Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia për rrethimin me njësi policore të televizionit më të madh informativ në vend, News 24, dhe ndërprerjen e dhunshme të sinjalit të transmetimit. Ai e konsideron akt kriminal ndaj fjalës së lirë.
Meta shpreh solidaritet me gazetarët, për të cilët thotë se sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre, për informim të vërtetë dhe të paanshëm.
“Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.
Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.
U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar”,shkruan Ilir Meta.
Televizioni më i madh informativ në Shqipëri, News 24 nuk transmeton më prej mëngjesit të kësaj të shtune, datë 9 Gusht, pasi njësi të mëdha policore kanë zbarkuar në godinat e medias dhe nuk kanë lejuar gazetarët të nisin punën.
Gjithashtu, është ndërprerë forcërisht energjia elektrike dhe sinjali.
Avokatura e Shtetit informon se në përfundim të proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, sot kanë nisur procedurat për marrjen e pronës në dorëzim.