjeç dhe, tjetri kur emërohet Komisioner Publik (2017-2024), i zgjedhur nga politika si “përfaqësues i interesit publik”. Me një karrierë dhe zë që mezi dëgjohet, Florjan Ballhysa, nxirret gjithnjë si një xhol nga mënga e lojtarit të pushtetit.
Tre humbësit e “pikëzimit” kërkojnë përmbajtje të madhe për të mos i komentuar dhe anatemuar vetëm për faktin që guxuan dhe kandiduan.
Emrat dhe karrierat e tyre, tregojnë se në ç’nivele ka rënë mundësia dhe ambicia për t’u bërë gjyqtar kushtetues në Shqipëri.
Genta Tafa (Bungo) dhe Alma Faskaj (Vokopola) janë shembujt më kuptimplotë, se si procesi vetting në Shqipëri, një proces pa asnjë akademizëm brenda tij, nxorri në rrugë gjysmën e magjistratëve të sistemit, e më pas edhe vetë ata që i vetting-uan, të cilët presin me kokën nga pushteti për t’u sistemuar diku për shërbimet e kryera ndaj tij.
Asim Vokshi, 44 vjeçar “shkëlqen” ndaj rivalëve të tij të piketuar e më pas të pikëzuar për të humbur. Me një karrierë 20 vjeçare të katapultuar që në fillim të herës (2006) në të treja shkallët e gjyqësorit, Asim Vokshi, sot anëtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të krahasohet për karrierë dhe CV me “tallagjaren” e vendit të dytë, apo me “merhumin” e vendpikëzuar si i tretë.
Po e meriton të jetë gjyqtar kushtetues Asim Vokshi? Çfarë cilësish duhet të zotërojë një anëtar i Gjykatës Kushtetuese?
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë kërkon që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të jenë juristë të spikatur, me integritet të lartë moral dhe profesional. Por çfarë nënkupton realisht ky përkufizim?
Së pari, një gjyqtar kushtetues duhet të ketë ushtruar aktivisht profesionin e juristit për një periudhë të gjatë kohe, duke fituar pjekuri personale dhe profesionale. Kushtetuta dhe ligji kërkojnë një përvojë jo më pak se 15 vite në fushën e drejtësisë, çka nënkupton jo thjesht vite pune, por eksperiencë të konsoliduar në vendimmarrje juridike, në analizën e së drejtës dhe në përballjen me çështje komplekse.
Së dyti, ai duhet të zotërojë thellësisht parimet e së drejtës dhe të ketë në majë të gishtave njohjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, duke qenë i aftë të gjejë gjithmonë ekuilibrin mes tyre. Përvoja në fusha ku përballen interesat publike dhe të drejtat individuale është thelbësore, pasi gjyqtari kushtetues duhet të dijë të peshojë proporcionalitetin dhe të garantojë mbrojtjen e rendit kushtetues.
Së treti, gjyqtari kushtetues duhet të ketë aftësi të shkëlqyera analitike dhe shkrimi. Roli i tij nuk është vetëm të japë drejtësi, por të lërë pas arsyetime të thelluara që do të lexohen dhe studiohen për dekada. Shkrimi i vendimeve kushtetuese është një art më vete: kërkon qartësi, logjikë të hekurt, stil të përpunuar dhe aftësi për të shpalosur argumente juridike që bindin, edukojnë dhe mbeten si udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Prandaj një nga testimet më serioze në procesin e përzgjedhjes duhet të jetë një provim me shkrim, i kryer përpara komisionit, për të provuar se kandidati jo vetëm njeh ligjin, por di edhe ta artikulojë atë në mënyrë profesionale e të paanshme. Jo thjesht të testohen a dinë gjuhë të huaj përmes një interviste dhe më pas të përdorin këshilltarët ligjorë për shkrimin e vendimeve, ashtu si ndodh rëndom sot në gjykatat “sipërore” të Shqipërisë.
Së katërti, integriteti, pavarësia dhe paanshmëria janë themeli i këtij funksioni. Një gjyqtar kushtetues nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike apo poste që krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me interesat e ditës. Përndryshe, humbet garancia e pavarësisë. Ky funksion duhet të përfaqësojë kulmin e karrierës së një juristi, një stacion ku mbyllet me dinjitet rruga e tij profesionale, dhe jo trampolinë për karriera të reja politike apo ekzekutive. Gjyqtari kushtetues duhet të shërbejë si figura më e besueshme e shtetit të së drejtës.
Së pesti, rëndësi të rendit të parë ka formimi akademik e pedagogjik. Një profesor i së drejtës, një studiues me botime të thelluara, një jurist që ka kontribuar me ide dhe reforma, ka një vlerë të shtuar në këtë rol. Ai nuk gjykon vetëm për një rast konkret, por ndërton jurisprudencën kushtetuese të vendit.
Së gjashti, njohja e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka rëndësi thelbësore për një gjyqtar kushtetues, pasi vendimet e kësaj gjykate përbëjnë standardin minimal të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore në gjithë hapësirën evropiane. Jurisprudenca e GJEDNJ duhet të jetë një udhërrëfyes i detyrueshëm për harmonizimin e së drejtës kombëtare me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar dhe ka pranuar t’i nënshtrohet. Një gjyqtar kushtetues që njeh në thellësi këtë jurisprudencë është i aftë të garantojë që interpretimi i Kushtetutës të bëhet në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke forcuar sigurinë juridike, duke parandaluar shkeljet sistemike dhe duke mbrojtur qytetarët nga ndërhyrjet arbitrare të pushtetit. Në këtë kuptim, zotërimi i jurisprudencës së GJEDNJ është jo vetëm kusht profesional, por edhe garanci që vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese shqiptare të jetë moderne, e qëndrueshme dhe në harmoni me parimet universale të shtetit të së drejtës, e jo të përballet kaq shpesh me vendime të GJEDNJ-së që rrëzojnë vendimet e saj.
Në fund, gjyqtari kushtetues duhet të jetë juristi që mishëron përvojë, profesionalizëm, integritet, aftësi të jashtëzakonshme analitike e të të shkruarit, dhe mbi të gjitha, vizionin për të ruajtur ekuilibrin mes shtetit dhe qytetarit, mes pushteteve dhe lirive themelore.
Ky është profesioni më i lartë e për pasojë i fundit i një juristi, një kurorëzim që e vendos në piedestalin e meritës dhe jo një hallkë tjetër në zinxhirin e pushtetit politik. Më pas, pas rënies nga “froni” kushtetues, gjyqtari mundet vetëm të punojë në pedagogji, të edukojë brezat e rinj të juristëve.
A i ka këto cilësi gjyqtari 44 vjeçar Asim Vokshi? Po ata që e presin atë në sallën e gjykimit kushtetues, a i kanë?