E rëndë / Ndahet papritur nga jeta gazetari Artur Zheji, pësoi arrest kardiak

Aktualitet

Publikuar: 23/08/2025

E rëndë / Ndahet papritur nga jeta gazetari Artur Zheji, pësoi arrest kardiak

Gazetari Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e sotme. Zheji ishte me pushime me familjen e tij në qytetin bregdetar të Sarandës dhe dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.

Gazetari po drekonte me bashkëshorten dhe djalin në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë dhe nuk është ndjerë mirë. Menjëherë ata kanë telefonuar një ambulancë, e cila ka marrë Zhejin rreth orës 16:10 për ta dërguar në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, por atje ka mbërritur pa shenja jete.

“Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë.

Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, shprehet policia e Sarandës.

Gazetari Zheji lindi më 29 gusht 1961 dhe u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare. Zheji është angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri.

Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH dhe gazeta Mapo. Veprimtaria e tij përfshin analiza politike, shkrime editoriale dhe drejtimin e programeve televizive. Që nga viti 2017, ai është drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Redaksia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zheji për humbjen e njeriut të dashur, ndarja nga jeta e të cilit është një humbje edhe për botën e medias dhe publicistikës në Shqipëri.