Partia Demokratike organizoi sot një ceremoni përkujtimore pranë bustit të heroit të demokracisë Azem Hajdari në Tiranë. Në ceremoninë përkujtimore në përvjetorin e 27-të të vrasjes së Azem Hajdarit, mori pjesë edhe kreu i PD-së Sali Berisha.
“Në këtë përvjetor të rënies së tij për të mbetur i pavdekshëm, Azem Hajdari së bashku me Besim Çerjan janë më të gjallë se kurrë në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor“, u shpreh Berisha.

Po sa i sinqertë është Sali Berisha në vlerësimin e Azem Hajdarit? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje do të sjellim disa fakte të kohës, dëshmi dhe rrethana, të cilat besojmë që të gjitha bashkë vizatojnë të vërtetën.
Ky është një artikull i gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës zyrtare të PD-së, ku shkruhej për kohën kur ish-kryeministri Sali Berisha kërkonte përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi parlamentar i PD.

Në 9 janar të vitit 1997, me urdhër të Berishës, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së. Ky vendim erdhi pasi Azem Hajdari kishte nisur një valë kritikash ndaj qeverisë së Aleksandër Meksit, por pa atakuar Berishën si president.
Me kauzën e mbrojtjes së sindikatave, Azemi synonte t’i diktonte Berishës rrëzimin e Meksit, për t’u dhënë një tjetër mesazh demokratëve për fuqinë e tij në PD. Por, Berisha nisi një sulm frontal ndaj Azemit, me gazetën Rilindja Demokratike, me akuza, pyetje shantazhuese dhe mesazhe të koduara. Berisha vuri në lëvizje edhe strukturat e PD-së.
Shumë shpejt Azem Hajdari u “ngri” si anëtar i Këshillit të Kombëtar të PD-së. Disa ditë më pas, Kryesia e PD-së përjashtoi Azemin nga grupi parlamentar. Në seancën e parë plenare të Kuvendit, të datës 20 janar 1997, Azem Hajdari, mbajti një fjalim mbi përjashtimin e tij. Hajdari theksoi se përjashtimi i tij është i paligjshëm, ndërsa shtoi se nuk ishte thirrur as në Këshillin Kombëtar të PD-së, as në kryesi dhe as në grupin parlamentar, siç e kërkonte procedura.
Akuza të ndërsjella
Që në vitin 1994, në gazetën Koha Jonë, e djegur më pas nga SHIK-u i Bashkim të Gazededes, besohet me urdhër të Berishës, Azem Hajdari akuzonte Berishën se po e drejtonte partinë me metoda komuniste.

Nga ana e tij, Sali Berisha akuzote Azem Hajdarin për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit dhe si shërbëtor të Ramiz Alisë. Berisha e akuzon gjithashtu Azemin për lidhje me krimin dhe për implikim në vrasje. Në vitin 1996, pra një vit para përjashtimit, Berisha ka artikuluar akuza të rënda ndaj Azem Hajdarit.
“Cili është dhe kujt i shërben në të vërtetë, Z. Azem Hajdari? Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët kemi të drejtë të themi se kishim dy Azem. Ai i mitingjeve që bënte gjëmën, kurse ai në jetë që bëhej mik me Irakli Koçollarin, e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se ç’nxirrte nga xhepat. Deputeti Azem Hajdari hyri në grevën e urisë. Kureshtarët e shumtë, tifozët e politikës u gjendën të befasuar nga veprimet e zotit Hajdari dhe sollën versionet të ndryshme në shpjegimet e tyre, duke akuzuar më pas Azem Hajdarin për lidhje të shumta kriminale, lidhje me sigurimsat e shtetit, në shërbim të Ramiz Alisë e të tjera me radhë. Vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë: Në “kafenenë e Xhelës” thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve dhe në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë, i armatosur, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i yshtur nga Çupi dhe Këndezi, i keqtrajtuar nga Kurt Kola, i rrethuar nga ish 80-lekshat (dhe ata janë të shumtë), vendosi të ndërpresë grevën e mezeve dhe të rakisë”.
Azem Hajdari ankohet se përgjohej nga SHIK-u i Berishës
Në 26 qershor 1992, vetëm tre muaj pasi Berisha emëroi njeriun e tij të besuar, Bashkim Gazideden në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, Azem Hajdari u ankua se po përgjohej nga SHIK, për llogari të Berishës. Azemi u ankua fillimisht në mënyrë private, dhe kur shqetësimi i tij nuk po merrte zgjidhje, ai plasi ‘bombën’ në mes të parlamentit, në 7 shtator 1992. Madje, Azemi i kërkoi Maks Haxhisë, në atë kohë kryeprokuror, që të arrestonte Bashkim Gazideden pasi po e përgjonte për llogari të Sali Berishës.
