Nëntë muaj pas arrestimit, SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e Ilir Metës, për aferën CEZ-DIA dhe skandalin e lobimit të LSI në SHBA. Me mbylljen e hetimeve zbulohet se SPAK do të marrë të pandehur edhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhin, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë masë sigurie.
Vjehrra e Ilir Metës u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzën, por u largua pasi SPAK i ka kërkuar që të paraqitet nesër, pasi nuk mund të përfaqësohet me avokatin e Ema Çokut. Akuza për pastrim parash sot i është komunikuar mikeshës së Monika Kryemadhit, Ema Çokut, si edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, babai i deputetes Erisa Xhixho. Xhixho është hetuar për korrupsion pasiv.
Vetë Meta dhe Kryemadhi u morën të pandehurmë datë 29 maj, ku iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Nesër në orën 13:00, Monika Kryemadhi do të jetë në dyert e SPAK vetëm për tu njohur me mbylljen e hetimeve.
Meta që prej 21 tetorit të kaluar ndodhet në arrest me burg, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Të pandehur në dosjen ‘Meta’
Ilir Meta
Pirro Xhixho
Ema Çoku
Fatime Kryemadhi