Nga specialistë të lekut tek ‘fanti spathi’ i Ramës, kush po i zëvëndëson zëvëndësit në bashkinë pa kokë të Tiranës, Anuela Ristani është lënë të vazhdojë pilates te Rr. Kavajë

Aktualitet

Publikuar: 31/07/2025

Nga specialistë të lekut tek ‘fanti spathi’ i Ramës, kush po i zëvëndëson zëvëndësit në bashkinë pa kokë të Tiranës, Anuela Ristani është lënë të vazhdojë pilates te Rr. Kavajë

Nënkryetarët e Bashkisë Tiranë, Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili u gdhinë në mëngjes me të njëjtën mendje: Dorëheqjen!

Pasi reflektuan më pak se një muaj, kur kryeministri Rama dha ultimatum për të gjithë nënkryetarët dhe administratorët e njësive administrative, këta të Tiranës u “menduan” ca, por në fund vendosën njëzëri, “largohemi me dëshirë”.

Bashkia “origjinale” e Tiranës, pas burgosjes së Erjon Veliajt, duket se po emigron jashtë shtetit. Frida Pashako ka fituar nënshtetësinë italiane dhe ka zhvendosur familjen e saj për atje. Me shtetësi austriake duket se është edhe Andi Seferi, “filoaustriaku” i lindur në Vjenë.

Keti Luarasi, motra e deputetes Iris Luarasi, sipas punonjësve kishte kohë që mendonte ikjen nga Bashkia Tiranë.

Jonida Halili, “Bisha” e financave të bashkisë, pritet të “emigrojë” në ministrinë e Arbjan Maznikut, i cili ka qenë mentori i saj special që në vitin 2015.

Kush po i zëvendëson, zëvendësit?

Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero janë zëvendësuesit që vijnë edhe këta pa “dëshirë” në krye të punëve të lëna rrugëve të Bashkisë Tiranë, që kur kryetari i zgjedhur, Erjon Veliaj, u burgos.

Gentian Keri vjen si specialist i sektorit të “lekut”. 6 vjet drejtor te Fondi Shqiptar i Zhvillimit e bëjnë Kerin të jetë kompetent në këtë sektor. Besueshmëria i rritet disa gradë, po të llogariten vitet e “specializimit” si ekspert prokurimesh në Bashkinë Tiranë, pikërisht në kohën kur kryetar i saj ishte vetë Edi Rama.

(Keri)

Blendi Sula, përfaqëson denjësisht rrymat fluide të Partisë Demokratike brenda lumit të tharë nga kuadrot me përvojë të PS. Si ish-nënkryetar i Partisë Republikane nën drejtimin e Fatmir Mediut, dhe si ish-kreu i Forumit Rinor të kësaj partie, Sula spikat për një të shkuar aktive edhe në strukturat e PD-së, më shumë pranë Lulzim Bashës.

Vasilika Vjero, është një personazh që në CV-në e saj ka të pashkruar, atë që përflitet kudo, “Jam kushërira e Edi Ramës”. Vjero përdoret si “fanti” spathi nga Rama sa herë duhet të ketë në kontroll familjar, bashkinë, tatimet, Qendrën Kombëtare të Biznesit, Autoritetin Rrugor Shqiptar apo Ministrinë e Financave ku së fundi shërbente si këshilltare “roje”.

Në listën e dorëheqjeve mungon vetëm Anuela Ristani, që vazhdon të jetë kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, e cila pavarësisht “tërmetit” që i shkaktoi një emision investigativ, pak kohë më parë, vazhdon të bëjë “pilates” te qendra pa emër në Rr. e Kavajës.

Bashkia e Tiranës ka disa muaj që ka kaluar në kolaps total, për shkak të mungesës së organizimit dhe burimeve njerëzore që ndërrohen pa asnjë kriter. Pastrimi, parkimet dhe të gjitha shërbimet publike kanë kaluar në nivelin e një qyteze të dorës së dytë.

Aksioni për heqjen e çadrave, karrigeve, “pjergollatave” apo xhamave kufizues në çdo cep të Tiranës, po ndiqet nga ata që i lanë të lulëzojnë këto forma biznesi “alla shqiptar”, si përpjekje e dëshpëruar për të fshehur, se pas gjashtë muajsh pa kokë, Bashkia e Tiranës duket e shkatërruar.