Në përgjigje të kërkesës së Azemit, Haxhia shprehej se “Përse nuk u ndalua Bashkim Gazidede për përgjimet e paligjshme ndaj Azem Hajdarit? Për sa i përket fjalëve, z. Azem Hajdari që dëgjohen lart e poshtë, unë nuk mund të shkoj me arsyetimin e tyre, ashtu si nuk mund të shkoja të filloja përgjegjësinë penale për z. Gazidede, për incizimin që ju ka bërë juve, flitet, të paktën, nëpër gazeta. Kush ka denoncime konkrete për persona konkretë, me prova konkrete, derën e Prokurorisë e ka hapur dhe përkushtimin tonë e ka gjithmonë gati”.
Bashkim Gazidede nuk i ndahej Azemit, i cili u shpreh hapur se po e shantazhonte. “Ai (Gazidede) gaboi në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike kur tha që unë e kam incizuar Azem Hajdarin në një bisedë telefonike, sepse ai duhet ta dinte që sigurimi i sotëm nuk ka mundësi që të incizojë më tepër se 50 telefona. Unë e di mirë mundësinë e rrjetit informativ të SHIK-ut që është plotësisht i shkatërruar dhe që duhet të organizohet”, tha Azemi. Në këto kushte, Azem Hajdari vuri në lëvizje parlamentin.

Në datë 22 shtator 1992, Parlamenti thirri në interpelancë Bashkim Gazideden. I pyetur për çështjen e përgjimit të Azemit, Bashkim Gazidede deklaroi se “Në lidhje me këtë pyetje, atë ditë që ka mbajtur konferencën e shtypit deputeti Hajdari, unë kam bërë një deklaratë në ATSH, e cila është transmetuar ne radio dhe risqaroj në lidhje me këtë problem se është fjala për një bisedë telefonike të bërë midis z. Hajdari dhe meje drejtpërsëdrejti, dhe jo midis z. Hajdari dhe ndonjë personi të tretë. Pra, z. Hajdari ka folur me mua në Shqipëri dhe jo nga SHBA-ja, pra ka folur në telefon me mua. Ai më ka thënë diçka në bisedën telefonike drejtpërsëdrejti dhe këtë fakt i kam dhënë unë atij në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike”.
Kush e spiunonte Azem Hajdarin?
Në luftën për eliminimin politik të Azem Hajdarit, Sali Berisha përdorte informacine që vinin nga spiunë të ish Sigurimit të Shtetit, disa prej të cilëve kaluan më pas në SHIK. Por, informacioni kryesor për të shantazhuar dhe sulmuar Azem Hajdarin, Sali Berishës i vinte nga SHIK-u, siç edhe shprehej vetë Azem Hajdari.
Në fund të regjimit komunist, Sigurimi i Shtetit vijonte rekrutimet e reja, ku studentët e universiteteve ishin në fokus. Luan Pobrati ka qenë një ndër nyjet shërbimeve sekrete. Për një periudhë para viteve 90’, ai ka shërbyer si drejtues i lartë i ish-Sigurimit Famëkeq të Shtetit, i ngarkuar në rekrutimin e inteligjencës universitare. Pobrati ka qenë edhe drejtues i Sigurimit për Tiranën.

Në bisedat e tij para se të ndërronte jetë në 2022, Luan Pobrati, mes të tjerash dhe me nënqeshje, fliste për një bashkëpunëtor të zellshëm që kishte rekrutuar: Ermal Mulosmani. Ky personazh, i cili sot një javë pretendon se është gazetar, një javë tjetër regjizor, mandej publicist u rekrutua më pas nga SHIK-u i Bashkim Gazidedes, strukturë që zëvëndësoi Sigurimin.

Mulosmani ishte infiltruar në RTSH, me një funksion të dyshuar fiktiv, ndërsa shfaqej pas Vera Grabockës. Nuk e dimë nëse zonja Grabocka ka qenë në dijeni për misionin e tij.


Ndërkaq, Luan Pobrati kishte një merak të vaçantë për festivalet si bandill i zjarrtë i Parashevi Simakut, por TVSH-ja ishte edhe në fokusin e Gazideses.


