Gëzim Topçiu, i njohur si beu i Maliqit, ishte 33 vjeç kur u zgjodh kryetar i bashkisë së Maliqit në vitin 2000. Sot, Topçiu, i cili po i afrohet moshës së pensionit, vijon të drejtojë Bashkinë e Maliqit, me pretendimin se e duan qytetarët. Që Topçiun e duan qytetarët mund të jetë e vërtetë, por nga ana tjetër, kryebashkiaku, e ka keqpërdorur këtë dashuri, duke u rënë me top parave dhe pasurive publike, ndërsa për vete ka menduar duke krijuar një pasuri me vlerë qindra mijëra euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të fundit për veprimtarinë e Bashkisë Maliq, ka konstatuar se tenderat me vlerë të lartë, të firmosur nga Topçiu, janë në kundërshtim me ligjin, duke ngritur dyshime të forta për një skemë korrupsioni me një rreth të mbyllur klientelist.
Në 28 dhjetor 2020, Gëzim Topçiu ka firmosur për kompaninë Nika shpk tenderin me objekt; Ndërtimi i Ujësjellësit Maçurisht-Plasë. Fondi limi i tenderit ishte 1.8 milionë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 1.6 milionë euro.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se kompania Nika shpk është shpallur fituese pa plotësuar kriteret e shpallura nga vetë autoriteti kontraktor, pra nga Bashkia e Maliqit. Në shkelje të ligjit, Topçiu i Maliqit ka shpallur fituese edhe kompanitë e tjera.

Pronare në letra e kompanisë Nika është 51-vjeçarja nga Shkodra, Shpresa Nika, pas të cilës fshihen disa ‘ustallarë’ të fondeve publike. Kompania e prestanomes Shpresa Nika ka marrë mbi 50 milionë euro tendera publikë e vetme dhe në bashkëpunim, në shumë raste pa palotësuar kriteret dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave.

Vetëm gjatë 5 viteve të fundit, nga arka e shtetit shqiptar kanë kaluar në llogaritë e kompanisë Nika shpk mbi 24 milionë euro, në bazë të tenderave të dyshimtë dhe klientelistë.

Po pse kryebashkiaku Gëzim Topçiu i ka dhënë kompanisë Nika tenderin në shkelje të ligjit sipas KLSH-së?
Nga rreth 200 tendera që ka marrë e vetme kompania Nika shpk, 24 tendera i ka marrë vetëm nga Bashkia e Maliqit. Ky përqëndrim tenderash në një bashki, plus konstatimin e KLSH, shton më tej dyshimet për një skemë korrupsioni të konsoliduar midis kompanisë Nika shpk dhe kryebashkiakut Gëzim Topçiu.

Në shkurt të vitit 2021, Gëzim Topçiu u ka dhënë tenderin me objekt ‘KUZ njësitë administrative kompanive Vashëtima, Zhengo dhe Avdolli, në shkelje të ligjit, pasi kishte kaluar afati i parashikuar në ligj. Një muaj më pas ka lidhur kontratën për punimet.

Pas tre kompanive qëndrojnë Gëzim Avdolli, Arben Vadolli, Servet Cenolli dhe Ali Xhengo. Më pas, tre kompanitë kanë mashtruar me zbatimin e kontratës, duke vjedhur një pjesë të parave, me situacione false për punime të pakryera.

Të tre personazhet që kanë vjedhur paratë publike me situacione false janë klientë të rregullt tenderash të Bashkisë Maliq, praktikisht të Gëzim Topçiut.
Edhe me paga modeste, Gëzim Topçiu posedon një pasuri me vlerë qindra mijëra euro. Ndonëse e ka deklaruar në shifra më të ulët se sa vlera reale, pasuria nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme.
Ndërkaq, Bashkia e Maliqit është përfshirë në një skandal, e cili është tentuar të mbahet i fshehtë. Ndihma ekonomike, në vend që të shkojë për familjet në nevojë, është vjedhur me letra nga punonjësit e bashkisë.
Klientelizmi dhe nepotizimi është tipik për bashkitë dytësore. Për shembull, bashkëshortja e Gëzim Topçiut, zonja Filloreta Topçiu, është drejtoreshë e një institucioni që është në varësi të bashkisë me kryebashkiak bashkëshortin.


Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të ngrihet një komision etike për të luftuar nepotizmin në pushtetin vendor, me përbërje deputetët përkatës të qarkut. Kushedi sa kanë qeshur Peleshi dhe Topçiu me këtë nismë të Ramës kundër nepotizmit!