Policia dhe Prokuroria kanë goditur përmes pasurisë kreun e një prej grupeve më të rrezikshme shqiptare në Itali, i përfshirë në vrasje mafioze dhe trafik kokaine nga Spanja, Holanda dhe Shqipëria. Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Kristian Koni (alias Olsi Meta, K. M, Z. R dhe K.Z.), i cili sipas dosjes italiane kishte lidhje me organizatën mafioze napolitane Kamorra. Koni (Meta) ishte lidhje e ngushtë e Gaetano Marino dhe Secondigliano Santolo Carotenuto, përfaqësues të Kamorrës, oganizatë e përbërë nga 200 familje mafioze, me xhiro vjetore mbi 12 miliardë euro.
Plot 19 prona me vlerë 26.5 milionë euro, mes tyre vila në zona luksoze të Tiranës dhe Palasës, janë sekuestruar në një operacion të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Të gjitha pasuritë i përkasin 45-vjeçarit me 5 emra, i dënuar për vrasje dhe trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve, Kristian Koni allias Olsi Meta, disa nga pasuritë ia ka blerë pronarit të ‘Pelikan Security’ Vesel Demiraj, familja e të cilit ishte objekt i një atentati mafioz në prill të këtij viti, ku mbetën të plagosur rëndë dy djemtë e mitur të Vesel Demirajt, i cili është pronar edhe i kompanisë së ndërtimit Pelikani Construction. Kristian Koni allias Olsi Meta dhe Vesel Demiraj mësohet se kishin mosmarrëveshje për blerjen e një vile.
Rreth 26 milionë euro pasuri të sekuestruara dyshohet se është produkt i aktivitetit kriminal të Olsi Metës. Policia thotë se po gjurmon edhe pasuri të tjera të Olsi Metës allias Kristian Koni, të kamufluar në emrin e familjarëve të tij, kompanive dhe njerëzve të besuar.
Disa pasuri me vlerë miliona euro anëtari i Kamorrës dyshohet se i ka në emrin e oligarkut, Bashkim Ulaj. Në emrin e kompanive të Bashkim Ulajt kreu i grupit kriminal Olsi Meta allias Kristian Koni dyshohet se ka apartamente dhe dyqane me vlerë miliona euro.
Njeriu i besuar i Kristian Konit që i sistemonte paratë e kokainës në Shqipëri është Fran Çoku, të cilit më herët i janë sekuestruar 9 pasuri.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fortesa”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 26 milionë e 500 mijë euro, në pronësi të një 45-vjeçari, i dënuar për vrasje dhe për pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, nga autoritetet italiane.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.