Ermal Mulosmani është larguar si ‘brigadier’ i SHIK-ut në RTSH pikërisht në korrik 1997, kur Sali Berisha u rrëzua nga pushteti, ndërsa Bashkim Gazidede i SHIKU-t ishte arratisur me ndihmën e qarqeve iraniane.
A është përdorur Mulosmani si ‘pardesy e bardhë’ nga Sigurimi për të spiunuar Azem Hajdarin dhe më pas edhe nga SHIK-u i Gazidedes?
Vetë eruditi Ermal Mulosmani tregon një version tjetër, sikur Azem Hajdari i jepte atij ndonjë bakshish dhe pjatë paçe. Eruditi konfirmon se i ishte afruar Azem Hajdarit, natyrisht jo si spiun, por duke pretenduar për një miqësi të sinqertë në kohë të vështira, ndonëse jo të barabartë!
Vesioni i Mulosmanit
Azemi
Si sot 27 vjet është vrarë Azem Hajdari. Në një natë të zymtë me shi e vetëtima, pranë Selisë së PD-së (afër Hotel Plaza sot) u masakrua me plumba në një atentat të paralajmëruar.
Nuk kam shkruar asnjëherë për Azemin. Sepse njerëzit që kanë qenë në atë atentat janë lidhje fisnore e imja, ndaj hezitoja.
Por sot, duke qenë se kanë kaluar kaq vite dhe gjërat janë më të qeta, vendosa t’i shkruaj dy fjalë për të.
Azemi ishte 5-6 vjet më i madh se unë, e kam njohur qysh në vegjëli. Ishte i potershëm, nga ata që nuk linin dy gurë bashkë. Spikaste kudo, në lagje, në shëtitore, në shkollë.
Shpirti i protagonistit e bënte të dilte në pah. Gjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme nuk u shmangej zënkave. Me një fjalë ishte çakmak djalë.
Prindërit, për ta shtruar, e çuan në një shkollë profesionale në Tiranë. Ishte një shkollë për Galanter – një zanat që nuk e kishte tjetër njeri në qytet. Bënte rripa, çanta, xhupa, sandale.
Por ajo që bëri më shumë bujë aso kohe ishte se Azemi u kthye 17-18 vjeçar nga Tirana bashkë me një vajzë të bukur, Fatmirën nga Librazhdi. Ishin moshatarë mesa mbaj mend. Dhe shkonin bashkë.
Nuk ishte normale për kohën por Azemi ishte Azem…
U martuan!
Aso kohe nuk kisha muhabet me të. Njiheshim sepse një grusht njerëz ishte qyteti, dilnin të gjithë në xhiro. Azemi u bë shpejt me fëmijë, në fillim Kiri e pastaj Rudina. Apo e kundërta? Nuk e mbaj mend mirë.
Punonte shumë, fitonte mirë. Galanteria e tij ishte në mes të qytetit, kishte shumë fluks pune. Azemi ishte shtruar nga puna por në shpirt kishte mbetur ai i mëparshmi. Ndërtoi një shtëpi private të madhe në oborr të së cilës kishte një qershi.
Jeta po i vinte mbroth.
Filloi shkollën e natës. Aso kohe kishte jo pak nxënës që punonin ditën dhe bënin shkollën e natës pas orës 4 a 5 pasdite. Shumica e tyre e bënin kot, sa për të thënë. Ndërsa Azemi jo, e kishte një plan. Askush nuk e besonte fillimisht se jeta e tij do të dilte jashtë atij qyteti dhe Galanterisë së tij të famshme.
Gjatë Kampionateve Evropiane apo Botërore të Futbollit, Azemi ishte kryefjalë. Vinte baste, organizonte shikime kolektive të ndeshjeve dhe spikaste me diskutimet e furishme dhe batutat pas tyre. Azemi nuk të linte indiferent, ishte jashtëzakonisht ndikues.
Unë e njoha nga afër diku nga viti ’87. Ishim të dy në maturë, ai natën, unë ditën. Për arsye të parëndësishme për tu përmednur këtu, u afruam shumë, më mbante afër si vëlla të vogël. Më merrte në darka te Turizmi, më qeraste, më ftonte në shtëpi. Aso kohe kisha probleme komunikimi me tim atë dhe për disa ditë ika nga shtëpia ime. Shkova te shtëpia e Azemit. Kjo ishte periudha kur u bëmë më të afërt. Më pyeste për vajzat, flirtet, historitë. Më inkurajonte të flisja. Ishte periudhë e çuditshme.
