Kush është Ols Meta, baroni i kokainës që po e gjurmon e gjithë Evropa, në Shqipëri shfaqet si biznesmen i suksesshëm me identitet të ri

Krim & Korrupsion

Publikuar: 31/07/2025

Kush është Ols Meta, baroni i kokainës që po e gjurmon e gjithë Evropa, në Shqipëri shfaqet si biznesmen i suksesshëm me identitet të ri

Autoritetet ligjzbatuese të disa shteteve të Evropës po e gjurmojnë si baronin më të sofistikuar shqiptar të kokainës në kontinent, ndërsa në Tiranë, prej 5 vitesh shfaqet si biznesmen, ku duke u kamufluar pas një karteli kompanish në emrin e tij dhe të të besuarve, ka investuar dhjetëra milionë euro në pasuri të paluajtshme nga Tirana në Palasë. Në një dosje penale dhe në disa episode përgjimesh rezulton me emrin Ols Meta.

Për herë të parë, emri i tij nisi të lakohej në zyrat e BKH-së dhe Prokurorisë së Tiranës pas zbërthimit të disa komunikimeve në Sky Ecc, duke u përhapur si legjendë nëpër Tiranë. Në disa dosje të SPAK për goditjen e organizatave të trafikut të kokainës, kodi i tij besohet se shënohet me ‘i paidentifikuar’. Askush nuk po bënte lidhjen se cili biznesmen në Tiranë, me emër të ndryshuar, kishte qenë Ols Meta i trafikut të kokianës në Itali, Belgjikë dhe Holandë.

Mbërritja e një dosje të autoriteteve ligjzbatuese italiane në organet hetimore shqiptare, nxori zbuluar Ols Metën në Tiranë, i shndërruar në biznesmenin K. K. Siç e ka treguar dosja Zarka e SPAK-ut, figurat e krimit, kanë një fuqi të madhe financiare, duke bllokuar edhe sabotuar edhe kërkesat e autoriteve partnere për kryerje të veprimeve hetimore apo sekuestrim të pasurive. Ata, përmes sekserëve, ndikonin dhe korruptonin OPGJ, prokurorë dhe gjyqtarë.

Një nga dosjet e Ols Metës (K. K.), në vend që të referohet për kompetencë në SPAK, po mbahet e bllokuar për shkak të ndërhyrjeve korruptive. Edhe nëse nuk arrin t’a mbyllë, baroni i drogës po fiton kohë, duke tjetërsuar pasuritë. Një burim që ka parë dosjen, lëvizjet dhe transaksionet, theksoi se ‘lavatriçja’ kryesore e pastrimit të parave të Ols Metës (K. K), është oligarku Bashkim Ulaj.

Një pasuri e vlerësuar mbi 50 milionë euro dyshohet se baroni i drogës e ka kaluar në emrin e kompanive të Bashkim Ulajt si; apartamente, zyra dhe dyqane tek pallati i ri i Ulajt pranë stadiumit, vila dhe rezidenca, prona dhe llogari bankare. Dhjetëra milionë euro rezulton se i ka pastruar me disa biznese në letër si; Import-eksport makinash, transport mallrash, konsulenca, ndërmjetësime, qiradhënie etj.