Ndarja e papritur nga jeta e gazetarit dhe analistit të njohur Artur Zheji ka sjellë reagime në opinionin publik dhe komunitetin e medias shqiptare. Politikanë, gazetarë dhe analistë kanë shprehur dhimbjen e tyre për këtë humbje të madhe.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj e cilësoi Zhejin si një intelektual të spikatur dhe një zë të guximshëm në debatin publik. “Me stilin e tij unik, ai solli gjithmonë qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë. Kontributi i tij do të mbetet i paharruar për median dhe shoqërinë,” u shpreh Gjekmarkaj.
Gazetari Blendi Fevziu, duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë me të, shkroi: “Artur Zheji u nda nga kjo botë papritur, në kulmin e energjive dhe angazhimit publik. Bashkë me të iku një zë autoritar i medias dhe një intelektual i rrallë. U prehsh në paqe, Tur!”
Edhe gazetari Enkel Demi reagoi me dhimbje: “Pa fjalë… Më vjen shumë keq për Turin, fëmijët dhe bashkëshorten e tij.”
Analisti Ilir Kulla ndau një kujtim personal: “Para pak ditësh pimë kafen e fundit dy orëshe me Zhejin, duke folur për planet e të ardhmes. Ja që Zoti paska pasur plane të tjera.”