Im atë nuk e donte Azemin. Nuk i pëlqente poterja e tij, protagonizmi. Donte vëllain tjetër të Azemit, Saliun. Me të i piqeshin pipzat.
Një ditë shkuam bashkë me Azemin në mëngjes te një lokal i sapohapur. Ishte mëngjes, kisha disa ditë që nuk shkoja në shtëpi, rrija te Azemi. Babi e dinte, dikush i kishte thënë.
U ndodhëm përballë me babin. U shtanga fillimisht. Azemi i dha dorën, u përshëndet dhe vazhdoi. Unë mbeta i shtangur:
“Po pse nuk vjen te shtëpia jote” – ishte thelbi i asaj që tha im atë. Sigurisht me tonalitet dhe fjalë gjithë rropamë.
-“Nuk dua” – ia prita me të njëjtin ton. Dhe vazhdova.
Kur u futëm brenda Azemi më pyeti:
I tregova. Heshti. Më tha:
-“Ermal, duhet të shkosh në shtëpi. Isaja (babai) është baba jot”.
U mendova gjatë. Mendova se mos e kam bezdisur Azemin duke ndenjur te shtëpia e tij por më vonë jam bindur për të kundërtën.
U ndava prej tij dhe shkova në shtëpi. Ishin ditët e Kampionatit Evropian të 88’-ës. Të dy po pregatiteshim të vinim në Tiranë, në shkollë të lartë.
Gjatë asaj kohe e pyesja shpesh Azemin. Pse i hyre shkollës së natës, ti e kishe shkollën profesionale dhe punën shumë të mirë dhe fitimprurëse. Më dha një përgjigje që e kam kujtuar gjithë jetën:
-“Unë nëse do të jetoj në Tropojë do të jem të paktën Gjykatës ose Prokuror”.
Azemi nuk kënaqej, ishte ambicioz i madh. Donte të studionte Drejtësi me çdo kusht. Megjithëse ishte 25 vjeç me familje dhe me dy fëmijë.
Vera e atij viti ishte shumë e paharrueshme. Na doli të dyve e drejta e studimit, mua në Ekonomi, Azemit në Filozofi. Ishte mërzitur sepse donte me çdo kusht Drejtësi. Por, në gjithë rrethin tonë kishte ardhë vetëm një e drejtë studimi për drejtësi dhe atë e kishte marrë një nxënëse absolute me mesatare 10, Vjollca.
Rrinim pothuaj çdo natë te lulishtja e Turizmit, pinim birra deri në orët e vona të natës. Mund të kenë qenë netët më të lumtura të jetës sime. Kur kthehesha në 12 a një të natës kaloja edhe njëherë nga listat e afishuara të të drejtave të studimit. Nuk ngopesha duke parë emrin tim. Nata ishte tmerrësisht e gjatë, doja veç ditë dhe biseda, mbrëmje dhe darka….
Kur erdhëm në shkollë të lartë u ndamë. Unë shkova te Godina 13, ai te 19-a. Më kërkoi të shkoja edhe unë atje, kishte një dhomë vetëm me një djalë nga Kruma. Ja kam harruar emrin tani. Zakonisht dhomat kishin 4 studentë, me dy ishte luks. Por unë refuzova, doja të rrija te studentët e Ekonomikut. Këtu edhe u ndamë. Pak qejfprishur.
Jeta vazhdoi, shndëroheshim vazhdimisht rrugicave të Qytetit Studenti. Azemi spikaste sepse ishte më i madh, vishej edhe bukur, kishte para. Ndonjëherë uleshim bashkë, më pyeste për shkollën, shokët e rinj, formalitete. Ishte temperament.
Kur ndodhi Dhjetori ’90 u pamë qysh të nesërmen e demonstratës së parë. Azemi do ishte në krye, ai e kishte protagonizmin në gjak. Kishte edhe batutën. Nuk shquhej për ndonjë fjalor të pasur por dinte të të bënte vete. Kishte intuitën brilante, guximin e pashoq dhe karizmën – tri cilësi të domosdoshme për ato momente. U imponua menjëherë. Xhupi i zi i lëkurës u bë simboli i asaj lëvizjeje. Pas pak kohe të gjithë e njihnin dhe e kërkonin Azemin me sy. Edhe emri ishte i veçantë.
