Ndonëse pritshmëritë për përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri janë të vakëta, ethet për skuadrën e mandatit të katërt të Edi Ramës sa vijnë e shtohen, pasi kompozimi i kabinetit të ri qeveritar është përcaktues për dobësimin apo fuqizimin e disa linjave interesi.
Në rrethet politike dhe mediatike po lakohen katër kandidatë potencialë për postin e ministrit të Brendshëm; Romina Kuko, Ulsi Manja, Vlora Hyseni dhe Ervin Hoxha, ministri aktual. Që të katërt, duke mos pasur llogari të hapura me SPAK-un, duket se kanë besimin e kryeministrit Rama për të qenë pjesë e qeverisjes në mandatin e katërt, në vijën e parë.
Nuk ka dyshim që engima e madhe e shtatorit është megaministërja Belinda Balluku. Një skenar i mundshëm është që zonja Balluku do të marrë drejtimin e Parlamentit, duke i krijuar hapësirë Elisa Spiropalit të përgatitet për drejtimin e Bashkisë së Tiranës në 2027. (Pas plagosjes së rëndë të Veliajt përmes ‘çitësit me pagesë’ Ols Dado, nuk është aspak çudi që zonja Spiropali të projektohet si pasardhëse e Edi Ramës për shumë rrethana dhe arsye sa natyrshme, logjike dhe mistike, ndonëse llogaritë me Veliajt do jenë të hapura).
Ndërkaq, lëvizja e Ballukut do të kushtëzonte ndryshime në dy niministri të tjera dhe rreth 10 drejtori me peshë ministrie. Ka shumë gjasa që Edi Rama të ndajë superministrinë e Ballukut, në tre degë; Energjia/industria, transportet dhe infrastruktura/ndërtimi, të cilat edhe të ndara, mbeten sërish më të rëndësishmet.
Drejtoresha e kullave (AZHT-së), Adelajda Roka, mund të dalë në vijën e parë, duke u bërë pjesë e qeverisë, me shumë gjasa duke marrë drejtimin e ndërtimit. Zonja Roka jo vetëm i mbijetoi një turbulence serioze vitin e kaluar, por ka konsoliduar pozitat duke u shndërruar në një nga njerëzit më të besuar të Ramës.
Mes të panjohurave dhe dilemave nuk ka dyshim që qeveria e mandatit të katërt do të dominohet nga zonjat edhe për shkak të një dobësie të deklaruar tashmë të Edi Ramës ndaj grave.
Delina Ibrahimaj mund të ngjitet në postin e zëvëndëskryeministres, ndërsa Mirela Kumbaro dhe Ogerta Manastirliu pritet gjithashtu të jenë pjesë e qeverisë së re. Disa ministri dhe drejtori të parëndësishme janë rezervuar edhe për boramuzhaqet, në ‘respekt’ të meritokracisë në parti.
Edhe pse emrat dhe pozicionet ende mund të mos jenë konsoliduar plotësisht në kokën e Edi Ramës, nuk përjashtohet një suprizë; Dash Sula ministër Drejtësie. Shpotia do të ishte epike. Vlerësim për një Spakist që i shpëtoi Bufit të Kënetës.
Gjasat janë për një rinovim drastik dhe reformë të thellë. Disa drejtori do bashkohen dhe ndonjë tjetër mund të fuqizohet në rang ministrie. Reforma në qeverisjen qëndrore pritet t’i paraprijë një reforme tjetër radikale në pushtetin vendore, ku shumë bashki do kthehen në njësi administrative. Pavarësisht emrave dhe pozicioneve, kabineti i mandatit të IV do të pagëzohet si qeveria e integrimit të Shqipërisë në BE.