Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama: Kjo është vetëm faza e parë! Ai që ndërton pa leje nuk do e gëzojë

Politikë

Publikuar: 10/08/2025

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama: Kjo është vetëm faza e parë! Ai që ndërton pa leje nuk do e gëzojë

Kryeministri Edi Rama ka folur në rrjetet sociale edhe njëherë për aksionin e nisur prej javësh për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.

Rama u shpreh se kjo është vetëm faza e parë e një programi që do të sjellë hapësira publike cilësore dhe evropiane.

“Kthimi në gjendjen e mëparshme po realizohet, pasi pjesa dërrmuese e ndërhyrjes bëhet në objekte të çmontueshme. Aty ku ka llac e tulla e beton do të duhet më shumë punë, por nuk ka aq shumë, kështu që do të ecim me shpejtësi.

Kjo është vetëm faza e para e një programi të ri të Rilindjes Urbane. Do të krijojmë cilësi, do të kërkojë kohë, por do të rikthejmë hapësira publike cilësore.

Shteti ka përgjegjësitë e veta, ne jemi një shtet ndërtim dhe do të jemi një shtet i ndërtuar kur të hyjmë në BE. Për asnjë rast përgjegjësia e shtetit amniston shkelësit e ligjit. Nuk mund të thuash që “po hedh beton dhe po s’më kapet s’ke çfarë më bën”, tha Rama.

Më tej, Rama paralajmëroi se çdo institucion që nuk reagon brenda 24 orëve mund të denoncohet për papërgjegjësi, ndërsa njoftoi reformimin e strukturës së Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).

Rama theksoi se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe paralajmëroi masa të rrepta ndaj shkelësve të ligjit.

“Keni një platformë të cilën e keni në e-Albania, ku atje mund të punojmë dhe të bashkëpunojmë. Në3 rastet se brenda 24 orëve nuk ka reagim atëherë keni të drejtën që të denonconi edhe institucionet përkatëse për papërgjegjësi. IMT e bashkive do të reformohet do të ndryshojë struktura.

Nuk do të jetë më drejto i IMT-je dhe kjo as që diskutohet. Më e rëndësishmja është një adresë ku robi përcillet me prova dhe fakte dhe jo nga Facebook. Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, nuk do e gëzojë dot, ose do e marrë shteti ose do hidhet në tokë, kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë”, tha Rama.