Dokumentet zyrtare të IRS në Shtetet e Bashkuara zbulojnë një strukturë të errët financiare, të regjistruar në Delaware, që prej vitesh shërben si porta sekrete e parave të mbledhura në emër të bamirësisë nga hoxhë Elvis Naçi. Organizata mban emrin “Friends of Fondacioni Firdeus Inc.” dhe në letra paraqitet si jofitimprurëse. Por pas fasadës qëndrojnë shifra tronditëse, boshllëqe ligjore dhe një rrjet njerëzish anonimë që administrojnë miliona dollarë pa asnjë llogaridhenie.
Sipas formularëve tatimorë 990, nga viti 2019 deri në vitin 2023 kjo kompani ka mbledhur plot 16.8 milionë dollarë. Nga këto, vetëm 412 mijë janë shpenzuar brenda Shteteve të Bashkuara, ndërsa rreth 8.4 milionë janë transferuar jashtë vendit nën justifikimin “poverty & disaster relief”, kryesisht drejt Europës, ku përfshihet edhe Shqipëria. Por askund nuk përmendet emri i përfituesit final. Edhe më skandaloze është fakti se në fund të vitit 2023 organizata kishte në banka një shumë marramendëse prej 8.3 milionë dollarësh, të pashpenzuara, ndërkohë që donatorëve shqiptarë u thuhej çdo ditë se ndihma ishte urgjente dhe se çdo qindarkë duhej për njerëzit në hall.

Bordi fantazmë që kontrollon gjithçka
Në Shqipëri, “Firdeus” shfaqet me fytyrën e Elvis Naçit. Por në Shtetet e Bashkuara, në dokumentet e IRS, ai nuk figuron gjëkundi. Në vend të tij, bordi i “Friends of Fondacioni Firdeus Inc.” përbëhet nga tre emra anonimë: Shpetim Useini, president; Genti Basha, zv.president dhe thesarier; dhe fillimisht Shpetim Kura, më pas i zëvendësuar nga Arian Peza, si anëtar bordi. Tre individë pa lidhje ligjore me fondacionin në Shqipëri, të cilët kanë në dorë miliona dollarë të mbledhur nga shqiptarët. Asnjëri nuk merr pagë sipas dokumenteve, por të tre kanë autoritet absolut mbi administrimin e fondeve.
Edhe vetë faqet GoFundMe të ngritura nga Elvis Naçi nuk çojnë në një llogari bankare në Shqipëri, por në këtë strukturë amerikane në Delaware. Aty deklarohet hapur se paratë mblidhen nga Shpetim Useini në Peoria, Illinois, i cili pastaj i transferon në Shqipëri. Kjo hallkë e ndërmjetme shërben për të prishur gjurmën bankare dhe për ta shkëputur përgjegjësinë direkte nga hoxha Elvis Naçi dhe fondacioni i tij.
Zgjedhja e Delaware nuk është e rastësishme. Ky shtet njihet për privatësinë e lartë, për regjistrime që mbulojnë pronarët realë dhe për përdorimin e tij nga struktura offshore që kërkojnë të fshihen nga sytë e publikut. Pikërisht aty është regjistruar kompania amerikane e lidhur me Firdeus, dhe pikërisht aty, në formularët e IRS, figuron një boshllëk i madh: në Schedule F, që detyron raportimin e granteve ndërkombëtare, “Friends of Fondacioni Firdeus Inc.” raporton thjesht “Europe (including Albania)” si destinacion i miliona dollarëve, pa asnjë emër përfituesi, pa adresë, pa detaje. Një raportim i tillë, për një organizatë që dërgon miliona jashtë SHBA, është një shkelje flagrante e frymës së ligjit amerikan për transparencë.
Pas fasadës së Elvis Naçit, që del në ekrane dhe bën thirrje për ndihma, qëndrojnë dyshja që e udhëheqin realisht gjithë perandorinë financiare: Ilir Hoxholli dhe Lauresha Basha. Hoxholli, ish-sekretar i Komitetit të Rindërtimit dhe i lidhur me fondet e tërmetit, shihet si dora e zezë e llogarive dhe zhvendosjeve të mëdha të parave. Lauresha Basha, vajza e tezes e Naçit dhe me eksperiencë në banka, është “drejtoresha de facto” e financave të fondacionit. Të dy, me dijeni teknike dhe lidhje te forta, janë truri i fshehtë i skemës, ndërsa Elvis Naçi mbetet thjesht fasada që shijon luksin dhe famën.
Ligji amerikan është i qartë: çdo organizatë jofitimprurëse që dërgon fonde jashtë vendit duhet të ushtrojë atë që quhet “expenditure responsibility”. Kjo do të thotë të dokumentojë në mënyrë rigoroze përdorimin e fondeve, të kërkojë raporte periodike dhe të mbajë evidenca për çdo qindarkë. Në rast të kundërt, konsiderohet shkelje serioze që mund të sjellë penalitete të ashpra dhe madje heqjen e statusit “tax-exempt”. Fakti që “Friends of Fondacioni Firdeus Inc.” nuk identifikon përfitues finalë për mbi 8 milionë dollarë të transferuar në Europë, është një sinjal alarmi për IRS dhe për çdo agjenci amerikane që merret me pastrimin e parave.
Pasuritë marramendëse në Sauk
Ndërkohë që në Delaware paratë ngecin në banka, në Shqipëri shfaqen investime luksoze që përkojnë me periudhën e qarkullimit të këtyre fondeve.
Ish-Hotel Denver në Sauk është blerë dhe është shndërruar në zyra të Firdeus.

Ish Hotel Denver, blerë nga fondacioni Firdeus
Ish-Delta në Mullet është marrë për 2.2 milionë euro dhe sot quhet “Family Park”.

Resort Family Park
Janë hapur biznese të tjera, si optika dhe qendra fizioterapie, ndërsa prona e pasuri të paluajtshme shfaqen në emër të familjes së gjerë të Naçit.
Fondacioni Firdeus padyshim meriton vlerësim për çdo jetë që ka shpëtuar dhe çdo familje që ka ndihmuar, por transparenca është e domosdoshme sidomos kur bëhet fjalë për miliona euro para të shqiptarëve që shkojnë në duar të pakontrolluara.
Kjo eshtë cështje për hetim federal në SHBA dhe për SPAK-un në Tiranë. Dhe kur të hyjë drejtësia, nuk do të shpëtojë asnjë “bord fantazmë”, asnjë kushëri e asnjë kukull. /Pamfleti