Dy biznesmenët që sfiduan Ramën (Thanas dhe Robert Biqiku), rikthyen hotelin pa leje përmes gjyqtarit Hazbi Balliu

Krim & Korrupsion

Publikuar: 01/08/2025

Dy biznesmenët që sfiduan Ramën (Thanas dhe Robert Biqiku), rikthyen hotelin pa leje përmes gjyqtarit Hazbi Balliu

Pas prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila ‘legalizoi’ ndërtimet pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama adresoi sot kritika të forta ndaj një tjetër përfaqësuesi të sistemit të drejtësisë, gjyqtarit Hazbi Balliu, duke e akuzuar se ka marrë një vendim në favor të ndërtuesve të paligjshëm dhe në dëm të interesit publik.

Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre“, shkruan Edi Rama.

Po kush janë këta ndërtues të paligjshëm, që sfiduan shtetin duke ndërtuar një hotel pa ljeme me 6 kate dhe tashmë sfidojnë edhe Edi Ramën, duke i zhbërë aksionin për konfiskimin për llogari të shtetit të kateve pa leje, përmes gjyqtarëve si Hazbi Balliu?

Prapaskena mëson se bëhet fjalë për biznesmenët Thanas dhe Robert Biqiku, vëllezër, të njohur më shumë (jo mediatikisht) si pronarë të restorant Fiore në Tiranë dhe Kavajë.Thanas dhe Robert Biqiku janë pronarë të kompanisë RT Max shpk, me objekt veprimtarie në fushën e shërbimeve si hoteleri dhe bare restorante. Administratorë rezultojnē Agustin dhe Xhordan Biqiku, përgjegjës për ndërtimin pa leje, që përbën vepër penale.

Përmes kompanisë RT Max, dy vëllezërit biznesmenë ndërtuan një hotel pa leje në Rrugën “Qamil Guranjaku” në Tiranë. Në tetor të vitit 2022, Këshilli i Rregullimit të Territorit me në krye Edi Ramën miratou konfiskimin e sipërfaqeve pa leje në 8 ndërtime në Tiranë, mes tyre edhe hotelin pa leje, i cili u kthye në zyra për Kadastrën.

Shumica e oligarkëve që ndërtojnë pa leje i shpëtuan aksionit të Ramës, siç ndodh zakonisht. Të tjetët gjetën shtigjet rrugës, duke i rikthyer pasuritë e bllokuara, përmes blejes me çmim qesharak si dhe përmes gjykatave. Në rastin konkret, gjyqtari Hazbi Balliu ka hedhur poshtë vendimin e qeverisë për procedimin për ndërtimet pa leje.

Mbetet për t’u parë arsyetimi i gjyqtarit Balliu për këtë vendimarrje.