Kohët kalonin shpejt, fluturonin. Një ditë i shkova ta takoja. Gjasme për qejf por krejt qëllimi ishte të më ndihmonte që të filloja punë në Tiranë. Ishte viti 92, PD sapo kishte marrë pushtetin, unë sapo mbaroja shkollën. Ishte një takim i ftohtë. Më pyeti për gjëra formale, edhe unë nuk dija ç’ti thoja. Duhet ta ketë ditë se për çfarë kisha shkuar por me shumë mundësi ishte një bezdisje për të. U ndamë, më përqafoi.
-“Je djalë i mirë ti” – më tha si ngushëllim.
U mërzita. Por kurrë nuk e hodha poshtë. Unë e njihja, ai ishte Azemi. Kishte të tjera preokupime tani. Më duhej të pranoja parëndësinë time. Mu krijua një boshllëk në shpirt.
Takoheshim vazhdimisht edhe më vonë. Unë fillova punë pikërisht në Qytetin Studenti me ndihmën e mikut tim Gjin Progni. Gjini ishte miku i Azemit, vinte shpeshherë te ndërmarrja jonë. Sa herë takoheshim përqafoheshim me gjasme mall.
Por kisha përshtypjen se më ruhej, nuk donte të më takonte.
Për herë të fundit e kam takuar në Shtator 1996, bëhej Miss Evropa. Erdhi dhe më kërkoi te Pallati i Kongreseve.
-“ Më gjej një biletë” – më tha
U gëzova.
-“Patjetër” – i thashë. I dhshë një nga më të mirat dhe i thashë:
-“E ke prej meje”- (pra pa pagesë).
Por nuk pranoi kurrsesi. Më futi në xhep me zor një shifër ndoshta dyfishin e çmimit dhe iku.
Erdhi 97-a e pas saj 98-a. Kohë të tmerrshme. Ngajrje të rënda, vrasje, grabitje, përdhunime. Lajmet nga Tropoja ishin tronditëse. Çfarë po ndodhte atje nuk na linte aspak indiferentë. Jemi pak njerëz shumica kushërinj e krushqi.
Unë nuk isha i përfshirë në politikë pothuajse fare. Kisha një mikun tim të afërt që merrej me Televizionin e PD-së së asaj kohe dhe, prej tij, shkoja ndonjëherë te Noeli, lokali i famshëm te pedonalja e sotme. Rrinim gjatë.
Një pasdite vere, pak para se të ndodhte atentati ndaj Azemit (kishte ndodhë tentativa e vrasjes në Tropojë) kaluam përpara oborrit të PD-së. Po bisedoja pa e pasë shumë mendjen. Befas kthej kokën djathtas dhe shoh jo larg meje, një grup njerëzish që po pinin kafe. Në qendër të tyre ishte Azemi që mi kishte ngulur sytë sikur po më përpinte. Mbeta si fillim.
E dija që diçka ziente por e shihja veten krejt jashtë asaj historie. Buzëqesha pak i ngurtë dhe ia bëra me dorë. Një përshëndetje hezituese. Mu duk se desh të çohej të më fliste por unë e shmanga shikimin. Kisha edhe njëfarë qejfmbetjeje….
Pa kaluar dy javë nga kjo përshëndetje, e vranë.
Kam qarë për të si për një mik të afërt. Mu dhimbs në shpirt. Shkova natën e 12 Shtatorit në oborrin e PD-së, në atë oborr që ndodhi ai shkëmbimi i fundit. Saimir Kumbaro ishte me kamera dhe më filmoi. Shkova edhe të nesërmen në homazhe te Pallati i Kulturës. Mu duk sikur lexova një ftohtësi mes atyre që përshëndosha dhe u pendova. Nuk shkova në varrim.
Azemi ishte një djalë i guximshëm, intuitiv dhe pragmatist. Ai kishte lindur për të qenë dikushi dhe hyri në histori si njeriu simbol i Lëvizjes më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto vite. Për mua ishte një mik i afërt i kohërave të mia më të bukura.
Nuk ia hoqa dhimbtën kurrë. Edhe kur ishim fort larg.
Dy vite më vonë jam takuar me Fatmirën, gruan e tij, në Hotel Rogner. Ishte një përvjetor i Shijak TV, qokë. Bashkë me Fatmirën ishte edhe djali i vogël, Azemi i ri. U përshëndetëm me përzemërsi, e mora Azemin e vogël në krahë dhe e bëra një fotografi me të. E kam diku atë foto.
I shkruajta këto fjalë për ta sjellë Azemin në një dimension më njerëzor, më të vërtetë. U përpoqa të mos ia ha hakun por as mos ta glorifikoj me patetizma.
Azemi ishte shok i mire dhe unë do ta kujtoj gjithmonë për mirë.