Ragip Gila si simptomë e rënies së shtetit dhe një mesazh i gabuar. Mbrojtje policore për kriminelët në kërkim nga SPAK. DASH dhe SHISH në dijeni

Investigim

Publikuar: 08/09/2025

Ragip Gila si simptomë e rënies së shtetit dhe një mesazh i gabuar. Mbrojtje policore për kriminelët  në kërkim nga SPAK. DASH dhe SHISH në dijeni

Ragip Gila, 29 vjeç, është autori i dyshuar i masakrës së sotme në Shkodër me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur, mes tyre një grua. Gila dyshohet se ishte paguar për të eliminuar Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, 43 vjeç, vëllai i Denis Bajrit, pjesë grupit të Behar Bajrit, i cili e urdhëroi për të varë shokun e tij, Gjin Ndojin allias Gjin Boriçin, në Vaun e Dejës në gusht të vitit 2020.

(Ragip Gila)

Ngjarja e sotme, ashtu si edhe shumë masakra të tjera, janë produkt i drejtësisë së korruptuar. Tre vite më parë, në lagjen Partizani, u zbulua një bazë armatimi, për të cilën policia arrestoi Ragip Gilën. Asokohe, policia sekuestroi 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu, sende të tjera të kundraligjshme, si dhe një sasi kanabisi.

Për këto, ai u procedua për veprat penale:

Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” (parashikon 5 deri në 15 vjet burg),

Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” (5 deri në 15 vjet burg), si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Megjithatë, Gila nuk ka vuajtur as 1.5 vite të plota dënim për një vepër penale që parashikohej 5-15 vite.

Hallkat e drejtësisë në Shkodër duket janë bashkëpërgjegjëse në masakrën që ka shkaktuar Gila mëngjesin e së hënës së 8 shtatorit vetëm pak kohë pasi ishte liruar nga burgu për akuza penalë të rënda.

Masakra në Shkodër/ DOKUMENTI: Si i mbylli 'sytë'

Pikërisht kjo ngre pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e drejtësisë dhe mënyrën si u trajtua dosja e tij.

Një personazh i arrestuar 3 vite më parë me bazë armatimi, ishte liruar nga burgu dhe përgatitej për ngjarje të rënda kriminale. Si u lirua nga burgu? Cili është gjyqtari që ka firmosur? Çfarë qëndrimi ka mbajtur prokurori? Është një film korruptiv që përsëritet. Mungon reagimi, masat, zbatimi i ligjit.

Bilanci dhe shenjestra

Atentati i sotëm në Shkodër la të vdekur në vendgjarje Armando Palin, punojës i IKMT-së, dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër. Pali po pinte kafe me shokun e tij, Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, i cili besohet se ishte edhe objektivi i atenatatit.

(Armando Pali)

Pak minuta më vonë ndërroi jetë njëri prej të plagosurve Liridon Kraja. Viktima e dytë Liridon Kraja (Lushi), 31 vjeç, mësohet se ishte truproja e anëtarit të grupit të Bajrit, Erogen Vaso (Brajoviç).

(Liridon Kraja)

Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ngjarja ndodhi në lokalin “Kolë Idromeno”, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar nga qytetarët, duke shkaktuar panik të madh.

Dinamika e krimit

Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës. Erogen Bajri (Vaso) ruhej nga armiqtë e shumtë për shkak të aktivitetit të të vëllait dhe kushërinjve të tij, sot në burg me urdhër të SPAK. Bajri ruhej nga truproja Liridon Kraja.

(Erogen Bajri)

Autori Ragip Gila ka hyrë në mënyrë të bafasishme në lokal, duke qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Autori ka qenë i armatosur me dy armë, si dhe ka pasur të veshur antiplumb. Ai ka hyrë brenda në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Më pas, autori ka dalë jashtë nga dera e dytë e lokalit, në një rrugicë pas Bashkisë së Shkodrës, ku me armë në duar ka ecur për disa metra.

