Reagimi i fundit i Këshillit të Europës, përmes platformës FOM, përbën një precedent të rrezikshëm dhe një ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë. Në vend që të mbrojë parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor, KiE ka zgjedhur të ushtrojë presion mbi institucionet shqiptare, duke kërkuar me gjuhë ultimative heqjen e një lajmi nga një portal dhe falje publike ndaj një individi të caktuar, i indentifikuar nga lobe të caktuara apo i vetë identifikuar, pasi artikulli nuk etiketon një individ konkret, por merret me fenomnetin e përdorimit të shoqatave të caktuara nga biznesmenë rrufjanë, për të mbajtur pasuritë e zaptuara publike. Gjithashtu, Prapaskena nuk është kundër asnjë komuniteti të caktuar dhe këtë e tregon raportimi sistematik rreth kauzave të tyre.
Këto kërkesa nuk janë thjesht opinione apo rekomandime morale, por ato përbëjnë një diktat të hapur dhe një shantazh politik, që synon të imponojë vendimmarrje mbi një shtet sovran. Kush ia jep Këshillit të Europës të drejtën të shndërrohet në gjykatë?
Në Shqipëri, vetëm gjykatat kanë autoritetin kushtetues për të urdhëruar fshirjen e një artikulli apo për të detyruar dikë të kërkojë falje publike. Çdo përpjekje tjetër, sado e kamufluar nën petkun e “mbrojtjes së lirisë së medias”, është shkelje flagrante e sovranitetit kombëtar dhe e parimit të ndarjes së pushteteve.
Më shqetësuese është thirrja e KiE drejtuar institucioneve të pavarura shqiptare si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokati i Popullit. Në vend që këto institucione të respektojnë mandatet e tyre ligjore dhe të mbeten të pavarura, po u kërkohet haptazi të veprojnë sipas një axhende të jashtme.
Ky veprim nuk është gjë tjetër veçse një udhëzim politik, një presion i pastër që synon ta kthejë Shqipërinë në një vend ku institucionet marrin vendime sipas tekave të ndërkombëtarëve dhe jo mbi bazën e ligjit. Nëse ky precedent pranohet sot, nesër mund të pritet që çdo artikull kritik, çdo zë ndryshe, të fshihet jo me vendim gjykate, por me një “rekomandim” të ardhur nga jashtë.
Ky qëndrim bie ndesh edhe me frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dokumenti themelor që vetë KiE supozohet të mbrojë. Konventa garanton lirinë e shprehjes dhe të medias, përfshirë edhe ato shkrime apo opinione që mund të duken të ashpra, të pakëndshme apo edhe fyese.
Liria e shprehjes nuk është privilegj i atyre që na pëlqejnë, por e drejtë e garantuar për të gjithë. Në momentin që fillon të bësh përjashtime sipas interesit të një grupi të caktuar, ajo liri shndërrohet në censurë.
Është paradoksale që një institucion ndërkombëtar, që ka për mision të ruajë standardet demokratike, të bëhet vetë burim i presionit dhe i censurës. Në vend që të inkurajojë debat publik dhe të mbështesë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes gjykatave, KiE po merr rolin e gjykatësit dhe prokurorit, duke i vendosur vetes një mandat që nuk i takon.
Ky lloj qëndrimi rrezikon jo vetëm të dëmtojë reputacionin e vetë KiE, por edhe të ulë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet ndërkombëtare, të cilat në vend që të qëndrojnë neutrale, po tregohen të njëanshme.
Shqipëria nuk ka detyrimin të zbatojë ultimatume të Këshillit të Europës. Detyrimi i saj i vetëm është të respektojë ligjet kombëtare dhe vendimet e gjykatave të saj. Nëse një qytetar, gazetar apo shoqatë mendon se është fyer apo diskriminuar, rruga e duhur është gjykata shqiptare, jo presioni politik ndërkombëtar. Çdo gjë tjetër është cenim i sovranitetit, i demokracisë dhe i rendit kushtetues.
Nëse KiE synon të bëhet “gjykatë e lajmeve”, atëherë le ta deklarojë qartë këtë gjë. Deri atëherë, çdo presion mbi institucionet shqiptare duhet të konsiderohet për atë që realisht është: një shantazh politik i maskuar si mbrojtje e të drejtave të njeriut.
Shqipëria nuk duhet ta pranojë këtë shantazh, sepse liria e medias dhe pavarësia e institucioneve nuk mbrohen me presione të jashtme, por vetëm duke respektuar ligjin dhe gjykatat kombëtare.
Prapaskena është e hapur të përballet me gjykatat dhe shpreh qartazi gatishmërinë për të ndjekur çdo proces ligjor deri në fund, duke respektuar rregullat e shtetit të së drejtës. Nëse gjykata merr një vendim, ai do të zbatohet pa asnjë hezitim, pasi vetëm kështu garantohet barazia para ligjit dhe mbrojtja e interesit publik.
Njëkohësisht, Prapaskena është e palëkundur ndaj çfarëdolloj shantazhi që mund t’i bëhet nga individë apo lobe të caktuara, duke mbetur e përkushtuar vetëm ndaj misionit të saj për informim të pavarur dhe të vërtetë.