Sa herë SPAK hap një derë hetimi për aferën prej 50 milionë eurosh të tunelit të Llogarasë, në Tiranë ndizet një turfullim mediatik që vepron si “tra korrupsioni” dhe sulmon prokurorin e çështjes Dritan Prençi, që po këmbëngul t’i shkojë deri në fund hetimit.
Prapaskena i përshkruan këto media si “të çakërdisura mediatike” që marrin shkumë eurosh për të bërë jehonë, duke lënë në hije atë që po bëhet – pra, hetimin mbi tenderin e listuar si korrupsion me 50 milionë euro. Në vend që të nxirren në pah marifetet me dokumentat e zhdukur dhe skemën e Rrok Gjokës, mediat e paguara nga korrupsioni u drejtojnë këmbët drejt diçkaje të stërhetuar me mbi 70 të arrestuar — siç është inceneratori — vetëm për të larguar syrin nga tuneli.
Mediat e lyera me para korrupsioni, nuk akuzojnë se prokurori Prençi po heton “si nuk duhet” tunelin. Ai sulmohet sepse nuk po heton inceneratorin, një temë që përdoret nga segmente të opozitës pasi me shumicën e oligarkëve ndajnë para. Dhe kjo zhvendosja e vëmendjes bëhet që të mos ndodhë hetimi rrënjësor mbi Llogaranë.
Nëse media ishin kritikë të lirë, do të pyesnin: “si u zhdukën 50 milionë euro në rrugën e Llogarasë?”. Por ato nuk e bëjnë, sepse janë pjesë e maskës së korrupsionit — një fushatë e koordinuar për të ndëshkuar prokurorin që sfidon pushtetin dhe krimin .
Në një demokraci funksionale, liria e shtypit nuk mund të përdoret si mjet për fshehje krimi. Kur një media vepron si mburojë, jo si dritë, dhe kur sulmon hetuesin për të mos shkuar tek skemat e vjedhjes publike, kjo thjesht nuk është kritikë, është pjesë e propagandës kriminale.
Çeta e Dibrës nuk do tërhiqet as nga këta dordolecë mediatikë, por do ta çojë hetimin deri në fund, duke ndjekur fijet e parave, nga oligarkët e deri tek zagarët mediatikë. Edhe këto mediat duhet të hetohen — jo për lirinë e raportimit, por sepse kanë humbur çdo pretendim për integritet, dhe janë bërë mburoja e errësirës që tenton të mbulojë vjedhjet.