Blushi akuzon qeverinë: 18 aferat e Ramës pa hetim nga SPAK, Metën e arrestuan pa prova

Politikë

Publikuar: 22/08/2025

Blushi akuzon qeverinë: 18 aferat e Ramës pa hetim nga SPAK, Metën e arrestuan pa prova

Partia e Lirisë akuzoi sot Qeverinë për 18 afera në fusha të ndryshme, të cilat Prokuroria e Posaçme nuk i heton, ndërsa në krahun tjetër arreston opozitën.

Sekretari i Përgjithshëm i subjektit, Tedi Blushi, doli sot me një deklaratë për mediat, ku tha se qeveria është e lidhur me organizatat kriminale dhe kartelet e drogës.

Ai u shpreh se me nisjen e sesionit të ri, Kuvendi do të shndërrohet në sallën e gjyqit publik kundër Edi Ramës dhe ministrave të tij.

Sot rikujtojmë për të gjithë shqiptarët, se janë të paktën 18 afera të përbindshme korruptive dhe kriminale, të gjitha të kallëzuara penalisht në këtë institucion, ku vërtetohet katërcipërisht, përgjegjësia direkte personale e Kryeministrit, Edi Rama, për të cilat SPAK ka zgjedhur të heshtë ose siç është bërë e modës, t’i transferojë për moskompetencë në Prokurorinë e Tiranës”, tha ai mes të tjerash.

Dhe nuk harroi pa marrë në mbrojtje kryetarin e partisë, të arrestuar që prej 21 tetorit 2024.

“Përballë gjithë kësaj panorame tronditëse, ironia është se drejtësia e kapur prej Ramës vepron vetëm kundër opozitës. Ilir Meta mbahet në izolim ekstrem pa asnjë fakt apo provë penale, vetëm me alibinë qesharake se mund të “intimidojë dëshmitarët”, të cilët vetë SPAK i quan “të paqëndrueshëm”. Absurd total për një ish-President Republike pa pushtet ekzekutiv, pa mandat deputeti dhe pa asnjë instrument presioni”, u shpreh ai, duke iu referuar edhe zbardhjes së vendimit të GJKKO-së për argumentet e lënies në paraburgim të kryetarit të PL-së.