Motorin me të cilin mbërriti në vendin e ngjarjes, e ka braktisur. Por nën kërcënimin e armës ka grabitur automjetin me të cilin është larguar, një “BMW” ngjyrë gri. Por, rrugës ka bërë një aksident me një makine tjetër dhe ka tërhequr vëmendjen e policisë pasi ishte ende me skafandër.

Ragip Gila ka braktisur makinën dhe ka tentuar të arratiset në këmbë, por ai është rrethuar nga Policia dhe është kapur në zonën e njohur si “Zalli i Kirit”, tek shinat e trenit, disa kilometra larg vendit të atenatit. Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet.

Kush është shënjestra?

Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç besohet se ishte shënjestra e atenatit të sotëm. Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u esktradua në korrik të këtij vitit nga Dubai, me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër, me urdhër të Behar Bajrit, për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale. 

Në vitin 2023, Erogen Bajri u përmend në një dosje të SPAK si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

A do zbulohet urdhëruesi?

Dyshimet janë të forta se autori i masakrës së sotme Rakip Gila është një vrasës me pagesë. Çoroditja e tij pas krimit, braktisja e motorrit, aksidenti me makinën e rrëmbyer, hipja në makinë me skafandër etj., mund të jetë një tregues se Gila është në fillesat e ‘karrierës’ kriminale.

Arrestimi i tij në flagrancë është një avantazh i madh për policinë, për të zbuluar se kush është urdhëruesi, përmes skanimit të komunikimeve, kontakteve dhe lëvizjeve të autorit. Nga ana tjetër, për të lehtësuar pozitat e tij, Gila mund të bashkëpunojë me drejtësinë.

Rënia e shtetit

Pista kryesore është hakmarrja. Por, linjat e hakmarrjes mund të jenë disa. Kujtojmë që vetëm Behar Bajri ka një karrierë kriminale prej 25 vitesh me grabitje, vrasje, përdhunime, plagosje, trafiqe etj., krime të mbuluara dhe manipuluara nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Për shkak të korruptimit apo frikësimit të policisë, prokurorëve dhe gjykatësve që nga viti 1999, Bajri, në përgjimet e Sky Ecc shpreh vullnetin për të vrarë për qejf!

Kapja e shtetit nga kriminelë lokalë ka gjeneruar kriminalitet jo vetëm në një qytet, por në të gjithë vendin. Nga njëra ane, figurat e krimit kanë marrë zemër nga mosndëshkimi i krimeve të tyre, duke kryer krime edhe më të rënda deri tek vrasja e njerëzve për qejf, nga ana tjetër kapja e shtetit dhe mosveprimi i drejtësisë nxit palët e dëmtuara drejt vetëgjyqësisë, duke futur kështu shumë familje në një spirale hakmarrje, me pasojë dhjetëra viktima, shumica të pafajshëm dhe rastësor.

Një mesazh i kobshëm

Edi Rama ka dhënë një mesazh në vitin 2020: Hëngshin kokat e njëri-tjetrit. Por, Departamenti Amerikan i Shetit dhe Evropa nuk mendojnë kështu. Shteti dhe qeveria nuk janë vetëm për tendera, koncensione, ligje klienteliste dhe palçkitje. Pikësëpari janë për garantuar barazi para ligjit, për mbrotjen e jetës së qytetarëve. Ndryshe, shpallim rënien e shtetit dhe ngritjen e komiteteve të shpëtimit në bazë fisesh dhe grupesh!

‘Hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ është një mesazh i gabuar që e kthen Shqipërinë në një vend gjakatar dhe tribal. Sepse ‘hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ përfshin edhe çiftin e pafajshëm të bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha, që humbën jetë në masakrën e Dobraçit. Përfshin edhe Armando Palin që humbi jetën sot.

‘Hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ është skenari më ogurzi për një vend që pretendon të integrohet në BE, ku krerë bandash kriminale, trafikantë dhe vrasës me pagesë, në kërkim nga SPAK, lëvizin të lirë me garanci policore në Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë. Madje ruhen me polici kur darkojnë në restorante luksoze në Tiranë. Ambasada Amerikane, Delegacioni i BE, SHISH, DASH është në dijeni deri në detaje!